Pablo Neruda

(shqipëroi Moikom Zeqo)

S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri,

në tokën e ashpër, plot dashuri,

peisazheve bjeshkatare me barinj trima.

S’kam qenë, po ja

që sot kam shpresë

të vij

ashtu si festat apo dasmat popullore,

për të pare i etur diellin e madh

që praron fuqishëm muskujt viganë

të vargmaleve të saj epikë!

Si zambaku i ri dhe i freskët

që shpërthen mes shkrepave

shpërthen nga gjiri i saj kultura,

arti, librat, ndërsa përpara bujkut

e punëtorit ngrihet nderimi i epokës,

përmendorja e dashurisë

e virtuti lulëzon

viset e lashta!

O Shqipëri e vogël, por sa e fortë!

E vendosur e patundur e fjalëmbël.

Tingulli i kitarës tënde

është i gjallë e i çeliktë

e vjen e i shtohet me dinjitet melodive

të historisë,

këngës së epokës që s’ka të heshtur!

Është një zë malesh,

ndërtimesh të pafundme e të bardha,

kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve

e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve

plot lule të porsaçelura

e erërave e valëve të detit.

Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri

janë dhurata që po i sjell

vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë