Intervistë me poetin dhe kritikun Shaip Beqiri

Bisedoi: Bujar Salihu

 Vitin që sapo shkoi është dashur të shënohej 50-vjetori i krijimtarisë suaj letrare, e cila nga kritika është cilësuar shumë e veçantë. A mund ta përmblidhni me pak fjalë se cili ka qenë përkushtimi juaj, vokacioni apo elementi përcaktues që e ka ngjizur kaq suksesshëm, shpesh edhe në heshtje të plotë, krijimtarinë tuaj gjysmëshekullore?

Këtë farë përvjetori ma përkujtuan dy institucione me të cilët lidhet fillimi i udhëtimit tim letrar: Jeta e re dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. Drejtori i revistës së famshme, D. Topalli dhe kryeredaktori A. Gashi më kërkuan falje që kishte rënë nga shtypi një pjesë e zgjedhur nga vepra ime në numrin e 70-vjetorit të revistës, për ç’gjë as që e dija, prandaj kërkonin me ngulm t’u dërgoja diçka për numrin vijues. Ua dërgova një cikël poezish që përshkon tërë veprën time poetike të mbi­quajtur: Lasgushiana. Soneti që i printe këtij cikli mban datën: Kallnor 1970, kurse rondeli që mbyllte atë: Kallnor 2020. Ishte një rastësi që më nemiti. Kjo habitje u bë e plotë kur kuptova vendimin e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës që për vitin e kaluar më jepte Çmimin Esad Mekuli. Çuditërisht pothuaj çdo gjë e këtij jubileu tim u lidh me bardin tonë të madh, i cili ishte redaktori im i parë dhe mësuesi im i përhershëm në punën profesionale të redaktimit.

Tashmë kam hyrë në dhjetëvjetëshin e gjashtë të këtij kalen­dari kur, po ashtu, kam ndër duar librin tim të gjashtë të poezisë Zgavrat e zhymta. Të them që unë në të vërtetë shkruaj shumë, por ndonjëherë hedh edhe më shumë, s’do të thosha ndonjë gjë të re. Unë kam tjetër dioptri për sasinë, për vëllimin etj. Por të bësh afër 300 poezi, qoftë edhe për më se një gjysmë shekulli, mendoj se nuk është një vëllim i vogël.

Cilët ishin librat dhe shkrimtarët që ju ‘provokuan’ duke ju tërhequr që t’i përkushtoheni letërsisë përgjithnjë. Do të ishte me interes për lexuesit tanë të dinë më shumë për cytjet e motivimet kyçe që keni pasur në udhën tuaj krijuese dhe nga kjo largesë kohe të mund ta veçonit qoftë edhe një çast të vetëm dhe të thoni se cili ishte fillimi juaj, apo mos kishte ai çast ndonjë gjë të magjishme, të pashpjegue­shme?

Përkundrazi, ai fillim imi s’kishte asgjë të magjishme, për të mos thënë banale, po them se ishte tërësisht prozaik. Poende unë së pari herë kam filluar të shkruaj prozë, për më shumë roman, të cilin e kisha filluar në vjeshtë të vitit 1969, kur nisa ta ndiqja shkollën e mesme në Prishtinë. Ndonjë vjershë të vogël bëja kur më bezdiste puna e mundimshme e endjes së pëlhurës të asaj proze të pazakonshme. Ndodhi ndërkaq dhe e braktisa shkollën në Prishtinë dhe u ktheva në gjimnazin e Besianës, ku kam vazhduar shkrimin e prozës deri në pran­verë të vitit 1971. Nëse mund të ketë pasur diçka të magjishme lidhja ime me shkrimin, atë e përjetova dramatikisht në atë fillim: një krizë pakënaqësie të tmerrshme me çdo shkronjë që kisha hedhur në letër deri atëherë. Çasti kur i soditja gjuhët e flakëve duke shfletuar së fundit herë me babëzi fletët e atyre dorëshkrimeve të mi nuk më shqiten kurrë nga kujtesa. Në atë vandak u dogj edhe soneti që përmenda më parë bashkë me jo pak poezi të tjera. Zjarrit i shpëtuan vetëm disa poezi që ndërkohë i kisha dërguar për botim në redaksi të ndryshme, midis të cilave edhe një fragment i asaj prozës që doli më vonë në të përditshmen Rilindja më 1972. Kjo lloj piromanie më ka ndjekur në gjithë jetën time, ndonjëherë me përmasa pak a shumë makabre.

Atëherë kisha nisur ta lexoja plejadën e madhe të Rilindjes sonë. Dashurinë për pjesën më të ndritshme të letërsisë dhe të historisë ma mbëltoi thellë në tërë qenien time të njomë mësuesi im i gjuhës dhe letërsisë, Kadri Kadriu, i cili ka bërë jo vetëm nxitje e ndikim, por ka vënë vulën vendimtare te përcaktimi dhe përkushtimi im krijimtarisë letrare. Ai ishte mësuesi im i parë prej të cilit e mësova me rrënjë dashurinë për letërsinë dhe sidomos për gjuhën shqipe. Duhet të them që Kadri Kadriu ka mbetur për mua i vetmi mësues i vërtetë i papërsërtishëm në tërë jetën time.

