Matteo MANDALA 

1. Dy janë emrat etnikë me të cilët shënohen përkatësisht shqiptarët, Shqipëria dhe gjuha shqipe:        1.) Arbëresh/arbëneshArbëri/Arbëniarbërisht/arbënisht dhe 2) ShqiptarShqipëriShqip(ë)nishqipe. Mbi prejardhjen e emrit të parë, falë faktit që është më i vjetri, më i njohuri dhe më i përhapuri në gjuhët kryesore (në italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht, sllavisht, turqisht), janë hedhur hipoteza etimologjike, së bashku me kronologjitë përkatëse të përhapjes, pak a shumë të mbështetura. Për sa i përket emrit të dytë etnik, i cili përdoret vetëm nga shqipfolësit e viseve Ballkanike, hipotezat e ndryshme që janë hedhur qysh nga fundi i shekullit XVIII nuk u qëndrojnë kritikave. Vështirësitë për një rindërtim etimologjik burojnë kryesisht nga dokumentimi i pakët i kësaj fjale në shkrimet e vjetra, nga trajta e ngurosur gramatikore dhe nga ambiguiteti semantik, madje ndonjëherë kontradiktor, që shpërfaq ndajfolja shqip. Këtu e kanë burimin edhe problemet e tjera që lidhen me etimologjinë, si kronologjia relative, përhapja gjeografike dhe, mbi të gjitha, shkaqet që kanë përcaktuar, në një çast të dhënë të historisë së popullit shqiptar, zëvendësimin e etnonimit të moçëm me atë më të ri.

Për një shqyrtim më të gjerë të kësaj çështjeje të shihen punimet e studiuesve Osman Myderrizi, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Rexhep Ismajli e, sidomos, analiza e hollësishme e Bardhyl Demirajt. Në këto radhë po kufizohemi të trajtojmë dëshmitë e fjalëve shqip, shqiptarshqipëni siç dalin te vepra e pabotuar e Francesco Maria Da Lecce-s, Dittionario italiano-albanese e vitit 1702, dorëshkrimi i së cilës besohej i humbur. Duke pasur parasysh epokën kur u hartua dhe faktin se pasqyron gjuhën e folur, kjo vepër zë një vend të dorës së parë për ndihmesën që i jep rindërtimit të historisë së leksikut të shqipes dhe ndriçimit të shumë çështjeve etimologjike. Në këtë kuadër rëndësi të posaçme, siç do ta shohim më poshtë, paraqet pikërisht dëshmimi i fjalës shqip dhe i fjalëve të prejardhura prej saj.
2) Tashmë janë bërë të ditura rastet ku haset fjala Shqipëtār në Dittionario që janë pikërisht ato që lexojmë në këtë pasazh me të cilin Da Lecce hap Hyrjen e veprës:

“Shqipëtārit
Këtë Diktionar, oh Shqipëtāri i dashun, e shkrova jo për zotinī tande, qi di ma fort se unaj veç për vetëhe, qi jam për së largu e gjuhënë e shqipëtarëvet e kam posi nji kafshë të huojë. […] E ndë qofsh ti qi kandon këtë Diktionār prej Talje, as ti, oh i bēkuemi, mos m’qesh: perse ti e di vet, sā fështīr na bie neve, me nkthyem gjuhënë tanë, mbë gjuhë t’Arbëne […]”. 

Francesco Maria Da Lecce, Dittionario italiano-albanese, f. 4r

Këtu shqipëtar, që del tri herë, ka po atë vlerë të emrit etnik që disa vite më pas do ta gjejmë te Kuvendi i Arbënit. Ky përkim, edhe pse ka vlerë meqenëse në hartimin e akteve të Kuvendit bashkëpunoi vetë Da Lecce, nuk mjafton për të pohuar se qysh prej fillimit të shek. XVIII shqiptar e kishte marrë përfundimisht vlerën etnike. Këtë e dëshmon fakti se dhjetë vjet pas botimit të akteve të Kuvendit të Arbënit, vetë Da Lecce parapëlqen të përdorë etnonimit arbënor në vend të atij shqiptar. Në fakt, në hyrjen e Gramatikës së tij (1716), misionari françeskan i drejtohet «Arbënorit» pak a shumë me të njëjtin stil si te hyrja e Fjalorit: «Arbenuer i dashun – ket’ gramatiken’ e shkrova jo per zotinī tande…». S’ka dyshim se zëvendësimi i etnonimit të vjetër jo vetëm që nuk ishte kryer në fillim të shek. XVIII, por edhe se fjala shqiptar nuk e kishte marrë ende plotësisht atë vlerë etnike që kishte fjala arbëresh. Kjo del mjaft qartë nga Fjalori, ku fjala shqipëtar përveç se në hyrjen e lartpërmendur, del edhe si fjalë më vete, por me kuptim krejt tjetër: [1] f. 182r: parlatore goetaar, schippetaàr, -i, -a.

Kjo dëshmi është shumë e rëndësishme, sepse fjala shqiptar na del për herë të parë me një kuptimin të panjohur deri më sot, qoftë kur përkthen italishten <parlatore>, qoftë kur përkthimin e shoqëron me sinonimin shqip <goetaar‘goetār’ “gojëtar”. Pra, nëse shqiptar te fjalori i da Lecce-s ka këto dy kuptime: 1. kuptimin e mësipërm parlatore – gojëtar, që di të flasë bukur dhe rrjedhshëm… 2. kuptimin etnik që del në parathënie (shqipëtaarit); është e natyrshme të vijmë në përfundimin se në kohën kur shkruante Da Lecce ishte në veprim e sipër një proces rikuptimësimi që do të kish zënë fill së paku qysh nga gjysma e dytë e shek. XIV. Dëshmitë e <Schepuder> (1368), <Scapuder> (1370 e 1402), <Schipudar> (1383, 1392, 1399) që dalin te vëllimi i dytë i Acta et diplomata, na lejojnë të pohojmë se fjala shqip ishte bërë temë fjalëformuese qysh prej një periudhe paraletrare, pra shumë kohë më përpara shek. XVI. Megjithëse na del si mbiemër fisi, struktura e tij formale dëshmon një formim më të vonë se shqip, përmes prapashtesës –tar që, siç dihet, në gjuhën shqipe shërben për të formuar nomina agentis (p.sh. luftë > luftëtargojë > gojëtar).

Për më tepër, këto dëshmi shkojnë në dëm të hipotezës kronologjike sipas së cilës, meqenëse as shqip e as fjalët e prejardhura prej saj – qoftë ato më të vjetra shqiptarShqip(ë)ni/Shqipëri, qoftë më të rejat shqiptojshqiptim, etj. – nuk hasen tek arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë, atëherë shqip do të jetë përhapur vonë. Përkundrazi, dëshmitë që dalin nga Acta et diplomata na bëjnë të pohojmë se shqip, nga njëra anë, e pati pikërisht në viset shqipfolëse veriperëndimore të Ballkanit vatrën e përhapjes dhe, nga ana tjetër, kjo fjalë u shfaq në viset më jugore shqipfolëse vetëm aty nga fundi i shek. XVIII, kur tashmë e kishte kryer procesin e rikuptimësimit në të mirë të vlerës etnike, sikundër dëshmojnë Thunmann-i në vitin 1774 dhe arbëreshi Nicolò Chetta. Ky i fundit jo vetëm që i jepte fjalës shqiptar të njëjtin kuptim që ka sot, por madje përshkruante me hollësi dhe me saktësi të habitshme gjeografike përhapjen e kësaj fjale në viset veriore të Ballkanit. Një e dhënë e tretë që del nga këto dëshmi, ka të bëjë me procesin e rikuptimësimit të fjalës shqiptar: shek. XIV: ?; fundi i shek. XVII: kuptim etnik vs. kuptim joetnik; fundi i shek. XVIII: kuptim etnik.

3.– Në të njëjtat përfundime mund të dalim edhe për sa i përket emrit shqipëni -a, i formuar edhe ky, sikurse emri shqiptar, nga tema shqip përmes prapashtesës -(ë)ni/-(ë)ri, me anë të së cilës formohen edhe sot e gjithë ditën emra abstraktë të cilësisë.

Me sa dihej deri më sot kjo fjalë është dëshmuar për të parën herë me vlerën e etnonimit në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, e cila, sipas Shuteriqit, i përket fundit të shekullit XVIII, pra, pak a shumë së njëjtës periudhë kur fjala shqiptar e kishte marrë përfundimisht statusin e emrit etnik. Ky përkim kuptimor konfirmohet edhe nga zhvillimi semantik që pësuan të dyja fjalët paralelisht në të njëjtën periudhë kohore, çka del qartë nga shqyrtimi i tri dëshmive, të panjohura deri më sot, që përmban fjalori i Da Lecce-s:

[2] f. 66v: creanza ess, -i, -it; schip, -i; schippinij -a-se
[3] f. 210r: reverentia ndere, -ia; schippinij; begani,-a,-se
[4] f. 249r: termine val creanza schippinij; ndere, -ia, -se

Emri abstrakt shqipëni -a dëshmohet për të parën herë me një kuptim të panjohur deri më sot, çka na thotë se, së paku deri në kohën kur shkruante Da Lecce, ky emër kishte kuptimin që në italisht jepet me reverentiatermine creanza, që në shqipen e sotme përmblidhen me ‘mirësjellje’, ‘edukatë’, por jo kuptimin konkret, as gjeografik e as etnik, që ka sot.

