Nga: Emil Lafe

Prof. Eqrem Çabej njihet kryesisht si historian i gjuhës shqipe, por ai ka qenë gjithnjë i lidhur edhe me ecurinë e zhvillimit të shqipes letrare dhe mori pjesë në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme të organizuara nga Instituti i Shkencave (1946–1957) dhe më pas nga Universiteti i Tiranës e nga Akademia e Shkencave për shqipen letrare, sidomos për përpunimin e normës drejtshkrimore dhe të normës letrare në përgjithësi. E. Çabej dha një kontribut të rëndësishëm në përcaktimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes (projektet e viteve 1948, 1951, 1956, 1967). Gjatë diskutimit të projektit drejtshkrimor të vitit 1967 mori pjesë në një numër takimesh me arsimtarë në rrethe të ndryshme të vendit për të njohur drejtpërdrejt mendimet e tyre, që i dëgjonte me vëmendje. Më tej dha një kontribut të cilësuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe në vijim, gjatë gjithë vitit 1973, mori pjesë rregullisht dhe, me vetëdijen e një detyre të lartë shkencore e kombëtare, në mbledhjet e komisionit për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” në pajtim me Rezolutën e Kongresit.

Çabej gjatë gjithë jetës ndoqi nga afër ecurinë e zhvillimit të shqipes letrare, duke vlerësuar arritjet dhe duke u shqetësuar për mangësitë dhe problemet, sidomos për ruajtjen e veçantisë kombëtare të gjuhës sonë. Vlerësonte nevojën e organizimit shtetëror të punës shkencore për gjuhën shqipe, në fillim në Institutin e Shkencave, mandej në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Akademinë e Shkencave. Duke bashkëpunuar me prof. Aleksandër Xhuvanin, për të cilin ruajti gjatë gjithë jetës një nderim të veçantë, vlerësoi punën dhe përpjekjet e pareshtura të kolegut dhe mikut të tij për mbrojtjen e veçantisë kombëtare të gjuhës shqipe dhe për pasurimin e saj. E. Çabej mori pjesë në komisionin e terminologjisë tekniko-shkencore të ngritur në Institutin Shkencave më 1955 dhe ndoshta i përket atij kriteri i ndjekur nga ky komision që të synohej shqipërimi i termave jondërkombëtarë, “duke quajtur ndërkombëtarë ata terma që i kanë të përbashkët jo vetëm dy ose më shumë gjuhë neolatine, por që i kanë edhe gjuhët e tjera” (këtu kihen parasysh në radhë të parë gjermanishtja e rusishtja).[1]

Në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave në shkurt 1979 Eqrem Çabej mbajti referatin “Për pastërtinë e gjuhës”.[2] Duke u nisur nga kjo temë, që përbën një fill të pashkëputur të politikës gjuhësore për shqipen veçanërisht që nga Rilindja e këtej, ai ngre si çështje madhore institucionalizimin e kujdesit të shtetit për mbarëvajtjen e gjuhës. E. Çabej, ashtu edhe si shumë intelektualë të brezit të tij, kishin vlerësim e nderim të veçantë për shtetin si institucion që siguron përparimin e zhvillimin e një vendi në të gjitha fushat dhe që bashkon fuqitë dhe energjitë e popullit për të mirën e përgjithshme. Unë besoj se nuk ishte e rastit që ai zgjodhi ta trajtonte këtë temë pikërisht në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë, ku merrnin pjesë rregullisht edhe përfaqësues të lartë të shtetit. Marrëdhënia e shtetit me shkencën është e dyanshme: shteti i kërkon shkencës të zgjidhë detyra që lidhen me zhvillimin e vendit dhe shkenca i kërkon shtetit përkrahje për detyra të tjera, që i argumenton si të rëndësishme. Në referatin e tij ai pikërisht argumentoi në mënyrë bindëse domosdoshmërinë e kujdesit të drejtpërdrejtë e të përhershëm të shtetit për gjuhën, duke gjetur edhe mënyrën që kërkesa e tij të dëgjohej.

Ishte befasuese për dëgjuesit përmendja e Partisë që në frazën e parë të referatit të tij: “Gjuhësia shqiptare, në këtë periodë kohe qysh prej çlirimit të vendit e këtej, me orientimet largpamëse dhe interesimin e përhershëm të Partisë, ka arritur suksese të shënueshme, mbërritje të rëndësishme në të gjitha degët e fushës gjuhësore. Rezultatet e gjuhësisë shqiptare kanë zënë vend tashmë në gjuhësinë europiane”.[3] Me këtë ai u dha të kuptonin të pranishmëve se nuk do të dëgjonin më tej një referat teknik gjuhësor, po diçka shumë më të rëndësishme. Dhe si akord i dytë madhor në vijim i referatit vjen pohimi i skalitur se: “Gjuha pasqyron një kombësi a komb, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin dhe pastrimin e gjuhës”.[4] Kjo do të thotë se gjendja e gjuhës shqipe është pasqyra e vërtetë e kulturës dhe e kombësisë shqiptare, është fytyra kulturore e shtetit, ajo tregon cilët jemi dhe si jemi. Prandaj kjo çështje meriton gjithë vëmendjen dhe kujdesin e botës akademike dhe të institucioneve shtetërore.

