-Një iniciativë para disa vitesh është ngritur në Ministrinë e Kulturës, e cila ka sugjeruar që me këtë çështje të merret komuna e Sarajit, por për shkaqe objektive, nuk është konkretizuar asgjë deri tash

(Reportazh i ekipit gazetaresk të portalit arsalbanika.mk)

U nisëm për Bojanë, në një piknik me miqtë e atjeshëm, e përfunduam në Kopanicën fqinje. Në të dale të katundit, ku na priste publicisti dhe shkrimtari Daut Dauti, në vend se të ndaleshim, prej veturës së tij mbi Çeshmën Qakë, na dha shenjë ta përcjellim. Ku po na çonte kështu?

Vetëm pas tri kilometrash, kthyen në rrugën që çonte për hyrje të Kopanicës dhe pas nja dyqind metrash vetura e tij u ndal. Ishte momenti kur ai na tha: Do të shihni diçka që s’e keni parë!

Dhe vërtetë, menjëherë nën rrugë, majtas, del një ndërtesë që mund ta kishim parë nga ato kullat e Deçanit ose Pejës, por me stil më të përafërt me ato monumentet e kulturës gjithandej Ohrit. Një shtëpi e ndërtuar me gurë dhe llaç të bardhë, me dritare druri jo shumë të mëdha, dhe sa më shumë i afrohemi, aq më imponzante duket. Në pjesën e poshtme, i ngjan edhe më shumë kullës shqiptare, në pjesën e epërme atyre objekteve të vjetra të Ohrit. Një kombinim i rastësishëm, për të bashkuar stile e hapësira të ndryshme, në një vend të tretë, pra, në Kopanicën e Shkupit.

Befasia tjetër është kur i afrohemi portës së shtëpisë. Prej saj del pronari, një burrë që tashmë i ka kaluar 80-tat, por që është jotipik për një banor katundi. Sikur të ketë humbur me ndonjë rastësi këtu. Duket si një roker i plakur, një kombinim i Kit Riçardsit me Mik Xhigerin, me flokë të thinjura por të gjata, për të treguar se ai nuk don të plaket, ose se në shpirt ka mbetur një aventurier i dikurshëm i rinisë që e ka kaluar nëpër Evropë. Plejboj i vërtetë! Edhe këmishën që kishte veshur, ishte i stilit të viteve 70-të, ose kushedi kur.

-Mirë se vini, -na drejtohet me buzëqeshje, me gjasë duke na pritur, sepse Dauti e kishte paralajmëruar më parë se do të shkonim për vizitë. Përshëndetemi me të dhe hyjmë brenda. Çka të shohim! Ne nuk hyjmë në një shtëpi të rëndomtë, por në një muze të vërtetë me dhjetëra e qindra gjësende të vjetra të mbledhura kushedi se nga dhe të renditura me shumë kujdes anekënd shtëpisë. Në “dhomën” e parë, që nuk është dhomë, por një paradhomë e madhe me një pus në mes, ke gjithçka që të kujton të kaluarën e jetës në katund: që nga parmendat, saçet, drapërinjtë, kosat, sëpatat, shosha, qerret e vjetra, e deri te “makina” për shirje të grurit, diçka që kaherë ka shkuar në histori prej se kanë dalë kombajnat. Në këtë paradhomë përveç veglave e orendive të kësaj ane, shohim dhe  që u përkasin luftërave që janë bërë në këto hapësira, prej mitralozëve të parë, topave, e ndonjë mauzeri, helmeta ushtarësh të rënë e çkamos tjetër. Habia jonë vazhdon edhe në dhomat tjera që i shëtisim me radhë, aty ku Setulla Demiri jeton i vetmuar, por i rrethuar gjithandej me eksponate të rralla të cilat ai i ka siguruar me vite, për ta krijuar këtë ambient që i ka dhënë kuptim jetës së tij.

Sikundër gjithçka që është e veçantë në shtëpinë e Setulla Demirit, i veçantë është edhe ai vetë. Ai si i ri ka ikur në Gjermani në vitin 1968, në valën e punësimeve masive të qytetarëve të Jugosllavisë së Titos, ku do të mbetet për të punuar afro katër dekada. Por ai nuk është si shumica e atyre që ikën për pak vite e mbetën përgjithmonë, ai gjithnjë e kishte pasur në mendje kthimin. Mu për këtë, në vitet e fundit të punës së tij, para pensionit,  nis ndërtimin e kësaj shtëpie në vendlindjen e tij, ku mendonte t’i kalojë vitet e pensionit.

