Memli Sh.Krasniqi

Që në fillimet e gazetarisë moderne angleze, shqiptarët dhe Perandoria Osmane ishin në qendër të vëmendjes së opinionit publik anglez.

Shqiptarët, në këtë periudhë historike, padyshim, ishin faktorë determinues jo vetëm në politikëbërjen e Perandorisë Osmane, por njëkohësisht edhe faktorë me rëndësi ndërkombëtare. Kështu, në vitin 1764 shtypi anglez do të lajmëronte se Ismail Pasha i Beogradit, i cili forcërisht kishte hyrë në qytetin e Vlorës, në befasi qe sulmuar nga banorët e qytetit, duke u masakruar së bashku me përcjellësit e tij, shkruan KOHA. 

Ndërsa, po sipas gazetave angleze, më 4 tetor 1769, udhëheqësi i malazezve, Stefani, kishte mundur osmanët dhe kishte “pushtuar” qytetin bregdetar Antivarin (Tivarin) dhe Ulqinin, si dhe disa vende të tjera në Shqipëri.

Gjithashtu gazetat angleze informonin se në bazë të një letre, të dërguar nga Stambolli, më 14 dhjetor të vitit 1769, përgënjeshtrohej vdekja e Sulltan Mustafës III, i cili kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar nga ndonjë e papritur.

Ndërsa në gjirin e Gjibraltarit, me gjithë stuhitë e shpeshta detare, vazhdonin të patrullonin anijet e marinës spanjolle, të cilat me kujdes përcillnin lëvizjet e flotës ruse. Kurse opinioni publik evropian vazhdonte të hamendësohej se cilat ishin objektivat e flotës ruse në Mesdhe, duke theksuar se mundësia më e madhe ishte që ajo do të përpiqej të bllokonte Stambollin në të dyja anët e Bosforit.

Malazeztë dhe sulmet plaçkitëse në zonat shqiptare

Më 1769 gazeta angleze “Caledonian Mercury” shkruante se në qytetin ukrainas, Hotin, përgjatë lumit Dnjestër, Kahraman Pasha kishte komanduar me 2.000 shqiptarë, prej të cilëve vetëm 100 kishin mundur të shpëtonin.

Gazetat angleze, në vitin 1769, shkruanin se supozohej se malazeztë, të cilët kohë pas kohe organizonin sulme plaçkitëse në zonat shqiptare, kishin marrë armë dhe municione nga Rusia cariste.

Në të njëjtën kohë, Katarina e Madhe e Rusisë cariste refuzonte kërkesën e parlamentit polak për tërheqjen e ushtrisë ruse, me arsyetimin se ata dhe të tjerët asaj duhej t’i bashkoheshin për t’i kundërshtuar armiqtë e krishterimit, me çka aludohej në Perandorinë Osmane./koha.net/