Pasi siguroi kështu vëmendjen e Asamblesë, vijoi shtjellimin e disa ideve të rëndësishme për arritjet në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe dhe për problemet e këtij zhvillimi. Me një mënyrë mjeshtërore ai dha në vijim një vështrim sintetik për përpjekjet e lëvruesve të gjuhës shqipe dhe arritjet e tyre që nga autorët e vjetër e edhe në shek. XX. Dy janë rrugët kryesore që ndoqën ata: e para, marrja e fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor, p.sh. landë/lëndë me kuptim fillestar ‘dru si material ndërtimi’, që mori më pas kuptimet ‘materie’, ‘subjekt’, ‘temë’, ose fjala rrymë ‘rrjedhë e vrullshme e ujit; lëvizje e ajrit’, që e ka zgjeruar sferën e përdorimit me kuptime si rrymë elektrike, rrymë letrare, politike etj. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja sipas analogjisë me fjalë të tjera popullore ose si huazime strukturore (kalke) prej gjuhësh të huaja. Një varg shembujsh të qëmtuar prej tij në shqipen e shkruar që nga autorët e vjetër e deri në shek. XX dëshmojnë interesimin e hershëm të E. Çabejt për të hulumtuar se si gjuha shqipe u ngrit shkallë-shkallë në nivelin e një gjuhe kulture dhe shtetërore. Përfundimi i tij, që vlen të mbahet parasysh përherë, është: ”Gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit, edhe i punës së madhe të brezave të mëparshëm. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari… Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti edhe gjuha popullore”.[5] (f. 41) Dhe si vërtetim i asaj që gjuha, duke përfshirë edhe gjuhën letrare, është një krijim kolektiv, ai vë në dukje ndihmesën e madhe që ka dhënë e po jep për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës “masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme”.[6] (f. 40)

Nga përfundimi se gjuha jonë letrare (e shkrimit dhe e bisedës) “i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve” rrjedh edhe domosdoshmëria e pastërtisë së gjuhës. Ai e përforcon këtë ide me vëzhgimin e drejtë psikolinguistik, se: “fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogji në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.” (f. 45) Duke qenë në këtë konferencë ndërmjet gjermanistëve, unë do të sillja si shembull këtu emërtimet e katër veprimeve elementare të aritmetikës: mbledhje, zbritje, shumëzim, pjesëtim, aq të qarta për nxënësin shqiptar, përballë Addition, Subtraktion, Multiplikation, Divizion, të cilat nxënësit në vendet e gjuhës gjermane janë të detyruar t’i mësojnë si fjalë të huaja, me kuptim të pamotivuar. Do të shtoja këtu edhe një rrethanë tjetër: fjala shqipe ka aftësinë të lëshojë filiza, se është, si të thuash në truallin e vet, ndërsa fjala e huaj është më pak prodhimtare e ndonjëherë mbetet shterpë. Le të përfytyrojmë sikur në vend të fjalëve ndërgjegje (që e kemi prej Kristoforidhit) dhe vetëdije (prej Naimit), të kishim sot në përdorim vetëm fjalë e huaj koshiencë. Do të na mungonin i ndërgjegjshëm, ndërgjegjshmëri, ndërgjegjësohen, ndërgjegjësim; i vetëdijshëm, vetëdijësohem, vetëdijësim etj.!

Me urtësinë e moshës dhe përvojën e punës në komisionin e terminologjisë E. Çabej e shikon me sy objektiv e të matur veprimtarinë për pastërtinë e gjuhës, duke pranuar qëndrime të diferencuara, p.sh. për një pjesë të madhe të terminologjisë së shkencave natyrore e mjekësore, që përdoret përbrenda specialitetit, shqipërimi i termave do të jetë më i kufizuar. Një rëndësi më të madhe merr ndërkaq problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë.

Pas këtij shtjellimi vjen kërkesa themelore e tij: shteti të marrë në dorë drejtpërdrejt veprimtarinë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës. Ja fjalët e tij:

“Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos edhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këtë punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe pasurimit të gjuhës letrare dhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrim jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.”

“Fjalët e vendit dhe termat që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj, do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës.[7] Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombit tonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj. Po t’i përvishemi punës që në fillim ashtu si duhet, kemi bindjen se nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha edhe kësaj detyre do t’ia dalim mbanë.”

