Vështrim rreth romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi së fundmi është botuar edhe në italisht. Më poshtë do vijojmë me një analizë të veprës, me një panoramë të përgjithshme por edhe me veçantitë e saj.

Nga Xheni Shehaj

Dy fjalë për subjektin e romanit:

Ngjarjet janë vendosur në kohën e pushtimit osman. Gjakova dhe malësitë përreth ziejnë nën thundrën e pushtuesit. Rrëfyesi i ngjarjeve është prifti Gjon Nikollë Kazazi. Përmes optikës dhe rrëfimtarisë së tij lexuesi njihet me ngjarjet e asaj kohe, personazhet, botëkuptimin e vendasve, qëndresën dhe forcën e popullit. Hera – herës rrëfimi ndërthuret me ditarin e rrëfyesit – personazhit kryesor Gjon Nikollë Kazazit. E gjithë vepra sillet e rrotullohet rreth murtajës, sëmundjes vdekjeprurëse që vendi e mori dhuratë nga turqit.
1.Në libër flitet për një spastrim, një shfarosje masive që osmanët duan t’i bëjnë popullatës vendase. Një popull i fortë, qëndrestar, që nuk jepet kurrsesi duhet goditur në forma e mënyra nga më të ndryshmet.
“Fillova të shfletoja dhe pas pak hasa shënimin se si qysh në kohën e Egjiptit të vjetër, pastaj në kohën e Lekës së Madh dhe deri tek Perandoria e Romës, sëmundja ishte përdorur si mjet lufte.”
E kështu turqit pa bërë bujë, përhapën murtajën me shpresën se sëmundja do bënte kërdinë dhe ëndrra e tyre për një shfarosje masive të shqiptarëve do të bëhej realitet.
Spastrimi, asgjësimi i shqiptarëve u zgjodh të realizohej përmes dy mënyrave:

