Artisti italian, Tiziano Ferro bëri disa deklarata tronditëse gjatë filmit dokumentar me titullin “Ferro”, që do të transmetohet në plaftormën Amazon Prime.

“Një natë anëtarët e grupit më bindën të pija. Dhe nga aty nuk ndaloja dot. Pija vetëm, pothuajse çdo ditë. Alkooli me jepte forcë për të mos menduar, por dhimbja dhe dëshpërimi po më shtynin të kryeja vetëvrasje. Kam humbur shumë raste dhe shumë miq. Isha një alkoolist. Alkoolizimi të bën të dukesh ndryshe përballë të tjerëve”, tha ai.

Rrëfimi i këngëtarit ka ngjyra dramatike, duke shtuar dhe problemet e tjera të artistit:

“Isha thjesht një alkoolist, bulimik, homoseksual, në depresion dhe i famshëm. Madje dhe ky epitet, i famshëm më dukej defekt, madje më i keqi,” rrëfehet Ferro gjatë dokumentarit.

“Nuk kam qenë kurrë i pari i klasës, isha një anonim, aspak i bukur apo me trup atlet, përkundrazi isha i shëndoshë, i ndrojtur, të tjerët më thonin bullafiq, je si femër, pa fat. Isha gjithmonë në pritje të dikujt që të më dilte në krah, por nuk ndodhte kurrë. Jetoja nën frikë, i zemëruar dhe fyhesha gjithmonë. Më pas fillova të këndoja dhe për herë të parë pashë që bota ndryshoi. Muzika ishte e vetmja gjë qe kisha. Ishte si një rrugë për t’u shprehur në një botë, e cila nuk më njihte”, kujton artisti, rininë e tij të hershme.

Filmi dokumentar përshkuan gjithë karrierën e Tiziano Ferros, duke nxjerrë në pah anën njerëzore te tij.