Siç e përmenda, referati i tij niste me përmendjen e Partisë dhe mbyllet përsëri me përmendjen e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha. Sot shumëkujt mund të mos i bjerë mirë në vesh kur e dëgjon. Por duhet të kemi parasysh kohën dhe rrethanat. Në një regjim totalitar për të arritur qëllimin duhet të bësh për vete kreun e shtetit. Këtë E. Çabej e kishte kuptuar prej vitesh. Një rast që e përforcoi ishte përpjekja e prof. Sotir Papahristos, filolog klasik (të cilin e kishte ndër njerëzit më të respektuar), për të hapur në Tiranë një lice ku të mësoheshin gjuhët klasike. Ai kishte bërë ndonjë përçapje për këtë në Ministrinë e Arsimit, por pa sukses. Vinte herë pas here në zyrën tonë për të takuar miqtë e vjetër E. Çabej dhe M. Domi dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre. Një ditë, sa hyri në zyrë, pas përshëndetjes së zakonshme me ndonjë thënie nga shkrimtarët e lashtë grekë, tha: “Do të bëhet ajo!” E. Çabej, që i dhimbsej çdo minutë kohë, hoqi syzet e punës dhe e ftoi mikun e tij ta shpjegonte më të plotë lajmin e mirë.

Sotir Papahristoja (1887–1979), gjatë kohës kur kishte shërbyer si drejtor administrativ në Liceun Francez të Korçës, kishte pasur nxënës Enver Hoxhën dhe gjatë kohës kur ishte drejtor i Institutit Femnor “Nana Mbretneshë” kishte pasur nxënëse Nexhmije Xhuglinin. Kështu e kishte derën të hapur në atë shtëpi. Shkoi dhe i bindi që shkenca dhe kultura në Shqipëri kanë nevojë për njerëz të rinj që të zotërojnë mirë gjuhët klasike. Kështu “me porosi nga lart” në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja (sot “Asim Vokshi”) u hap në vitin shkollor 1965 një degë e gjuhëve klasike, pa të cilën sot nuk do të kishim prodhimin shkencor dhe letrar të Pëllumb Xhufit, Shpëtim Çuçkës, Pranvera Bogdanit (Novi), Nermin Bashës, Eliana Paços etj. Kjo i detyrohet largpamjes dhe këmbënguljes së prof. Sotir Papahristos.[8]

Komenti i E. Çabejt pas këtij lajmi ishte: “Në Shqipëri njerëzit e vegjël kanë vullnet të mirë, po nuk kanë gjë në dorë. Ata nalt i kuptojnë drejt problemet, po nuk mund të shkojë njeriu e t’i shqetësojë për gjithfarë hallesh që mund të ketë. Gjithë punët këtu i ngatërrojnë njerëzit e mesëm. Kështu ka qenë edhe më përpara”![9] Këta njerëz të mesëm, që kishin në dorë të bënin diçka, E. Çabej i ndante në dy kategori: një palë që thoshin pse të bëhet? dhe një palë vullnetmirë që thoshin pse të mos bëhet?

Kjo ndodhi m’u kujtua në vitin 1988, kur ndodhesha me kolegun tim të ndjerë Ali Dhrimo në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Bonnit. Një ditë u njoftuam se ambasadori i parë i RFGJ në Shqipëri, Friedrich Kroneck do të mbante një konferencë për përshtypjet e tij pas disa muajsh detyrë në Shqipëri. Ndër gjërat që i kishin bërë më fort përshtypje, ai përmendi se në Shqipëri edhe për gjërat më të vogla, duhet t’u drejtohesh instancave më të larta. Sipas tij, meqë Shqipëria është një vend i vogël, instancat e larta nuk kanë me se ta mbushin ditën dhe merren edhe me çështje të dorës së dytë, që mund t’i zgjidhin të tjerët. E vërteta ka të bëjë me natyrën totalitare të regjimit të atëhershëm, që i përqendronte të gjitha kompetencat në instancat më të larta, siç e dinë mirë të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë.[10]

Për të arritur atë që kërkonte, E. Çabej e hapi dhe e mbylli referatin e tij në mënyrën që përmenda. Por këtu dua të shtoj se ai ka qenë krejt i sinqertë në ato që tha. E. Çabej i vlerësonte arritjet e asaj kohe në shumë fusha të ekonomisë dhe të kulturës. Përveç kësaj, Enver Hoxha në fjalën me intelektualët mbajtur në Universitetin e Tiranës në shtator 1961 kishte përmendur se Eqrem Çabej nuk e mori baltën e atdheut në thembrat e këpucëve, po u kthye në atdhe nga Italia, ku kishte qëndruar nga viti 1940 deri në gusht 1944.[11] Më 1972, me rastin e themelimit të Akademisë së Shkencave, Enver Hoxha kishte caktuar si kryetar prof. Aleks Budën, ndërsa Eqrem Çabej u ngarkua të mbante fjalën e hapjes si më i moshuari ndër akademikët – të dy me studime universitare në Vjenë.[12]