Por ai nuk nis të ndërtojë një shtëpi të rëndomtë, por diçka të veçantë, të tillë çfarë kishte parë gjithandej nga kishte ecur e shëtitur, që nga kështjellat e aristokracisë gjermane, e gjer te kullat shqiptare. Ashtu dhe i ka dalë në fund shtëpia e tij, diçka në stilin tradicional shqiptar, diçka nga Evropa.

-Çdo verë vija në Kopanicë dhe ndërtoja pak nga pak. Kam kërkuar gurë rreth e rrotull katundeve të Dërvenit dhe gjithë punën e kanë kryer mjeshtrit e vendit. Por mjaft punë kam kryer edhe vetë. Më shumë se dhjetë vjet më ka marrë ndërtimi gjersa është bërë kështu si është. Por unë nuk kam pushuar as sot të bëj diçka të vogël rreth shtëpisë. Tash më shumë jam përqendruar se si të mbledh më shumë gjësende të vjetra. – thotë Setulla Demiri.

Një nga hapësirat ku duket se punët nuk kanë përfunduar, do të ishte dhoma e madhe për mysafirë, në katin e dytë, të cilën mjeshtrit ia kanë lënë përgjysmë sepse nuk kanë mundur t’i përcjellin idetë e tij.

Kjo shtëpi kaherë ka pushuar të jetë shtëpi për të jetuar në të, sepse edhe nja dy-tri dhoma që duken të veçuar për të jetuar, janë mbushur me vjetërsira me vlerë muzeale. Në njërën gjendet një krevat bambusi dhe komodina qindvjeçare të sjella enkas prej Gjermanie. Te tjetra, shtruar me qilima të kohës së vjetër dhe prapë komoda të vjetra që kanë vlerë antikuiteti. Kur hipim shkallëve të para, na pret “koçia” me të cilën dikur merrnin nuset. Qerrja është e vjetër, por e ruajtur mirë.

Po të kishe jetuar në atë kohë, do të të kishin sjellë nuse me këso qerre, bëjmë shaka me të vetmen femër në grupin e vizitorëve.

Dhomë pas dhome, ku ka gjithnjë gjëra që të tërheqin vëmendjen, hipim në atë më të lartën, që ka katër dritare, në secilën anë të botës. Si në kohë të vjetra, dhomë vëzhgimi për të shikuar mos afrohet hasmi! Por kjo dhomë veçohet nga të tjerat sepse ajo është shtruar me qilima tradicionalë dhe ku nëpër mure e tavane janë varë veshmbathje kombëtare, si për burra, si për gra. Sikundër në të gjitha hapësira, edhe këtu vërehet një lloj “anarkie” në përzgjedhjen e gjërave që e kanë vendin aty dhe ato tjerat që e kanë vendin diku tjetër. Sepse, përveç gjërave të vendit, ka dhe diçka të huaj, ndryshe nga qëllimi që pronari i saj e ka menduar, që të jetë një shtëpi muze, ose një muze etnografik që do të kishte të gjitha nishanet e autenticitetit. Por për këtë, gjithsesi, nevojitet një dorë institucionale përderisa ajo tashmë po funskionon si një muze privat.

-Para katër vitesh në emër të shoqatës MCMK “Toleranca” iu drejtova Ministrisë së Kulturës me një propozim-ide për projekt që kjo shtëpi me këtë arkitekturë të rrallë, të merrej dhe të shndërrohej në muze. –tregon Daut Dauti.-Mirëpo përgjigja e Ministrisë ishte që t’i drejtohemi komunës së Sarajit. Të njëjtin projekt ia kemi dërguar edhe komunës, por për shkak të pandemisë, sikur gjithçka u la anësh. Por mendoj se është mëkat që të mos gjendet një zgjidhje institucionale për ta shndërruar në muze shtëpinë e Setullait. Do të ishte një vend atraktiv për të pasuruar turizmin rural, një vend për ekskurzione shkollash ku nxënësit sadopak do të merrnin disa njohuri ose  pasqyrë për jetën e banorëve të kësaj ane në kohët e shkuara, vend atraktiv ndoshta edhe për ekspozita e aktivitete të tjera kulturore.

Impresive!

Gjithçka ishte impresive në këtë shtëpi që e dëshmojnë edhe këto foto që i bëmë gjatë qëndrimit tonë. Pronari Setulla Demiri, me fiks-idetë e tij dhe entuziazmin e pashoq, duke shkrirë madje gjithë kursimet e Gjermanisë, e ka ngritur këtë shtëpi, e cila, me destinimin që ia ka bërë, praktikisht është një përmendore edhe për të.

Edhe ne, me fotot e përbashkëta me pronorin nëpër hapësirat muzeale, duam të marrim me vete si kujtim një pjesë të kësaj magjie, që nuk do të mund të arrihej pa një përkushtim të pashoq.