Këtë na e konfirmon edhe fakti se Da Lecce, sikurse paraardhësit e tij shqipfolës Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, e përkthen fjalën e italishtes ‘Albania’, jo me etnonimin e sotëm Shqipëri/ Shqipëni, por me ‘Arben, i, it; Arbenij, a, se’ dhe me ‘prei arbenitarbenesce’ (f. 8r), që përkatësisht janë përkthime të zërave “Albania” dhe “d’Albania”.

4.– Interes të veçantë paraqesin marrëdhëniet sinonimike me fjalët nderë dhe begani (prej turq. benğemek), që ndriçojnë më tej strukturën semantike të kësaj njësie leksikore, dhe sidomos, me emrin mashkullor shqip -i [2]. Kjo është e para dhe e vetmja herë kur fjala shqip dëshmohet me vlerë emërore dhe jo ndajfol­jore sikundër del në dokumentet e vjetra. Kjo na lejon të vëmë në dukje se, së pari, shqiptar shqipëni janë formuar nga tema emërore dhe jo, sikurse është besuar gjer më sot, nga ajo ndajfoljore; së dyti, emri shqip në krye të herës nuk e kishte kuptimin gju­ha shqipe që ka sot emri shqipe (në përdorime të tipit: shqipja është gjuhë e vjetër), çka konfirmohet edhe nga fakti se nuk ka marrë prapashtesën ndajfoljore –isht, e cila, përveç se është shumë prodhuese në shqipe, është e vetmja me të cilën shqip­tarët shprehin mënyrën e të folurit, qoftë në gjuhë të huaja (p.sh. gjermanisht ‘në gjuhën gjermane’, latinisht ‘në gjuhën latine’, greqisht ‘në gjuhën greke’, rusisht ‘në gjuhën ruse’ etj.), qoftë edhe në të vetën (së paku deri në shek. XVIII): arbënisht/ arbërisht ‘në gjuhën arbëre’.

5.– Jo më pak interes paraqesin edhe dëshmitë e mëposhtme të fjalorit të Da Lecce-s:

[5] f. 32r bestiale senza ragione stanse, e paa schip
[6] f. 133r impertinente i paa schip
[7] f. 156v malcreato i paa schip
[8] f. 248r temerario: i paa schip
[9] f. 262r villano malcreato horriat, -i, -it, i paa schip.

Nuk ka dyshim se emri shqip, –shërben edhe si temë fjalë­formuese për mbiemrin e nyjshëm femëror në [5] e pā shqip, dhe mashkullor në [6, 7, 8, 9] i pā shqip). Këto formime nga shqip dëshmojnë një proces gramatika­lizimi dhe përshtatjeje morfo-sintaksore që mund të jetë kryer në një periudhë relativisht të gjatë, por, sigurisht, falë intensifikimit të përdorimit dhe përhapjes kohore së kësaj fjale.

6.– Përmbledhtazi mund të themi se Fjalori i Da Lecce-s dëshmon këtë çerdhe leksikore: shqip, i em. – creanza; shqipinī, a, së em. – ‘creanza’ (66v, 249r); ‘reverentia’ (210r); ‘termine’ (249r): del në marrëdhënie sinonimike me: beganīnderë;

shqipëtār em. – ‘parlatore’: del në marrëdhënie sinonimike me goetār (gojëtar);

i pāshqip mb. – ‘bestiale’; ‘senza ragione’ (32r); ‘impertinente’ (130r); ‘malcreato’ (156v, 262r); ‘temerario’ (248r); ‘villano’ (262r): del në marrëdhënie sinonimike me shtansëhorrjat.