Zv.kryeministri i asaj kohe, Manush Myftiu, e dëgjoi me shumë vëmendje fjalën e E. Çabejt dhe mbajti shënime, të cilat i përcolli më lart dhe kështu, me propozim të Akademisë së Shkencave më 7 prill 1979 doli vendimi i Këshillit të Ministrave “Për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”.[13] Ky vendim i qeverisë, pas atij të vitit 1974,[14] vuri në lëvizje gjithë institucionet shkencore dhe aparatin e shtetit për një kujdes më të madh dhe të përgjithshëm në përdorimin e shqipes letrare, në pasurimin e saj me fjalë të reja dhe në mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Revista “Gjuha jonë” e themeluar më 1981 (por e mbyllur më 2009), pati një rol aktiv në këtë veprimtari. Në pajtim me vendimin e mësipërm Komisioni i përhershëm gjatë veprimtarisë së tij dhjetëvjeçare caktoi një numër temash për shqyrtim dhe ngarkoi grupe pune të posaçme për të studiuar në thellësi çështjet përkatëse dhe për të përgatitur parashtresa studimore. U morën në shqyrtim ndër të tjera: gjuha e shtypit dhe e radiotelevizionit (dy herë); gjuha e teatrit dhe e kinematografisë; gjendja e gjuhës në letërsinë artistike; ligjërimi i shkruar e i folur në Universitetin e Tiranës; gjendja e teksteve të shkollës 8-vjeçare etj. Në të gjitha diskutimet rreth materialeve të përmendura më sipër, të punuara nga grupe pune të posaçme, Komisioni përcaktonte detyra e masa për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse.[15]

Idetë dhe porositë e prof. E. Çabejt për ta vënë gjuhësinë tonë në lidhje të drejtpërdrejta me shtetin, për të ndjekur një politikë gjuhësore aktive shtetërore në fushën e pastërtisë së gjuhës dhe të pasurimit e zhvillimit të saj janë udhërrëfyese dhe frymëzuese për kohën tonë. Siç dihet, shteti shqiptar ka detyrim kushtetues[16] të kujdeset për gjuhën shqipe dhe është e nevojshme të veprohet pa vonesë në këtë drejtim. Shkenca dhe shteti duhet të bashkëpunojnë. Në mënyrë të figurshme shkenca (në këtë rast gjuhësia) mund të quhet “pushteti legjislativ”, por dihet mirëfilli se pa pushtetin ekzekutiv, legjislacioni gjuhësor mbetet në letër. Kush do t’i detyrojë shtëpitë botuese dhe organet e shtypit që çdo libër dhe çdo gazetë e shtypur të kalojë nga duart e një redaktori letrar? Kush do ta bëjë të detyrueshme që disertacionet e doktoratës të kenë edhe ato një redaktor letrar, nëse nuk e merr vetë autori përgjegjësinë? Kush do t’i detyrojë nëpunësit e gjendjes civile t’i shkruajnë siç duhet emrat në regjistrin përkatës e jo dikush Eduard, Gazmend, Liliana e dikush Eduart, Gazment, Liljana? Kush do të kujdeset për higjienën gjuhësore të qyteteve tona dhe t’i detyrojë bashkitë që të pastrojnë tabelat dhe mbishkrimet me fjalë të shëmtuara si karrotrec, markatë, siguracion? A do të quhen të gjitha lokalet e berberëve në Shqipëri Barber shop? Kush do t’i detyrojë firmat prodhuese që të zbatojnë rregullat e drejtshkrimit dhe jo njëra Qafëmali e tjetra Qafshtama? Kush do të japë urdhër që të hartohet regjistri normativ i emërtimeve të qendrave të banuara (qytete e fshatra) si dokument shtetëror (mungon një i tillë) dhe të ndreqen gabimet e sotme?[17] Kush do të ndërhyjë që në tabelat e Rrugës së Kombit të shkruhet Morin dhe jo Morinë (Morina është në rrethin e Tropojës), ose të shkruhet Yzberish e jo Yzberisht e plot të tjera si këto? Shqipëria dhe Kosova kanë secila Këshillin e Sigurisë, nga ana tjetër kemi Këshillin e Sigurimit (të OKB). Ç’hyn sigurimi këtu? Pse duhet të kemi dy fjalë për të njëjtën gjë kur gjuhët e tjera kanë vetën një fjalë: Security Council, Conseil de sécurité, Совет безопасности, Consejo de seguridad, Consiglio di Sigurezza, Sicherheitsrat etj. Sigurimi është insurance, jo security. A nuk nduhet një instancë e posaçme shtetërore për të ndrequar shtrembërime të tilla? Nuk duhet të pajtohemi me mendimin se kështu ka hyrë në përdorim, siç thonë disa që ngatërrojnë sesionin me sezonin dhe shpallin sezonin e provimeve (!) në fakultete të ndryshme. Në cilën gjuhë thuhet sezon provimesh? A ka nevojë gjuha shqipe për fjalë si karikoj, karikim, karikues, kur në shkollë nxënësit mësojnë për ngarkesa dhe shkarkesa elektrike, për akumulatorë dhe bateri të tjera që ngarkohen e shkarkohen gjatë punës? Le të kemi parasysh përcaktimin e prof. E. Çabejt: “Gjuha pasqyron një kombësi a komb, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj.” A do ta pranojmë që të kemi një pasqyrë të tillë ku të na vijë turp të shihemi? Të gjitha këto çojnë në një përfundim: gjuha është drejtpërdrejt përgjegjësi dhe detyrë e shtetit. Shteti duhet të ketë domosdo një kuadër ligjor për këtë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta.

