Emigrantja shqiptare nga Kosova, që tjerr leshin dhe në të njëjtën kohë tund djepin me këmbë.

Nga: Robert Elsie

Etnologu, fotografi dhe udhëpërshkruesi austriak, Hugo Bernacik (Hugo Adolf Bernatzik, 1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para Luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit.

Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të pare në vitin 1914 gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945). Në vitin 1915, kur ndodhej përsëri në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze me një njësi artilerie. Edhe në dhjetor 1917 ishte sërish në tokën shqiptare me gradë togeri.

Kënetat e bregdetit shqiptar e tërhoqën shumë, sepse interesohej për natyrën dhe për zogjtë. Bernaciku braktisi studimin e mjekësisë në Universitetin e Vjenës, sepse preferonte të udhëtonte dhe të zbulonte botën. Gjatë periudhës 1923-1930 shkoi katër herë në Afrikë (Afrika e veriut, Egjipti, Sudani jugor dhe Somalilandi) dhe më vonë në Pacifikun jugor dhe në Guinenë e Re (1932-1933), në Azinë juglindore (1936-1937) dhe në Lapland (1938). Nga këto udhëtimet dolën botime shkencore, udhëpërshkrime dhe fotografi tërheqëse.

Bernaciku i financoi udhëtimet e veta duke u shitur fotografi të udhëtimeve, gazetave dhe revistave.

Në vitin 1930 filloi të studionte etnologji, psikologji dhe gjeografi në Universitetin e Vjenës dhe atje mbaroi doktoraturën në vitin 1932. Në vitin 1939 ishte profesor i Universitetit të Gracit (Graz). Si përkrahës i etnologjisë së aplikuar, Hugo Bernacik u bë në atë kohë një ndër etnologët më të spikatur të botës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës ishte anëtar i partisë naziste, udhëtoi në Marok (1949-1950) ku e zuri një sëmundje tropikale nga e cila vdiq më vonë në Vjenë. Në lagjen 19 të kryeqytetit austriak ekziston një rrugë me emrin e tij, Bernatzikgasse.

Në vijim të një qëndrimit në deltën e lumit Danub në Rumani ku shkoi për zogjtë, Hugo Bernaciku erdhi përsëri në Shqipëri ku qëndroi nga 24 prilli deri me 6 korrik 1929. Të dhënat bazë mbi kushtet e jetës së vendit, Bernaciku i mori nga gjeologu gjerman Ernst Novak (Ernst Nowack, 1891-1946), i cili e këshilloi që të kontaktonte të dërguarin gjerman në Tiranë, Franc fon Shajger (Franc von Scheiger, 1891-1960). Bernaciku ishte në kontakt, gjithashtu, edhe me çifligarin shqiptar Ago Agaj (1897-1994), me të cilin doli për gjueti zogjsh në Myzeqe. I pajisur me një çadër, një kajak dhe një aparat fotografik, Bernaciku kaloi plot dy muaj në Shqipëri. Rezultati i udhëtimit të tij ishin dy libra: Riesenpelikane und ihre Kinder (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijët e tyre), Vjenë 1930, një album i vogël dhe tani i harruar për pelikanët e kënetës së Maliqit; dhe Europas vergessenes Land (Shteti i harruar i Evropës), Vjenë 1930, i cili doli në tirazhin e katërt të zgjeruar me titullin Albanien: das Land der Schkipetaren (Shqipëria, vendi i shqiptarëve), Vjenë 1939. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë prej këtij vëllimi të fundit.

P.S. Koleksionin e plotë të fotografive mund ta gjeni: Këtu.

Veku kosovar. Gratë thurin modele shumëngjyrëshe me këto mjete të lashta primitive.

Gruaja shqiptare nga Kosova që ofron për shitje qëndisjet e veta.

Emigrantja shqiptare nga Kosova, që tjerr leshin dhe në të njëjtën kohë tund djepin me këmbë.

Gra fshatare që bashkë me fëmijët marrin pjesë në një festë.

Grua fshatare në festën ortodokse të Shën Gjonit në Shijon afër Elbasanit.

Prodhimi i qelesheve të bardha shqiptare. Leshi i deleve pritet, njomet, shtypet në kallëp dhe thahet.

Këpucari në Elbasan. Kafeja pihet në çdo rast.

Fshatarët arrijnë nga larg për të marrë pjesë në festën ortodokse të Shën Gjonit në Shijon afër Elbasanit.

Një çift në pazarin javor në Tiranë.

Shkëmbim në tregun e misrit në Tiranë.

Të rinjtë në Gjonëm duke shijuar kafen turke.

Veshjet malësore. Tipike janë pantallonat e gjata, të ngushta, me lesh të bardhë e shirita të zinj. Opingat janë bërë prej gomave të vjetra të makinave.

Një nuse malësore. Dhëndri e sheh nusen që ia kanë zgjedhur prindërit kur ajo arrin në shtëpinë e tij. E reja është zbuluar këtu.

Dasma në malësi. Pas ceremonisë, nusja e mbuluar dhe e stolisur bukur dërgohet te dhëndri.

Fshatarë me veshje festive gjatë meshës së Shën Anës në Kurbin.

Fshatare me djepin në shpinë. Djepi prej druri është i mbuluar me një vello për ta mbrojtur fëmijën nga mizat.

Vajzë fshatare nga zona rreth Shijonit afër Elbasanit.

Vajza malësore nga kënetat e grykëderdhjes së lumit Mat. Fëmijët zakonisht veshin të njëjtat kostume si të rriturit.

Hugo Bernatzik me miqtë në Kosovë.

Grua e re në një festë të kishës ortodokse në Shijon [afër Elbasanit] që nuk donte të fotografohej dhe iku në ballkon.

Muzikant në Gjonëm që bënte muzikë për valltarët.

Vajzat në Gjonëm në një valle gëzimi.