Nëse konsiderojmë italishten si metagjuhë shpjegimi seman­tiko-leksikor, mund të rindërtojmë strukturën semantike të këtyre fjalëve ashtu siç dëshmohet nga fjalori i da Lecce-s:

shqip, i em. – 1. mirësjellje, 2. maturi; shqipinī, a, së em. – 1. ndjenjë nderimi a vlerësimi që shfaqim ndaj dikujt a ndaj diçkaje, 2. mirësjellje, 3. maturi; shqipëtār em. – ai që flet bukur e rrjedhshëm, ai që di të flasë mirë, gojëtar, i pāshqip mb. – 1. që ka sjellje të keqe, që sillet keq, i pasjellshëm, pa edukatë, i pamatur, 2. i pagdhendur, 3. që është i hedhur e i rrëmbyer, 4. gojështhurur, harbut. Përbërësit semantikë dominantë të kësaj çerdheje mund t’i ndajmë në dy grupe kryesore, ato që shprehin: veti morale të larta (sjellje e mirë, sjellje e ndershme, maturi, edukatë); aftësi të foluri (bukur e rrjedhshëm).

Në dritën e të dhënave që shqyrtuam më lart nuk na rezulton që elementi fetar të ketë çuar peshë në procesin e zëvendësimit të etnonimit të vjetër arbëresh / arbëresh. Shumë-shumë mund të ketë qenë vetëm një element i dorës së dytë që mund të ketë ndikuar në perceptimin e të huajve, por jo në vetëpërcaktimin e shqiptarëve. Këtë e dëshmojnë edhe kuptimet e mbiemrit i pāshqip dhe, sidomos kuptimet e emrave shqip -ishqipinī -a. Është rasti të kujtojmë se në të njëjtën fushë semantike hyjnë edhe kuptimet e fjalës shqip që janë regjistruar në të folmen e Malësisë së Madhe, botuar në Fjalorin e Gazullit: «shqip-e (M.M.) adj. i thjeshtë, i pastër, pà të shtirun, germ. aufrichtigoffenherzig, it. sincerome zêmër shqipe, lat. sin­cero corde», si edhe në tekstet e vjela ndër shqiptarët e Sllavonisë, botuar nga Dh. Shuteriqi: «Asht i pa shqyp ‘i pamoral, jo i ndershëm’. S’përzihemi me ta se janë të pa shqyp». «Shqiptarët e […] Sllavonisë kanë mbiemrin i pashqyp për ‘i pamoral’, ndofta nga ‘i papastër, jo njeri i qëruar moralisht’». Këto përkime jo vetëm që konfirmojnë dëshmitë e Da Lecce-s, por, meqenëse bëhet fjalë për të folme skajore të zonave konservative gege, na lejojnë të supozojmë se të dyja rastet, sido­mos dëshmia e Shuteriqit, janë vijim i së njëjtës njësi leksikore që dokumentohet në Fjalorin e misionarit italian.

7.– Me shqip dhe shqipëni Da Lecce përkthen fjalët italisht që kanë mes tyre lidhje të forta semantike, qoftë sinonimike qoftë edhe antonimike: nga njëra anë creanzareverentia e nga ana tjetër bestialesenza ragionevillanomal creato. Nëse këtyre u shtojmë sinonimet dhe antonimet shqip shqipëni anderë begani, nga njëra anë, dhe horriat shtansë nga tjetra, vijmë në përfundimin se vlera semantike e dy fjalëve të para i përket suazës dhe statusit shoqëror të individëve, sjellja e të cilëve dallohet nga sjellja tipike e ‘shtazëve’ dhe e ‘horrave’ (nga turq. hor) mbi bazë të të qenit ‘i ndershëm’, ‘i sjellshëm’, e sidomos të qenit ‘të denjë për t’u nderuar’. Shkurt mund të pohojmë se shqip përcakton sta­tusin dhe rolin shoqëror që luajnë individët në gjirin e bashkësisë shoqërore ku bëjnë pjesë. Shqiptari jo më kot është ‘parlatore’, ‘oratore’, gojëtar, pra njeri i gojës, që flet me mjeshtëri; ai është i tillë, pra, shqipëtar, jo vetëm falë kuptueshmërisë së jashtme të kumtit, por mbi të gjitha falë faktit se, duke u shquar për tiparet shoqërore që zumë ngoje më lart, flet me ‘autoritetin’ që i njeh bashkësia ku bën pjesë, i sigurt se mund t’i përfaqësojë interesat brenda dhe jashtë saj. Në këtë mënyrë të qenit shqipëtar do të thotë anëtar me një status të lartë shoqëror dhe institucional bren­da bashkësisë. Kjo shpjegon pse përpara të huajit – fjala vjen, Thunmann-it – shqiptari e quan veten të tillë: ‘unë jam shqiptar’ në emër të popullit tim që ma ka dhënë këtë tagër. E kështu mund të shpjegohet pse gjatë shek. XIV shqiptar u bë mbiemër fisi.