Përveç detyrave tona të brendshme sot shtrohet si domosdoshmëri bashkëpunimi me Kosovën në nivel shtetëror, në radhë të parë për terminologjinë. Më se një herë janë vënë në dukje mospajtime në terminologji ndërmjet kodeve, akteve ligjore dhe praktikave ndërmjet dy vendeve. Më qartë se kushdo këtë e ka përcaktuar akad. Esat Stavileci me fjalët: “Kam krahasuar praktikat në Shqipëri e në Kosovë në fushën e terminologjisë administrative dhe kam vënë re një shkallë relativisht të lartë mosnjësimi. Ka përdorim të ndryshëm termash të njëjtë, pra, ka dhënie kuptimi të ndryshëm atyre termave, ka përdorim të gabuar të termave administrativë për shkak të shkallës së ultë të njohjes së problemeve dhe të çështjeve administrative, ka përdorim selektiv të termave, po sikurse që ka edhe përdorim joadekuat të termave. Shkalla e mosnjësimit ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit, edhe pse përdoret një gjuhë e një fjalor”.[18] Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavarura, secili me veçoritë e veta dhe natyrisht legjislacioni dhe kodet juridike nuk mund të jenë të njëjta, por gjithsesi terminologjia e tyre duhet të jetë e njëjtë, nuk mund të lejohet që të kemi terma të ndryshëm për të njëjtën gjë, ashtu siç ndodh sot, p.sh. në Kodin e qarkullimit rrugor e në kode të tjera.

***

Pesëdhjetë vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, që miratoi normën letrare të njësuar në fushën drejtshkrimore e gramatikore, sot shtrohet si detyrë e ngutshme dhe e dorës së parë njësimi dhe shqipërimi i mëtejshëm i terminologjisë tekniko-shkencore të gjuhës shqipe. Ngadalësia, spontaneiteti ose lënia pas dore në këtë fushë vështirëson dhe rrezikon zhvillimin e rregullt të shqipes standarde në të gjithë hapësirën e zbatimit të saj: Shqipëri, Kosovë, RMV e më gjerë.

Ndonëse terminologjia vështrohet si degë e gjuhësisë, puna konkrete për standardizimin e kodifikimin e saj kërkon detyrimisht përfshirjen e specialistëve të fushave të ndryshme të veprimtarisë shtetërore e tekniko-shkencore dhe miratimin zyrtar për zbatim nga autoriteti shtetëror. Unë kam bindjen se terminologjia, si veprimtari kodifikuese e standardizuese, del jashtë natyrës së punës së institucioneve kërkimore-shkencore albanologjike. Në rrethanat e sotme si zgjidhja më e përshtatshme për një punë të frytshme dhe efektive mendoj se shtrohet krijimi i një organizmi shtetëror, që mund të quhej Komiteti Kombëtar për Terminologjinë Shqipe, i cili do të funksiononte pranë qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke u përfaqësuar në të edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe në RMV. Ky Komitet do të hartonte një plan pune të përgjithshëm, duke parashikuar ngritjen e një vargu komisionesh të përbëra nga specialistë të fushave të ndryshme dhe nga gjuhëtarë, me detyrën për: a) evidentimin e dallimeve terminologjike; b) diskutimin e terminologjive në tërësi me synim njësimin ose përafrimin sa më shumë të tyre, c) shqipërimin e termave të huaj, kur kjo është e mundshme dhe e pranueshme si për gjuhëtarët, ashtu edhe për specialistët e fushës. Unë shpreh kënaqësinë që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i UT (me rastin e Konferencës për terminologjinë e fushave humane, 11.05.2023) dhe Instituti Alb-Shkenca në Takimin XVIII vjetor (Prishtinë, 13–14.10.2023) e përkrahën idenë e një Komiteti Kombëtar për Terminologjinë dhe me rrugë zyrtare ia kanë dërguar propozimin qeverisë.

Sot Eqrem Çabej nuk është më. Por ai na ka lënë dijen dhe mendimin e tij, atdhetarinë e tij, vullnetin e tij, ndjenjën e lartë të përgjegjësisë shkencore dhe qytetare ndaj gjuhës shqipe. Me këtë mision ai qëndron përpara hyrjes së Akademisë. Kujtimi i Eqrem Çabejt le të jetë nxitje për veprim të vendosur, për të dalë nga mefshtësia, në radhë të parë të gjithë ne që punojmë në fushën e gjuhësisë. Sot opinioni intelektual dhe shoqëror kanë një forcë të madhe ndikuese. Populli i thjeshtë i përkrah me gjithë zemër ata që dalin në mbrojtje të bukurisë e të veçantisë kombëtare të gjuhës shqipe, ata që kërkojnë një disiplinë të nevojshme gjuhësore në veprimtarinë e shtetit, ata që që shkruajnë e flasin kundër shtrembërimeve e gabimeve në gjuhën e shkruar e të folur të përdorimit publik.