Kur ju filluat të shkruanit, skena letrare e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, ishte relativisht mirë e konsoliduar. A keni gjetur mbështetjen e duhur të kolegëve tuaj më të vjetër dhe për çfarë do t’i mbani në mend ata?

Unë dhe brezi im kemi qenë me fat të madh për sa i përket formimit tonë intelektual dhe krijues. Periudha nga 1968 deri më 1981 ka qenë koha e një lulëzimi të vërtetë të arsimit e kulturës shqiptare dhe të Kosovës në përgjithësi. Fryma shqiptare thelbësisht ndihej dhe thithej në çdo por, sigurisht që në atë entuziazëm kishte jo pak eufori, e cila ishte e domosdoshme që mos t’i përfillnim sogjet e përgjimit që ishin vënë në çdo anë. Pothuaj tërë trupi arsimor dhe literatura nga Tirana qarkullonin pothuajse lirisht ndër ne midis Prishtinës e gjithandej. Më vonë, pas vitit 1981, iu bë një hakmarrje e egër jo veç kryengritjes së përgjithshme të rinisë shqiptare, por edhe asaj pjesës intelektuale që i kishte rrëshqitur nga dora pushtetit pushtues!

Pra, dua të them se ajo skenë që përmendni ju kishte dy anë krejt të ndryshme. As unë nuk kam mundur t’i shmangem anës së saj të zezë. Egërsinë e saj e provova që në fillim, kur paraqita për botim librin e parë. Ajo goditje më parapërgatiti për udhën e mëtejshme. Tevona kurrë nuk kam lejuar që një varg, një fjalë e as një shkronjë e vetme të preket më te vepra ime.

Atëherë zumë të krijonim një pamje të plotë të letërsisë që krijohej në Shqipëri. Atje proza kishte bërë një shpërthim të dallueshëm, kurse në Kosovë printe poezia, e cila pikërisht në atë kohë kishte arritur kulmin e saj. Kur u kyça unë në atë rrjedhje të vrullshme, qe krijuar disi paksa përdhunshëm një ndërprerje, sa qeshë ndier si një ishull! Vetëm katër-pesë vjet më parë qenë botuar 12-13 libra të parë të poetëve të rinj, kurse unë isha i vetmi autor i ri i atij viti kur doli libri im i parë! Vetëm 3-4 vjet pas meje, apo edhe në të njëjtën kohë, erdhën pjesëtarë të tjerë të brezit tim, si A. Mala, R, Musliu, N. Sopaj, A. Konushevci, A. Gashi, I. Berisha deri te R. Shala, H. Halimi, F. Rexha, L. Haziri, B. Çapriqi e shumë të tjerë në vazhdim. Unë i kisha shumë të afërt të gjithë këta që zura ngoje e shumë të tjerë, por afërsinë më të thellë e kam mbajtur gjithmonë me brezin pararendës të shkrimtarëve, sidomos me A. Pashkun, T. Dërvishin, B. Musliun, Y. Shkrelin, I. Rugovën, M. Ramadanin, J. Gërvallën etj. Këtë përkatësi e ka vënë re dhe e ka shpjeguar me saktësi studiuesi i shquar I. Rugova.

Poet i thellësisë e saktësisë figurative, ju ka cilësuar që në fillimet tuaja krijuese pikërisht kritiku ynë i madh I. Rugova. A ka qenë e vështirë që krahas këtij vlerësimi dhe shumë të tjerëve kaq të lartë për poezinë tuaj, t’i mbeteni besnik stilit e gjuhës poetike, pra sa ka qenë i rëndësishëm mendimi kritik për formimin, evoluimin dhe ngritjen tuaj letrare?

Formimi im letrar është paksa më i ndërliqshëm, më kompleks, jo krejt i zakonshëm dhe sidomos jashtë amullisë. Pjesës më të madhe të pjesëtarëve të brezit tim zuri t’i hynte thellë në brendësi uji socrealist që vinte i dallgëzuar nga Shqipëria. Ky fenomen letrar sigurisht që dëmin e bëri të madh, e squlli së tepërmi një pjesë të poezisë, sa mund të vërehet lehtësisht edhe sot ai ndikim i gjithë deri përtej kohës kur brenda vetë Shqipërisë dolën tashmë dy-tre breza poetësh që janë shkëpu­tur me shumë sukses prej asaj tradite të palavdishme.

Unë e kam mbajtur gjithnjë të fortë lidhjen me poetët tanë të mëdhenj të Rilindjes, trashëgimia e të cilëve në përmasat e modernitetit poetik shqiptar ishte përvijuar më thellë te poezia moderne e Kosovës, e cila ushqehej fort edhe me rrjedhjet më të avancuara të poezisë moderne evropiane e botërore.

