Shkruan Fitim NUHIU

Pasi të lexohet ky libër, imponohet vetëm një pyetje:vallë ç’janë këto ndarje e ndasi dhe pse ekziston diversiteti në botë!?

“Shtëpia e xhamisë” e autorit Kader Abdolah është një vepër që shpërfaq kohën e Shahut (frymën Perëndimore, amerikane) dhe luftën e tij me tradicionalistët dhe më pas rrëzimin e këtij pushteti nga revolucioni i ashtuquajtur islamik, me në krye Homeinin. Autori ka zgjedhur të thur rrëfimin e tij nga këndi i tradicionalistëve, se si ata e akceptojnë dhe si i shohin ndryshimet dhe reformat “revolucionare” në shtetin e vet. Protagonisti i romanit, Aqa Jaan, një personalitet shumë i dashur dhe njeri i realizuar, ndihmon që çdo gjë në rrethin e vet të shkojë siç duhej, një protagonist që mban një Kuran me vete dhe shpesh e lexon atë dhe vepron sipas moralit të tij. Libri flet për një shtëpi afër ose më mirë thënë shtëpi xhami me shumë anëtarë brenda saj, një dinamikë raportesh ndërfamiljare, flet për përuljen shpirtërore karshi Zotit, por edhe për krizat e besimit në Zot, lidhshmëritë me pushtetin (p.sh. Kalkali i vetëshpallur si gjyqtari i Zotit, që bëri mijëra vrasje në emër të revolucionit islamik, pra i përkrahur nga Homeini), flet edhe për njerëzit e ngathët dhe të dështuar që ndryshojnë personalitet kur heqin maskat, ose kur t’u vjen koha e tyre etj. Ndërkohë që amerikanët shkojnë në Hënë, njerëzit e kësaj shtëpie as nuk kishin TV dhe madje edhe më keq, kishin bindjen se TV është djalli vetë, pra shpërfaqet një diskrepancë kulturore e madhe, një hendek i thellë keqkuptimesh dhe krahasim i papërputhshëm do të thoshim. Autori vë në pah edhe momente që e tregojnë të pamundshmen. Kështu, derisa imami i xhamisë përgatitet për një ligjëratë për pajtimin mes sekteve shia-suni, ai vdes e që nënkupton se është i pamundur ky pajtim.

Shtëpia ka 35 dhoma dhe secila dhomë ka identitetin dhe emërtimin e vet: psh. dhoma e thesarit, etj. Libri e pajis lexuesit me informacione të dobishme dhe të sakta për jetën dhe kulturën e një shteti të fuqishëm në Lindjen e Mesme, Iranin, një shteti që derivoi nga një perandori e madhe e dikurshme perse, mirëpo që aktualisht e mbyllur brenda një qarku, brenda një dogme që nuk mundëson aspak civilizimin e duhur, lirinë dhe emancipimin kulturor të merituar për atë vend dhe për atë popull.

Pavarësisht situatës dhe klimës jo të favorshme për lexuesin, autori nuk ngurron të sjell peisazhe, përshkrime brilante, që të bën të mbushesh me frymë njëherë e mirë dhe t’i shijosh rrëfimet e tij. Autori nuk ka shkruar letërsi fetare, por artistike, pra nuk mban anën e askujt, por i intereson e vërteta, pikërisht siç e kërkon rregulli i artit të mirëfilltë.

Pasi të lexohet ky libër, imponohet vetëm një pyetje:

vallë ç’janë këto ndarje e ndasi dhe pse ekziston diversiteti në botë!?

P.S.

Ky libër, edhe pse është shpallur bestseller, fatkeqësisht akoma nuk është përkthyer në shqip, edhepse në vendin tonë, në Maqedoninë e Veriut, autori në fjalë ka promovuar këtë libër dhe ekziston versioni vetëm në gjuhën maqedonase.