Le të ngremë zërin që të ringjallet revista “Gjuha jonë” si tribunë shkencore e kulturës së gjuhës shqipe, e mbrojtjes së saj nga shtrembërimet, nga shpërdorimet, nga ndikimet e dëmshme të gjuhëve të huaja, ashtu siç e kishte menduar nismëtari i saj, Eqrem Çabej. Le të dalim më shumë në media e në rrjetet sociale për çështje të tilla, por në radhë të parë, le të jemi kërkues, këmbëngulës e të përgjegjshëm që të diplomuarit në fakultetet filologjike të Universitetit të Tiranës të zotërojnë mirë bazat e normës së sotme letrare të gjuhës shqipe dhe që kultura gjuhësore në Universitetet shqiptare në përgjithësi të jetë në lartësinë që e kërkon koha e sotme. /Gazeta “Dita”/

___________________

[1] Këtë kriter të shpallur në parathënien e fjalorit të terminologjisë së botanikës, ai e ka rimarrë në referatin “Për pastërtinë e gjuhës” (botimi te Gjuha jonë f. 44).

[2] Botuar së pari te gazeta “Mësuesi” 28 mars dhe 4 prill 1979, ribotuar te numri i parë i revistës Gjuha jonë (1981, 1, f. 36–47).

[3] E. Çabej e kishte përmendur edhe një herë më parë Partinë dhe Enver Hoxhën në fjalën e tij të falënderimit në mbledhjen jubilare me rastin 70-vjetorit të tij, ku tha: “Mirënjohja ime shkon në radhë të parë ndaj PPSH, e cila me dorë të sigurt e me sy largpamës hapi shtigje të reja në vendin tonë edhe në lëmin e dijes e të kulturës…. Partia e Punës e Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë udhëheqësi i madh i saj , shoku Enver Hoxha, i kanë kushtuar vëmendje të pandërprerë vënies së studimeve shqiptare në udhë të drejtë dhe kanë krijuar kushtet për mbarëvajtjen e tyre. Shoku Enver që n[ fillim u ka treguar rrugën këtyre studimeve; udhëzimet e tij largpamëse kanë qenë drejtimdhënëse” (Studime filologjike 1979, 1, f. 200).

[4] Në njëfarë mase kjo frazë më tingëllon si një reminishencë e frazës së parë të punimit të Norbert Joklit “Naim Frashëri dhe pasurimi i gjuhës shqipe” (1925): “Historia e gjuhëve të kulturuara na mëson prej shumë shembujsh që ka periudha kur pasurimi i fjalorit është i nevojshëm. Në historinë e çdo populli ka ndërrime udhësh, kur pas një gjumi shumë të gjatë ai popull zgjohet përsëri për të gëzuar një jetë të re mendore.” (Gjuha jonë 20/2000, 3–4, 34–46).

[5] Po përmend këtu p.sh. se fjala pushtetar, në dukje krijim i viteve të demokracisë, e përfshirë për herë të parë në “Fjalor i gjuhës shqipe” (2006), del që në vitin 1908 te Kalendari kombiar (fq. 4) me të njëjtin kuptim. Prandaj prof. E. Çabej ka pasur plotësisht të drejtë kur kërkonte atë që mund ta quajmë “ndërtimi i biografisë së fjalëve të leksikut dituror”.

[6] Si krijime të tilla ai përmend: anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje, halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjesëtim, shpim, tokëzim, tregues, vendburim etj.

[7] E. Çabej ndjek në këtë mënyrë hullinë e çelur nga rilindësit dhe formulimi i tij të kujton shkrimet e tyre për këtë temë. N. Veqilharxhi, nismëtari dorëmbarë i programit për pastërtinë e gjuhës, e përcakton kështu detyrën e tij: “e para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë; dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë.” (Ëvetari 1845, fq. 7). Gjashtëdhjetë vjet pas N. Veqilharxhit L. Gurakuqi shkruante se fjalët dhe termat që nuk janë ndërkombëtarë (shumica me burim prej gjuhëve klasike) do t’i formojmë vetë prej rrënjëve shqipe, duke ndjekur ato metoda sipas të cilave janë formuar fjalët e prejardhura që përdoren prej kohësh në gjuhën tonë. “Këto fjalë e terma për t’parën herë mund të duken si t’vështirshmë e mund t’mos pëlqehen aq fort, por me kohë përdorimi i përditshmë ka për t’iu ndrrue pak ka pak fytyrën e ka për t’iau fitue kombësinë shqipe sikur iau fitoi edhe sa e sa tjerëve.” (Lekë Gruda, Vargënimi n’gjuhë shqype, Napoli (1906), f. 14).

[8] Është për të ardhur keq që dega e gjuhëve klasike në shkollën e mesme “Asim Vokshi” nuk vijoi më tej. Studimet albanologjike dhe kultura shqiptare në përgjithësi kanë pasur dhe kanë shumë nevojë për njohës të mirë të gjuhëve klasike. Por sot mungon një Sotir Papahristo, që pa asnjë interes vetjak, të trokasë derë më derë për të bindur ata që e kanë për detyrë shtetërore të parashikojnë e të mendojnë drejt për nevojat kulturore të vendit.