Shquheni, gjithashtu, si një nga përfaqësuesit më të denjë të hermetizmit në krijimtarinë letrare të Kosovë, me një stil dhe gjuhë poetike jokonvencionale, të kultivuara pikërisht në atë kohë nga brezi i poetëve që përmendët. A ka qenë kjo rrymë letrare vetëm një dukuri e imponuar për të artikuluar mesazhe të kamufluar ndaj censurës apo si e tillë erdhi natyrshëm edhe nga ndikimet e motivimet e letërsisë së huaj, kryesisht të asaj evropiane?

Ka pasur një spekulim të gjerë me hermetizmin e letërsisë shqipe të Kosovës, sidomos të poezisë. Atë spekulim e keq­përdori madje edhe I. Kadare kur në kulmin e luftës së Kosovës zuri të çirrej kundër avangardizmit e hermetizmit të asaj pjese të letërsisë sonë, e cila, – shih ti çudinë! – nuk po mund të vihej në barrikadat e luftës çlirimtare! Më e zezë akoma është loja me markën tjetër të hermetizmit: shpërfaqja e një blirimi me të vërtetë spekulativ në emër të poezisë moderniste që mund të ketë qenë gjithçka përveç poezi!

Gjuha e poezisë së vërtetë moderne dhe mënyra e artiku­limit të temave dhe ideve të caktuara sigurisht që ishte arti më madhështor i asaj kohe, sado që komunikimi i saj ishte paksa i vështirë, ndonjëherë dukej si i pamundur, por kjo ishte veç ana e jashtme e saj.

Më duhet të çel një parantezë edhe për anën e brendshme të këtij fenomeni të papërsëritshëm në gjithë letrat shqipe, sidomos në Kosovë, studimin e të cilit nuk e ka bërë askush deri sot. Lufta kundër këtij fenomeni letrar nuk është bërë në ambient të rrethuar me kulisat e mveshura me mëndafsh e kadife. Ajo ka qenë një luftë e ashpër, e pështirë dhe ka zgjatur poende më shumë se vetë lufta e Trojës! Ka nisur në fund të viteve ’60 në revistat Fjala e Zëri në Prishtinë me një polemikë midis Ibrahim Rugovës e Agim Vincës, duke pasur për shkas një vjershë të këtij të fundit si plagjiaturë e vjershës së Ismail Kadaresë E shkruar më 31 dhjetor. Që nga ajo përleshje estetike ylli i Rugovës nuk ka zbritur kurrë më poshtë se pozicioni sipëran që ka mbajtur gjithmonë. Ai nuk e mori si dafinë lavdie një triumf kaq të kristaltë, por vazhdoi punën studimore duke u përshkuar përmes hanxharësh të helmatisur pa iu kushtuar shumë vëmendje. Të them kalimthi se, kur më kishte zgjedhur t’ia bëja redaktimin e librit Pavarësia dhe demokracia (1991), i kisha propozuar ta futnim atë polemikë si shtojcë të librit, por me pak fjalë më bindi se nuk ishte çasti i duhur!

Në anën tjetër, Ismail Kadare kishte botuar në Tiranë mani­festin më të zi në letrat shqipe kundër letërsisë kulminan­te moderne të gjithë botës, ku me egërsi merrte në mbrojtje realizmin socialist si të vetmen metodë krijuese me vlerë dhe plotësisht të pranueshme të kohës sonë, me titullin gjëmëtar Autobiografia e popullit në vargje (1971), të cilin pas nëntë vjetësh u përpoq ta zhbënte duke e mbuluar me një libër krejtësisht tjetër me të njëjtin titull! Ndërmjet këtij emër-titulli që mbanin dy krijesa të ndryshme, Kadare te libri i poezisë Koha (1976) botoi vjershën Shpjegimi për librat Besianës së vogël. Traktatin e vet të pakmëparshëm estetik, shkrimtari ynë me famë botërore tash po e sillte në variantin e njëjtë me vargje poezie në një klimë të butë të ambientit familjar, siç mund të jetë bisedimi me fëmijën e padjallëzuar, të cilit ashtu engjullisht mund t’i flasësh për andrallat që sjellin poetët plëngprishës, të cilët, për ta mbajtur bibliotekën të pastër, mund edhe t’i hedhësh lirisht!

Njëmbëdhjetë vjet pas Shjegimit… të Kadaresë, zëvendës­ideologu i socrealizmit të variantit më të egër në Prishtinë, Agim Vinca, botoi te libri i tij Arna dhe ëndrra vazhdimin e dytë të kësaj komedie në vargje me titull Grandomanët, tek e cila bënte saktësimin e vendit ku po bënin sehir poetët dekadentë shqiptarë, duke sjellë dëshminë e bisedave të tyre për Bodlerin, Rembon e jo pak gjepura të tjetra.

