Vallja popullore shqiptare humb një nga protagonistët e saj më të spikatur. U shua sot në moshën 84- vjeçare Besim Zekthi, një nga figurat kryesore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për pothuajse 5 dekada.

Lindur në Tiranë, Zekthi shkëlqeu jo vetëm si valltar, ku me motive si ajo e “Valles së Shqipeve” ka konkurruar edhe në festivale ndërkombëtare,  por edhe si koreograf, ku disa prej krijimeve të tij janë pjesë e pandashme e repertorit të Ansamblit Popullor, ku në veçanti mund të përmenden “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shëngjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle e Kukësit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, etj.

Për kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve Zekthi u dekorua në vitin 2017 nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”.

Pikërisht presidenti Meta ka reaguar në rrjetet sociale, duke evidentuar se “falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi”.