[9] Edhe vetë E. Çabej pas kthimit nga studimet universitare kishte pasur jo pak peripeci me “njerëzit e mesëm” të administratës së shtetit (shih për këto: Shaban Demiraj, “Eqrem Çabej. Një jetë kushtuar shkencës”. Tiranë, 1990, f. 18–24).

[10] Prandaj duhet t’i kuptojmë drejt lavdërimet e rilindësve për sulltan Abdyl Hamitin II, i cili lejoi themelimin e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip (1879) dhe hapjen e Mësonjëtores Shqipe të Korçës. Autorët e “Allfabetares” së Stambollit i dhuruan Sulltanit një kopje të posaçme të këtij libri me kushtimin “Madhërisë Ti, Zotit Math dhe mbretit dashurë T’Ynë Sultan Abd-Yl Hamid-Hanit II”.

Në këtë “Allfabetare”, te pjesa “Gjuha shqip”, Sami Frashëri ka shkruar: “Të shkruarët’ e gjuhësë shqip u bë në kohë të mbretërisë të zotit tënë të math, Sultan Abd-yl-Hamidit të dytë, që Perëndija I njgjattë jetën’ e I shtoftë ditët! Si gjithë kombetë që rrojënë nënë hijet të madhërisë Ti, kshu edhe Shqipëtarëtë zunë, të ecinë përpara, e të ndritonenë me shkronja e me dituri, edhe do të mbajënë mënt gjithë jetën’ e jetësë emërin’ e ati Mbëretit të math, q’i deshi kaqë, e u bëri gjithë këtë të mirë të madhe. Gjithë Shqipëtarëtë do t’ i lutenë Perëndisë dit’ e natë për zon’ e tyre edhe bërëmirësin’ e tyre, mbëren’ e tyre të dashur’ e të vjejturë: Sultan Abd-yl-Hamid-Han’ e dytë! (Allfabetare e Guhësë Shqip. Ndë Konstandinupojë mbë 1879, f. 32–33). Por me gjithë këto lavdërime administrata osmane pas një viti nuk ngurroi ta mbyllte veprimtarinë e Shoqërisë, e cila u detyrua të kalojë në ilegalitet dhe ta shpërngulë veprimtarinë e saj kryesisht në degën e Bukureshtit.

Te vjersha e mirënjohur “Korça” e N. Frashërit, që i kushtohet hapjes së Mësonjëtores, dy strofat e fundit përmbajnë lavdërime për Sulltanin:

Edhe Sulltanit të mirë
Mbretit t’ math q’e kemi atë
Dhe ka për neve mëshirë
E përpiqet dit’ e natë,
Zoti jet’ e dit i dhëntë,
Dhe qëllimet ja mbaroftë,
Me nder përmi front e lëntë,
Dhe gjithënjë e gëzoftë.

Kuptohet se në botimet për publikun e gjerë këto lëvdata nuk janë të nevojshme, por në botimet akademike ato duhet të riprodhohen të plota e të arsyetohen, jo të censurohen si deri tani. Historia duhet njohur ashtu siç ka rrjedhur në të vërtetë dhe duhet shpjeguar. Lavdërime për Sulltan Abdyl Hamitin ndeshen aty-këtu në shtypin e Rilindjes, shih p.sh. te Kalendari kombiar 1897, fq. 27; 1898, fq. 31; 1900, fq. 2; 1901, fq. 2; 1908, fq. 4; po ashtu te Vjershëshkresëtoreja” e P. H. Harallambit, Sofje, 1899, fq. 12. Këto dhe të tjera mund të jenë temë e ndonjë punimi hulumtues për motivet dhe rrethanat e hartimit.

[11] Atëherë ishin të shumtë ata që erdhën në zyrë ta uronin për këtë vlerësim, që e ngriti ndjeshëm statusin e tij social në Institut.

[12] Për marrëdhëniet ndërmjet Enver Hoxhës dhe Eqrem Çabejt shih edhe:

https://argjirolajm.net/zbulohet-letra-e-enver-hoxhes-eqrem-cabej-te-mos-dale-me-jashte-shtetit-e-ka-tepruar/

http://www.panorama.com.al/intervista-flet-e-bija-raportet-e-eqerem-cabejt-me-enver-hoxhen-pse-i-shpetoi-ndeshkimit/

[13] Vendimi ka këtë përmbajtje:

Vendim Nr. 82, datë 7.4.1979

“Për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”

Me propozimin e Akademisë së Shkencave, Kryesia e Këshillit të Ministrave

vendosi:

Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.

Komisioni të ketë këto detyra kryesore:

– Të organizojë e të drejtojë punën për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë amtare në të gjitha fushat dhe të kujdeset që të njihen nga masat e gjera dhe të vihen në jetë përfundimet e kërkimeve dhe të studimeve në këto fusha.

– Të bashkërendojë e të kontrollojë punën për shqipërimin e njësimin e mëtejshëm të terminologjisë tekniko-shkencore dhe për zbatimin e saj nga të gjithë.

– Të kujdeset për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare në pajtim dhe me detyrat që shtron vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 50, datë 8.3.1974.

Komisioni të hartojë platformën që do të shërbejë si bazë për këtë veprimtari dhe një plan pune me afat të gjatë.

Akademia e Shkencave, ministritë dhe institucionet e tjera kërkimore-shkencore, Universiteti i Tiranës dhe të gjitha shkollat e vendit tonë të përfshijnë kryerjen e detyrave që u dalin në këtë fushë në planet e tyre vjetore dhe të ngarkojnë për këtë njerëzit më të aftë e më të përgatitur.

Për të trajtuar çështjet e pastrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe, të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkencave.

Zv.kryetari i parë i Këshillit të Ministrave

(Adil Çarçani) d.v.

[14] Vendim nr. 50, dt. 8.3.1974 “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (shih Studime filologjike 1974, nr. 2, fq. 3–6).

[15] Më poshtë vijon një pasqyrë kronologjike më e plotë e veprimtarisë së Komisionit:

1981: 1) U miratua platforma për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. 2) U përcaktuan disa detyra për ministritë, institucionet e tjera qendrore dhe komitetet ekzekutive të rretheve. 3) U ngritën grupet e punës për probleme të veçanta. (Shih rev. Gjuha jonë 1981, 1, 13–17).

1982: U shqyrtuan parashtresat: a) Shqipërimi, njësimi dhe përpunimi i mëtejshëm i terminologjisë tekniko-shkencore; b) Aksioni i madh kombëtar për mbledhjen e fjalëve e të shprehjeve popullore; c) U miratua Platforma e Konferencës Kombëtare me temë “Gjuha letrare kombëtare shqipe në shoqërinë tonë socialiste”; ç) U shqyrtua parashtresa “Për përmirësimin e mëtejshëm të gjuhës në shtyp dhe në Radiotelevizion. (Shih rev. Gjuha jonë 1982, 2, 5–22).

1983: U shqyrtua parashtresa “Gjendja e sotme e gjuhës në skenë e në ekran dhe detyrat për ta përmirësuar atë. (Shih rev. Gjuha jonë 1983, 1, 21–27); 2) U shqyrtua parashtresat: a) Aksioni kombëtar për mbledhjen e fjalëve dhe të shprehjeve popullore; b) Shqipërimi, njësimi dhe përpunimi i mëtejshëm i terminologjisë së shkencave shoqërore; c) Gjendja e gjuhës në letërsinë artistike. (Shih rev. Gjuha jonë 1983, 1, 5–12).

1984: U shqyrtua parashtresa “Veprimtarinë e revistës “Gjuha jonë” dhe çështje të tjera të rëndësishme” (a. Detyrat e komiteteve ekzekutive të rretheve për zbatimin e drejtshkrimit dhe pastrimin e pasurimin e gjuhës shqipe; b. Përgatitja e një broshure me fjalë të huaja të shqipëruara) (Shih rev. Gjuha jonë 1984, 1, 5–16).

1986: U shqyrtua parashtresa “Ligjërimi i shkruar dhe i folur në veprimtarinë e Universitetit “Enver Hoxha”. (Shih rev. Gjuha jonë 1986, 3, 5–14).

1987: U shqyrtua parashtresa “Të përsosim më tej gjuhën e teksteve të shkollës 8-vjeçare (kl. I-IV). (Shih rev. Gjuha jonë 1987, 3, 5–23).

1989: U shqyrtua parashtresa “Gjuha e radios dhe televizionit shqiptar”. (Shih rev. Gjuha jonë 1989, 1, 5–11).

[16] Në nenin 59, shkronja g, të Kushtetutës përcaktohet: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si edhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: … mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”.

[17] Ndarja Administrative e Republikës së Shqipërisë, që e boton Ministria e Punëve të Brendshme, vërtet përmban emërtimet e gjithë qyteteve dhe fshatrave të vendit, por qëllimi i atij materiali është të përcaktojë qarqet, qytetet, bashkitë dhe fshatrat përkatëse, pa asnjë kriter gjuhësor: emërtimet herë jepen në trajtën e shquar, herë në të pashquarën, në disa raste emrat e gjinisë femërore janë shkruar pa -ë në fund (si të ishin mashkullorë), p.sh. Perisnak, Posten, Prec, Rubjek etj. (në vend të Perisnakë, Postenë, Preçë, Rubjekë) ose e kundërta, p.sh. Larushkë, Strorë etj. (në vend të Larushk, Stror); gabime të shumta ka në përdorimin e shkronjave ë dhe ç; veç kësaj është e papërligjur që të ketë emërtime qendrash të banuara si Frutikulturë, Hidrovor e ndonjë tjetër si këto (Nga je? – Jam nga Frutikultura ose nga Hidrovori!).

[18] Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe – probleme e detyra (konferencë shkencore). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Tiranë, 2009, fq. 81.