Unë përmenda vetëm disa qoka të dukshme të kësaj lufte të egër, e cila meriton një trajtim shumë më të thellë për të vendosur sfondin real ku duhet të vihen argumentet letrare për vlerësimin e një letërsie në periudhën e saj më dinamike. Kjo gjendje e kishte bërë edhe më të vështirë krijimin e letërsisë me prirje të tillë në Shqipëri, sa të mos mund të flasësh fare për botimin e saj, siç është rasti me poetin brilant Zef Zorba, vepra e të cilit doli vetëm pas rënies së diktaturës. Kthetrat e përbindshme të asaj klime u kishin bërë dëm të pariparueshëm shkrimtarëve dhe poetëve më të mëdhenj që pati Shqipëria në atë kohë: Kasëm Trebeshinës, Fatos Arapit, Bilal Xhaferrit, Frederik Rreshpes, Moikom Zeqos dhe jo pak të tjerëve. Dëmin shumëfish më të madh e vë re te brezat e pastajmë të shkrimtarëve të rinj. Për çudi, ky ndikim ka qenë me pasoja katastrofike edhe në Kosovë, ku është tejbartur me emblemën e ndryshkur të një patriotizmi parak në letërsi, sa shpesh ka krijuar situata absurde të cilat nuk i shpjegon dot askush me asnjë parim të vetëm estetik. Pas letërsisë me vlera të pakapërcyeshme të Anton Pashkut, Teki Dërvishit, Beqir Musliut, Ymer Shkrelit, Ibrahim Rugovës dhe dhjeta autorëve të tjerë të këtij kalibri e orientimi krijues, të kesh shfaqjen e një trumbe pa fund të skribomanëve postsocrealistë, për mua, para se të jetë e pakuptueshme, është tepër e dhimbshme.

Dua të them diçka më shumë për gjuhën. Vetë natyra e gjuhës së poezisë, përftimi i saj, ndodhet pothuaj në sferën e irracionalitetit, prandaj krijuesit i mbetet ta harmonizojë atë duke e bërë të rrokshme, të arsyeshme… Mendoj se shkrimi letrar është trajta më e kristalizuar e gjuhës. Të flasësh për letërsinë, së pari e së mbrami duhet ta shqyrtosh e qëmtosh gjuhën e saj, një aspekt që nuk ka të bëjë kryekëput vetëm me gramatikën! Ajo gjuhë vete përtej pushtetit torturues të gramatikës, sepse synimi i saj pikësëpari është zbulues e rizbulues: të bëjë lidhje virgjërore të gjymtyrëve gjuhësore në një sistem të ngritur origjinisht nga themeli në kulm. A mjafton kjo gjë, shtrohet natyrshëm pyetja. Përgjigjja është e prerë: Jo. Letërsia është vetë gjuha, por jo edhe e kundërta: gjuha s’mund të jetë letërsi. Kjo është një matematikë e thjeshtë sado që duket e çuditshme. Kështu është deri te kufiri ku shtrihet lidhja e gjuhës sidomos me muzikën dhe me artet e tjera…

Letërsia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, apo letërsia shqipe në përgjithësi, me çfarë bashkohen dhe çfarë i ndan? Cili është mendimi juaj për letërsinë shqipe sot?

Problemi është i thjeshtë për t’u kuptuar si i tillë, por tepër i vështirë për t’u zgjidhur si duhet. Atë duhet vështruar në tërësinë e tij, në një proces pak a shumë të ndërlikuar. Dikur kishte një sistem vlerësimi me shumë të meta e pengesa, kurse tash nuk ka më pengesa, por ato janë shkrirë e grumbulluar te të metat pa kurrfarë sistemi! Unë nuk e shoh problematik vërshimin e bërllokut të pafund letrar, siç duan të shfajësohen ata që mbajnë kaq gjatë kryqin e fajit në shpinë. Le t’i bëhet një soditje e përciptë tërë nëpunësisë së sotme letrare ndër­shqiptare, që nga akademitë e të dy shteteve, nëpër ministritë e kulturës, ato të arsimit e të shkencës në gjithë botën shqiptare të këtyre 30 vjetëve; le të shihen fytyrat e atyre që kanë hartuar programet e mësimit të letërsisë në të gjithë nivelet e shkollimit; le të shihen edhe kreatyrat që kanë hartuar tekstet e mësimit të letërsisë dhe sidomos të mbahen mend shëmtirat që kanë përcaktuar lektyrën shkollore për të gjitha moshat e shkollarëve shqiptarë! Në anën tjetër, dihet që për të gjitha këto punë e plane jepen shuma kolosale parash të taksapaguesve shqiptarë, kurse ato i rrëmbejnë klanet mafioze të bordeve dhe këshillave më namzinj që ka pasur ndonjëherë bota jonë kulturore, shkencore, arsimore e letrare.

Në këtë gropë përçudnimi, shumëfish më të pështirë se gropa e dikurshme e Hajdin Sejdisë në mes të Tiranës, gjejnë gjuhë të përbashkët vëllazërore të rroposjes dhe katranosjes së çdo gjëje pjesëtarët e këtyre falangave të lidhura në një qark mafioz të imponimit të antivlerave të veta deri në shkallën e neveritjes.

Shkrimtarë të shkretë medialë të Shqipërisë, ku ende mbahen të mbyllura dosjet, në tërë këtë kotnajë më të padurueshme se të gjitha shkretëtirat e botës së bashku, të bezdisin duke cituar syzgurdulluar dosjet e vëna në tregun e zi të pasdiktaturës se si janë përgjuar e spiunuar shkrimtarët e Kosovës që kanë vizituar Shqipërinë e Enver Hoxhës! Kryespiunë e xhelatë, në emër të një patriotizmi patetik me tru të kalbur, dëftojnë tash se cilët shkrimtarë të Kosovës kanë qenë të ndaluar dhe cilët nga ata vizitorë çfarë kanë biseduar në besim të thellë, sy më sy me vëllezërit nga gjaku e gjuha!

Tërë kjo zallahi zgjat qe më se 30 vjet të tranzicionit pa fund shqiptar! As sot nuk gjen dot një njeri të vetëm serioz atje që mund të thotë natyrshëm e besueshëm se si është e mundur që edhe pas kaq kohe pasdiktatoriale nuk është botuar në Shqipëri së paku nga një libër i vetëm i tre-katër shkrimtarëve më të mëdhenj të Kosovës, si Anton Pashku, Teki Dërvishi, Ymer Shkreli, Beqir Musliu etj.

Në vend se të merreshin me konsolidimin dhe kompensimin e asaj humbjeje të dhembshme që kishte pësuar gjithë krijimtaria jonë kombëtare në të gjitha fushat e saj për shkak të fatkeqësisë së ndarjes e përcopëzimit, këta mjeshtër të çoroditur sikur fërkojnë duart në pritje të ndonjë preje të re për babëzinë e tyre. Në vend se me integrimin e gjithanshëm të vlerave letrare kombëtare, hartuesit e rinj të projekteve të mëdhenj kanë shpikur qarqet kulturore të pallangave që i promovojnë me triumfalizëm, duke futur në ta, me hir e me pahir, të gjallë e të të vdekur, duke e vendosur veten gjithnjë në qendër të tyre. Qarqet e tyre të shpikur, të mbiquajtur shkolla letrare, edhe tingëllimin e kanë të çoroditur: Qarku i Prishtinës apo i Shkodrës; Qarku i Tiranës apo i Tetovës; Qarku i Muçivërrcit apo i Lazaratit!… Qendrat e këtyre qarqeve, që janë pretendentët e vet këtij organizimi të zbuluar kaq vonë, synim themelor kanë të shartojnë me metodat e incestit parak për copëzimin e mëtejshëm të gjenit shqiptar në shkallën që nuk kanë mundur ta bëjnë pushtuesit e as sunduesit tanë shekullorë!

Kjo është brenga ime. Kjo duhet ta mërzitë çdokënd që një realitet kaq të zi nuk e ndryshon dot për të mirën e afrimit e të bashkimit të plotë e të përhershëm të dy pjesëve tragjikisht të ndara të një kulture, të një gjuhe dhe të një letërsie që i përkasin një kombi dhe një vendi. Deri tash me këtë gjë janë marrë kryekëput njerëzit që më shumë se gjaku i kulluar, nëpër damarë iu qarkullon helmi i mërisë, i mosdurimit dhe i ligësisë.

Po letërsia shqipe në Zvicër?

Kur kam ardhur në Zvicër, para 25 vjetësh, kam gjetur një klimë të mrekullueshme kulturore, letrare e artistike me frymë të pastër shqiptare të nivelit më të lartë. Ishin shumë aktivë Klubi Letrar Faik Konica, i udhëhequr nga Naim Kelmendi; Qendra Kulturore Shqiptare që udhëhiqej nga Agim Ramadani, Shoqata Kulturore Shqiptare Mëmëdheu e kryesuar nga Isuf Sherifi e jo pak të tjera. Ndërkaq tash pothuaj tërë kjo veprimtari është përqendruar dhe zhvillohet në kuadër të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, e cila ka mbledhur krijues fushash të ndryshme. Unë vetë kam hyrë pa kurrfarë ngurrimi dhe jam bërë pjesëmarrës aktiv kudo që jam ftuar dhe kam pasur mundësi. Qe një kënaqësi imja e veçantë që në atë klimë ta kaloja kohën e parë të vështirë të mërgimit, për të vazhduar të thuash me të njëjtin ritëm edhe sot, aq më shumë kur në Prishtinë kisha lënë prapa vetes një shkretëtirë kulturore dhe fillimin e zvetënimit të veprimtarisë letrare që nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës e tutje, rrjedhojat e të cilit vihen re ende atje.

Ne jemi mbledhur të gjithë edhe këtu, në Zvicër e gjetiu, pa përjashtuar askënd. Ka shumë autorë të njohur e më pak të njohur këtu dhe gjithandej në vende të tjera. Mendoj që në Zvicër ka më shumë se 30 autorë që me veprat e tyre i bëjnë nder gjithë letërsisë shqipe. Në mënyrë të veçantë do t’i përmendja tre poetë të shquar me përvojë e përkushtim të madh krijues, njerëz fisnikë e të dashur, si i ndjeri Vehbi Skënderi, pastaj Agim Shehu dhe Ndue Sinishtaj. Këtu gjeta dy miqtë e mi të shtrenjtë të letrave, njërin nga shkrimtarët tanë më të mëdhenj ndër të gjallët, Ymer Shkrelin, për të cilin nuk të bie të dëgjosh pothuaj asgjë gjithandej, por edhe shkrimtarin tjetër të shkëlqyer, të ndjerin Agim Mala. Në atë fillim njoha shkrimtarin e shquar arbëresh, mikun tim shumë të shtrenjtë Françesko Miçelin, një emër shumë i nderuar dhe i shquar i letërsisë zvicerane.

Ndoshta ishte e rastit, por edhe ana zvicerane këtu më priti me ngrohtësi të jashtëzakonshme. Kanë mbetur për mua të paharrueshme leximet që organizoi me ne Qendra Zvicerane e PEN-it në Cyrih e në Bern. Pa vonuar më ftuan të futesha në Shoqatën e Shkrimtarëve të Zvicrës. Krahas një sërë takimesh e manifestimesh më të larta të tyre, ata Vaxhid Xhelilin dhe mua na zgjodhën përfaqësues të Zvicrës në Panairin e Librit në Frankfurt, ku Zvicra ishte mysafirja e tij kryesore; u bënë disa antologji edhe me poezinë time, u botua një libër antologjik i gjerë së bashku me poetët më të njohur zviceranë dhe shqiptarë, sikundër që më parë qe bërë një antologji e një reviste eminente në Munih. Sigurisht për tërë këtë aktivitet meritën më të madhe ka pasur miku i shqip­tarëve dhe përkthyesi e prezantuesi më i përkushtuar i letërsisë, veçanërisht i poezisë shqipe në botën gjermane, i ndjeri Hans-Joachim Lanksch.

Letërsinë shqipe duhet të mësohemi ta shohim dhe ta trajtojmë në mënyrë integrale, të gjithëmbarshme. Autorët inferiorë, duke e pasur thellë në qenien e tyre ndjenjën drobitëse të vogëlsisë e të zilisë, bëjnë projekte ndarjesh e copëzimesh, si të vetmin shans për të gjetur një strehë për egon e tyre të sëmurë. Në këtë aspekt ne duhet të çlirohemi plotësisht nga frika e konkurrencës, sidomos nuk duhet tentuar të bëhet kapërcimi i saj me eliminime e denigrime, sepse shumësia, qoftë duke futur aty edhe kallaballëkun jo gjithnjë të mbarë, i vë në pah vlerat e vërteta të cilësdo krijimtari shpirtërore.

Për shumë kohë keni qenë redaktor i kulturës në një tribunë të madhe kulturore, letrare e artistike siç ka qenë revista e famshme e Kosovës ‘Zëri i rinisë’. Cilat janë përvojat tuaja, nga kjo largesë kohe, çfarë mund të thuhet nëse do të kishim tani ndonjë revistë të kalibrit të tillë që me aq përkushtim promovon letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare?

Janë dy kohë të ndryshme, por tek ana thelbësore kanë shumëçka të përbashkët. Më ka rënë të merrem me shfletimin pothuaj të plotë të arkivit të Zërit të rinisë, kur pata bërë disa shënime me karakter monografik për të. Ai në fillim të daljes quhej Zani i rinisë shqiptare dhe në fund mbeti vetëm Zëri. Aty kam kaluar pjesën më të bukur të jetës dhe të punës sime. Ajo revistë ka pasur një rol shumë të madh emancipues dhe afirmues për tërë rininë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera nën Jugosllavi. Mund të them se nuk ka asnjë shkrimtar e as krijues tjetër që nuk e ka bërë hapin e parë aty… Asnjë studiues që mëton ta njohë dhe ta shkruajë historinë e Kosovës dhe të letërsisë e artit të saj nuk mund ta bëjë rrënjësisht e origjinisht atë pa e shfletuar imtësisht ZërinRilindjenJetën e reFlakënFjalënBotën e re etj. Sa mirë do të jetë kur të bëhet digjitalizimi i plotë i këtyre dhe shumë gazetave dhe revistave të tjera.

Të shtoj se në punën time si redaktor jam përpjekur të mbaj harmoninë brenda vetes, të cilën e konsideroj si vlerën më të lartë morale dhe intelektuale të një krijuesi, vlera që përfshijnë korrektësinë, paanësinë dhe diturinë e të vlerësuarit. Sigurisht që ndihem mirë kur shumë autorë nuk e fshehin mirënjohjen për mbështetjen që u kam bërë, por merita u takon në radhë të parë vetë atyre.

Të shtoj një fakt që e mësova së voni: në Zëri kam punuar në periudhën 1977-1993; për gjithë këta vjet aty kam botuar vetëm tri poezi të miat!

