Nadifa Mohamed dhe Aleksandar Hemon janë dy autorë me të kaluar të zhvendosurish. Mohamed, noveliste somalezo-britanike, u lind në Hargerisa (tani pjesë e Republikës së Somalilandës) dhe si fëmijë u zhvendos në Angli, duke vendosur të qëndronte përherë pas shpërthimit të luftës në Somali.

Ajo është autore e “Black Mamba Boy” dhe “The Orchard of Los Souls”. Hemon u largua nga Bosnja më 1992, para se të plaste lufta, duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton prej atëherë.

Veprat e tij janë “Nowhere Man”, “Projekti Lazarus” (botuar në shqip nga Botimet KOHA, v.j.), dhe “My Parents: An Introduction/This Does Not Belong to You”.

Më poshtë ju sjellim pjesën e parë të bashkëbisedimit të gjatë të dy shkrimtarëve botuar në uebfaqen “lithub.com”.

Mohamed: A mund t’ju shtroj një pyetje, Aleksandar? A ndiheni i zhvendosur?

Hemon: Po, por po mësohem ta marr shtruar dhe ta kthej në diçka produktive dhe, ma merr mendja, po mësohem të mos traumatizohem prej zhvendosjes së vazhdueshme. E rëndësishme në krejt këtë ekuacion është mundësia se ndjenja e zhvendosjes është e rrënjosur në njëfarë përvoje që është përherë traumatike. Kjo duket sheshit në mesin e refugjatëve të luftës, por mendoj se edhe në rastin e emigrimit vullnetar – kur njerëzit zgjohen, shesin pronat dhe zhvendosen në një vend të ri – edhe ai emigrim ngërthen një dozë traume.

Trauma është e pandashme kur shpërngulesh: ka shkallë dhe intensitete të ndryshme, dhe natyrisht se kur bëhet fjalë për refugjatët e luftës, trauma është e nivelit më të lartë të mundshëm. Mua nuk më kanë nxjerrë nga shtëpia, andaj dhuna, dhuna e drejtpërdrejtë, nuk është pjesë e zhvendosjes time – unë përnjëmend në njëfarë forme asnjëherë nuk isha refugjat. Mund të tejkalohet trauma dikur dhe për mua ishte relativisht lehtë ta kaloja. Andaj, unë jam i zhvendosur, por kam gjetur forma dhe mënyra, përfshirë të shkruarit, në fakt së pari të shkruarit, nëpërmjet të të cilave ajo zhvendosje është kthyer në produktive dhe nuk ka mbetur përjetësisht traumatike.

Mohamed: Ju jeni nisur në një udhëtim të aranzhuar më parë për në Shtetet e Bashkuara para se të plaste lufta, apo jo?

Hemon: Korrekte, po ashtu ka qenë.

Mohamed: Ngjashëm, familja im u largua nga Somalia dy vjet para luftës që t’i bashkohej babait i cili tashmë kishte kohë që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar. Andaj, ajo ideja nëse unë jam refugjate “e vërtetë” apo jo është diçka që flitet rregullisht – njerëzit duan që të jem refugjate nganjëherë, sepse sjell njëfarë romantizmi në historinë e jetës sime. Por unë jam goxha ngulmuese që të përshkruhem si emigrante, megjithëse isha katër vjeçe kur u zhvendosëm dhe kështu nuk është se kisha dorë në këtë punë, por po bashkoheshim me babanë, i cili tashmë ishte emigrant ekonomik.

Mendoj se kjo prerje është e rëndësishme. Megjithatë, ju largoheni prej një vendi duke menduar se do të jetë aty kur të ktheheni, dhe kjo ishte çfarë kam besuar fuqimisht si fëmijë. Mendoja se ndodheshim në Mbretërinë e Bashkuar vetëm për njëfarë kohe dhe pastaj më 1988, pa u mbushur dy vjet prej se ishim larguar, nuk kish vend ku mund të ktheheshe, dhe ma merr mendja se ngjashëm ka qenë edhe në rastin tuaj me Jugosllavinë.

Hemon: Ah, po, kështu ishte. Ndryshimi ndërmjet të qenit emigrantë dhe refugjatë, sipas mendimit tim, është te shkalla e përfaqësimit të asaj historie. Arsyeja pse unë nuk mund të pretendoja statusin e refugjatit është për shkak se vendosa të mos kthehesha, ndava mendjen të qëndroja, sikur se, nën rrethana të ndryshme, kisha vendosur të largohesha…./koha.net/