  • spastrim fizik, pra shfarosja e popullatës përmes sëmundjes;
  • spastrim shpirtëror, mohimi i gjuhës, i këngëve, i riteve ceremoniale të varrimit, shpalosja e qindra flamujve të sekteve fetare, zëvendësimi i këngëve me ilahi në gjuhën turke, arabe, etj.
    Shfarosja e shqiptarëve
  • Spastrimi fizik
    Si mund ta dobësosh një popull kryeneç, të padëgjueshëm dhe rebel? Me luftë kurrsesi, me të mira jo, përmes fesë jo, atëherë duhet gjetur një metodë tjetër, futja e një mikrobi, e një sëmundjeje, e diçkaje të padukshme por tepër efikase: murtaja.
    Gjon Nikollë Kazazi ishte i bindur se murtajën e kishin futur osmanët në vend.
    “Ngjet që sëmundjen e kanë futur vetë turqit qëllimisht dhe i kanë ndërmarrë që me kohë të gjitha masat, vetë të mbrohen nga ajo e ne të na shfarosin.”
    Në vetvete murtaja ishte një strategji luftarake e mirëmenduar për të shuajtur një komb të tërë pa gjak, pa luftë, pa dhunë. Mbyllja e vendit për shkak të sëmundjes do të sillte mbylljen e aktiviteteve, varfërinë, frikën, çmendurinë. Pra gjithçka ishte e programuar më së miri.
    “Në mbrëmje fillova të lexoj librin e Kavijusit “Strategjia osmane” në të cilën bëhej fjalë për politikën e gjatë 300-vjeçare pushtuese dhe asimiluese të Portës dhe për përpjekjet e saj që në tokat e pushtuara të krijonte njëfarë njeriu të ri osman, i cili do të paraqiste një krijesë të re, të përzier nga elemente orientale dhe evropiane. Ky njeri i ri osman nuk do të kishte as të kaluar dhe as traditë por vetëm të ardhme. Ai do të ishte një trung pa rrënjë dhe pa vetëdijen e qenësisë së vet”.
    Këtë synonte perandoria osmane, zhdukjen e popujve autoktonë dhe zëvendësimin e tyre.
  • Spastrimi shpirtëror
    Kishte të bënte me të brendshmen, me atë forcë që mban gjallë njeriun. Osmanët nuk lejonin këngët patriotike, këngët kushtuar trimave që kishin lënë gjurmë ndër shekuj. Një malësor e varën vetëm sepse ai nuk tregonte emrat e këngëtarëve që kishin kënduar në një dasëm këngë për trimin që vrau sulltan Muratin.
    Patër Coli, ndihmësi i Gjon Nikollë Kazazit u var në mes të qytetit dhe një nga arsyet që çuan në dënimin e tij ishte krijimi i një alfabeti me shkronja latine. Varrosja e të vdekurve të infektuar nga murtaja në gropat e gëlqeres ishte një tjetër goditje për popullsinë. Vendasit e nderonin të vdekurin dhe e përcillnin në banesën e fundit me respekt. Varri i përbashkët që kishin hapur turqit shkaktoi indinjatë dhe zemërim tek malësorët.
    Po ashtu dhe ngatërresat që hafijet turke qisnin mes shqiptarëve ishin një goditje që synonte të dërrmonte shpirtin, gjakun, kombin.
    Urtësia e pleqve
    Me përhapjen e murtajës Gjoni bashkë me parinë e vendit nxituan të gjenin një zgjidhje se si ta ndalonin sëmundjen. Urtësia dhe përvoja e pleqve dha kontribut të madh në ndalimin e murtajës. Malësorët që kishin kaluar të njëqindtat kujtonin se para shumë vitesh kjo sëmundje ishte shfaqur në ato vise. Plakat e moçme përmes grithjes ja kishin dalë ta zhduknin flamën.
    Rituali i grithjes u përsërit nga një grup pleqsh dhe vrulli i sëmundjes ra. Prijësit shpirtërorë të të gjitha feve në vend u bënë bashkë dhe ndihmuan në ngadalësimin e sëmundjes. Duke ua vënë veshin të moshuarve u arrit të kryhej grithja e gjithë popullatës.
    Harmonia fetare dhe vëllazërimi
    Në libër përpos të tjerave flitet për këngët, trimërinë, burrërinë. Ndjenja e patriotizmit dhe harmonisë fetare, vëllazërimi dhe e shkuara e lavdishme zënë vend të posaçëm në vepër. Të rinj që sakrifikojnë për atdheun, pleq që ndihmojnë në luftimin e murtajës, priftërinj, hoxhallarë, dervishë, lëkurëpunues, shitës, argjendarë, tregtarë, qytetarë e malësorë, i gjithë vendi bëhet bashkë për të parandaluar të keqen e përbashkët.
    Figura e tellallit, bejtexhiut dhe veçori të tjera
    Teksa lexon librin ndesh praninë e figurës së tellallit e cila krijon një atmosferë hijesh. Një, dy, dhjetë tellallë që enden nëpër rrugët e qytetit të izoluar me thirrjet e tyre. Zëri i tyre jehon nëpër kalldrëme, nëpër mure shtëpish të kyçura, nëpër vatra ku ka zënë farë frika. Një lajmëtar, disa lajmëtarë. Tellallët janë lajmëtarët e së mirës dhe të së keqes. Me zërin e tyre ata shpërndajnë lajme. Mbi ta bie urimi e mallkimi, shiu e dielli.
    Selami Taraku, një bejtexhi rrugësh ndeshet rëndom në vepër. Një pjesë e quajnë marrok e nuk ja vënë veshin, një pjesë e dëgjojnë dhe qeshin me ato që ai reciton. Askush nuk ja merr për të madhe çfarëdo që thotë e bën. Selamiu është prezent kudo nëpër qytet, në çdo rrugë, kalldrëm, cep e gjen teksa reciton a këndon poezitë e tij.
    Ditari si formë shkrimi është i pranishëm në libër. Fillimisht lexuesi ndesh ditarin e Gjonit, i cili përshkruan aty ngjarjet e ditës, vdekjet nga murtaja, hiletë e turqve. Nga fundi i librit Gjoni i zbulon lexuesit ditarin e Ibrahim pashës. Pasha kishte shkruar ditë pas dite që nga fillimi i murtajës, urdhrat e Portës, raportet e tij dërguar Sulltanit, vdekjet, pritshmëritë.
    Vdekja në vepër duket si diçka e zakonshme. Disa vdesin nga litari, disa nga sëmundja. Vdekja e disa prej personazheve si Coli, Lam Mula, Selami Taraku, duket sikur duhet të ndodhë medoemos pasi vetëm me flijimin e tyre mund të vijojë jeta. Flijimi, i lashtë sa vetë jeta kërkon kurban. Vetëm pasi e merr lëshon pe dhe jeta rrjedh e qetë. /mapoletrare/