Për pjesën tjetër të pyetjes suaj, nëse mund të kemi tash ndonjë revistë të atij kalibri, po shtoj një gjë që duhet të kihet parasysh: Zëri ishte organi i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës. Faktikisht aty zhvillohej një luftë e gjithëmbarshme e asaj politike, e cila zinte hapësirën mbizotëruese edhe në revistë. Ndoshta tingëllon e pabesueshme, por është shumë e vërtetë që unë gjatë gjithë asaj kohe mundimin më të madh e kam pasur në një luftë tjetër, të ruaj me ngulm integritetin e asaj hapësire që quhej Rubrika e kulturës, aq shpesh e kërcënuar deri te synimi që të hiqej fare! Tash, pas kaq kohe, shoh që në atë tryezë të madhe janë vënë për diskutim temat më të mprehta të kulturës, sidomos të letërsisë dhe të arteve të tjerë, që nga muzika, teatri, filmi, artet pamore etj. Dhe nuk janë vënë dosido, por me organizim të gjerë tryezash e formash të tjera të shprehjes së pikëpamjeve me një pluralitet të plotë.

Tash mundësitë janë të jashtëzakonshme edhe për krijuesit e rinj. Ata duhet të bashkohen rreth boshtit të një ideje, me një koncept të qartë për një revistë me kritere e parime të qëndru­eshme, por në radhë të parë ta kenë seriozisht dhe të mos nisin ndonjë projekt sa për t’u argëtuar e vetëtallur! Unë po u jap atyre dy modele të shkëlqyera nga fletoraria shqiptare e shekullit të kaluar. I pari propozim imi: le të marrin të rinjtë e sotëm parasysh se çfarë kishte futur me aq vrull në amullinë e deriatëhershme të jetës kulturore të Prishtinës revista Pejada, që ishte organ i Rinisë Letrare të Kosovës në fillim të vjetëve ’70, e udhëhequr nga Ymer Shkreli dhe Beqir Musliu dhe tërë brezi i jashtëzakonshëm i atyre shkrimtarëve të rinj. Për shuarjen e saj ishte gjetur një shkas banal ideopolitik, por thelbi ishte te mosdurimi i prishjes së amullisë që kishte krijuar brezi i shkrimtarëve më të vjetër, jo pak prej të cilëve nëpër kurrizin e letërsisë e shërbesave të tjera kishin arritur poste të lartë fun­ksionarësh politikë e kulturorë, duke qenë poende edhe anëtarë të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë! Propozimi im i dytë le të jetë modeli i një grupimi të rinjsh të Tiranës në fillim të vjetëve ’90, menjëherë pas rënies së dikta­turës, që nxori revistën E për7shme, nga e cila doli një plejadë e shkëlqyer poetësh e shkrimtarësh, si Agron Tufa, Ilir Belliu, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Lindita Arapi e shumë të tjerë, të cilët sot përbëjnë shtyllën kryesore të letërsisë shqipe, siç e përbënin ata të plejadës së Prishtinës njëzet vjet para këtyre.

Në anën tjetër, a mund të keni ide se sa shuma parash japin ato ministri të shkreta kulture në Prishtinë e në Tiranë për kotnajën pa fund të aq kanagjeqesh letrarë, muzikorë, teatrorë, filmorë, sa të neveritesh edhe prej vetë letërsisë e artit që shpërfaqin e trumbetojnë shumëfish më mjerueshëm se amatorizmi i dikurshëm i shoqërive kulturore-artistike!

Çfarë roli ka pasur dhe sa kanë ndikuar në poezinë tuaj artet e tjera, si muzika, piktura, teatri, filmi?

Në fillim nuk e kam kuptuar thelbësisht ndërlidhjen korre­sponduese të arteve, prandaj edhe nuk e kam ndier, sado që ajo mund të ketë qenë brenda meje me format e saj natyrale, të vetvetishme. Pas botimit të librit tim Flatrat e gjymta (1983), Enver Maloku, bashkë me regjisorin Nezir Sefaj, patën bërë një emision të filmuar në RTP me një zgjedhje poezish nga ai libër, duke futur aty një bisedë shumë interesante me mua. Duhet të më besoni që, me gjithë insistimin tim këmbëngulës, ende nuk e kam parë atë emision edhe pas gati dyzet vjetësh! Disa kolegë që e kanë parë, sidomos autorët e emisionit, më kanë folur për anën filmike të poezisë sime, sa dikur më qe mbushur mendja që nga cikli për dëbimin e shqiptarëve në shkretëtirat e Andollit, një mjeshtër i hollë i skenës do të mund të bënte libreto për balet…

Unë, nga ana tjetër, dëgjoj shumë muzikë nga opusi i tërësishëm muzikor i botës, mirëpo në gjithë atë sasi nuk merr pjesë as sa gjysma e kohës që dëgjoj Vagnerin. Muzika e tij ka një ndikim të çuditshëm te qenia ime prej krijuesi: ajo muzikë më bën të ndiej pamundësinë dhe vogëlsinë e poezisë kundruall shkëmbinjve kristalorë të partiturave të gjeniut Vagner.

 Si e shihni të ardhmen e letërsisë, të librit e të poezisë veçanërisht, në këtë kohë të zhvillimit të hovshëm të telekomunikimit, informa­tikës e ‘antiletrës’? A mendoni se qytetërimi edhe më tej do të ketë nevojë për komunikim tradicional letrar, figurativ-metaforik, për letërsinë si të tillë apo në dekadat e ardhshme do të flitet vetëm për aspektin historik të saj. Thënë më shkoqur: mos është në të perënduar ndikimi i letërsisë? A duhet ta kenë këtë shqetësim posaçërisht dashamirët fanatikë të fjalës së bukur?

Bota i ka ligjësitë e veta edhe jashtë anës së vullnetshme të fuqisë njerëzore. Pjesa më qenësore e historisë së tërësishme të kësaj bote dihet e njihet, por ka një pjesë tjetër që nuk njihet fare ose dihet veç ndonjë gjë e pjesërishme për të. Pra fytyrës së historisë gjithmonë i rrinë përsipër hije të shumta. Ne përpiqemi të vëmë një sinor se ku nisi katandisja jonë: copëzimi, dëbimi, gjymtimi, asimilimi etj. në një proces që rrok pak më shumë se dy shekuj? Unë përgjigjen e vë te çasti kur Evropa ia ndryshoi emrin Gadishullit Ilirik. Aty u ngul kazma që rroposi shumëçka. Dhe ku mbetën shqiptarët e kësaj hapësire gjeo­graf­ike, e cila u shndërrua në një kazan me peshkve të histo­risë. Vendin e parë me numrin e shqiptarëve edhe sot e mban Turqia, e dyta është Greqia, kurse e treta mbetet Shqipëria me Kosovën dhe viset e tjera të copëtuara nga tre ujqit e fqinjësisë rrotull nesh, sa pjesa jonë e asimiluar enda na quan shiftarë!

E bëra këtë parantezë paksa të gjerë të historisë, kur në mendje po bluaja të ardhmen e poezisë. Gjithë këto goditje të ashpra sigurisht që ndikimin nuk e kanë të vogël, por në një kohë do të bien nga vetëgoditja! Bota njerëzore e ka bartur si një flakadan të përjetshëm frymën e vet deri te koha jonë, poende kur nuk kishte as pergamenë e lëre më letër! Arti i madh oral i shqiptarëve, shpirtin hyjnor të të cilin e ringjallën me aq forcë rilindësit tanë të papërsëritshëm që nga De Rada, Naimi, Mjeda dhe Noli, këto që nuk i tha historia e shtrem­bëruar dhe e kurvëruar, i artikuloi me forcën që nuk e mposht dot asnjë fuqi e destruksionit njerëzor dhe e barbarisë shfaro­sëse. Po cili ishte ai art kolosal baladash, legjendash, epesh dhe poemash me atë fuqi sa të mos e mposhtnin mileniumët e asnjë hordhie barbarare? Në mos paçin qenë pjesë e atij ansambli në një kapërcyell të caktuar epokash, vetë poemat zulmëmëdha të Homerit, Iliada e Odisea, them se janë motrat e së njëjtës rrëfanë gjenetike të visarit të pakapërcye­shëm poetik shqiptar.

Le të jetë edhe përgjigjja ime në pyetjen tuaj me këto dy parabola tejshpjeguese dhe me këtë shtesë paksa cinike: arti i madh nuk guxon të shihet kurrë nëpër rrjetën e dendur të barishteve të shartuara njëra në tjetrën. Bota do të ketë nevojë për atë art madhështor aq sa do të ketë nevojë për bukurinë e shpirtit njerëzor!

 Fare në fund, z. Beqiri, ju që tërë jetën me tërë qenien tuaj iu keni përkushtuar letërsisë, krijimtarisë letrare, ani pse nuk shquheni për ndonjë vepër të vëllimshme, për pesëdhjetë vjet keni botuar vetëm pesë libra poetikë, vazhdoni të shkruani apo mendoni se e keni thënë atë që keni dashur ta thoni? Le të jetë kjo një përgjigje mesazh për krijuesit e rinj.

Të shkruash pesë libra me poezi nuk më duket pak. Përkundrazi. Nuk më duket pak sidomos po të marrësh parasysh që mund të ketë së paku dyfish kaq gjëra që ndërkaq kam hedhur pa kurrfarë mëshire. Këtë mënyrën e shkrimit duke stivuar vjersha brenda kopertinash nuk e kam provuar asnjëherë. Mundimi im më i madh krijues është konceptimi dhe projektimi në hollësi i secilit libër, i cili duhet të ketë identitetin e vet të plotë, por edhe të lidhet në harmoninë e përgjithshme të një sistemi tërësor poetik. Unë nuk shkruaj asgjë të rastësishme. Ka ndodhur në fillimin tim krijues të kem shkruar ndonjë vjershë që e kanë pëlqyer ata që e kanë lexuar më shumë se të tjerat, por ajo nuk ka zënë vend në asnjë libër timin, sepse nuk ka pasur atë elementin e domos­doshëm – harmoninë me tërësinë!

Do të shkruaj deri në frymën e fundit. Por do të shkruaj kur ta ndiej nevojën ta plotësojë mozaikun tim të poezisë me diçka që nuk e prish harmoninë! E kam nisur me prozën, ndoshta edhe do ta përfundoj me të dhe me ndonjë gjë tjetër!

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”)