I dëgjojmë shpesh shumë këngë të cilat na bëjnë përshtypje nga niveli i tyre artistik, mesazhi apo melodia. Por, në botën e shoubizit, gjithë meritat i shkojnë këngëtarit, i cili e përjetëson atë. E tillë është edhe kënga “Sërish vjen marsi”, që në mënyrë brilante e këndon Ilir Shaqiri. Nga qindra mijë adhurues të kësaj kënge, të paktë janë ata që e dinë se këtë tekst e ka shkruar një shkrimtar i njohur i Kosovës, siç është Adem Gashi, i cili ndërroi jetë të martën(16 janar), në moshën 70-vjeçare.

Jo vetëm këtë këngë, por dhe dhjetëra këngë të tjera mbajnë autorësinë e këtij autori të shquar, i cili i ka bërë të pavdekshme, pikërisht nivelit të lartë artistik të tyre, ku përshkruhet heroizmi dhe flijesa e shumë dëshmorëve të historisë më të re shqiptare dhe të Kosovës në veçanti.

Ilir Shaqiri, i cili si shumë miq të autorit tronditur nga vdekja e poetit Adem Gashi, të cilin e ka quajtur “gjeneral poeti”.

 “I trishtueshëm ky mëngjes janari. U nda nga jeta gjeneral poeti Adem Gashi, autori i shumë librave me poezi e prozë, drejtori i Programit Satelitor në RTSh gjatë kohës së luftës çlirimtare në Kosovë, fuqidhënësi më madhor i këngës atdhetare në kohën e sotme. “Serish vjen marsi” dhe qindra këngë për dëshmorët e atdheut mbajnë vulën e tij të përjetëshme. Lamtumirë, mik i shtrenjtë!”, ka shkruar Shaqiri në profilin e tij në “Facebook”.

Këtë këngë e sjellim në vazhdim, bashkë me disa poezi të zgjedhura nga veprimtaria poetike e Adem Gashit.

….

SËRISH VJEN MARSI

Sërish vjen stina

Të rënët dhe t’gjallët bëhen tokë

Vesë as shi, s’duron lëndina

burrëria nuk duron lot.

Sërish vjen Marsi

Sërish vjen stina

T’rënët e t’gjallët bëhen tokë

Vesë as shi, s’duron lëndina

burrëria jo nuk duron lot

Midis kujtimesh e midis këngësh

shfaqet Krye – Trimi fjalë pak

Ndër këmba degësh

në sytha pemësh

Mërzisë sonë i vë kapak

Sërish vjen stina

E ne ndrrojm mot

Por vetëm ai s’plaket kurr

Uji i bjeshkëve

I rrejdh për bosht

Ai lartësohet si flamur

o si flamur

Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim

Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,

Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim

Heeej! Me ty gjithmonë në ball,

me ty o legjendar (2x)

Sërish vjen Marsi

e vjen pranvera

amanetin e tij përtrin

Lulet e barin

i tund veq era si medaljona npelerin

Midis kujtimesh e midis këngësh

shfaqet Krye – Trimi fjalë pak

Ndër këmba degësh

në sytha pemësh

Mërzisë sonë i vë kapak

Sërish vjen stina

Ne ndrrojm mot

Por vetëm ai s’plaket kurr

Uji i bjeshkëve

I rrejdh për bosht

Ai lartësohet si flamur

O si flamur

Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim

Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,

Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim

Heeej!me ty gjithmone ne ball, me ty o le

gjendar(2x)

Me ty gjithmonë në ball,

me ty o legjendar (2x)

….

NJI TJETËR ANDËRR

dimën asht e ftohti ka ra bashkë me natën

lodh gjymtyrësh e hutue mendjet

dhe gjumi ka ardhun

mos m’thoni se nuk keni pa andërr

tue pa andërr

ma s’paku nji herë palue vitet n’palë t’jorganit

e kur n’ferkun e mjesit gjumi ka firue

i keni thanë vedit:

ardh kenka koha m’u zgjue

bashk me borën dimni ka ra

e n’mashtrim na ka xanun të tanëve

pa e diktue se po hyjmë në nji tjetër andërr

IKËN E IKËN

kam hipur në një urë

s’di sesi e s’di se kur

sot a dje a dikur

në është mbi Danub a Rajnë a Dri

në është prej hekuri a guri a druri

nuk e di

hipur kam të shoh valët e lumit

sesi vijnë

sesi shkojnë tutje moskthimit

e pafundit

krejt ndryshe nga ç’i shihja në letërsi

në vargje poezie a në prozë

me trille ritme e bujë

thonë se përposh saj

kurrë nuk rrjedh i njëjti ujë

VONË

po troket po troket

natëvones moj e mira

s’kam zemër portën mos të ta hap

në fakt

portën po e hap mëshira

GJAH

mërzitur nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm

bezdisur nga marrëzitë

kësaj nate me borë mora çiften e qëllimit

e iu futa pyllit të fantazisë

m’i mori sytë magjia e Hënës prej reflektimit

e më dehën farfuri mirazhesh

kur pashë një drenushe si para tytës së Leninit

po ku vritet bre Ifigjenia në Aulidë

midis Ifigjenisë së virgjër e sutës së pafajësisë

po e qëlloj pa dhimbje bufin plak

mjaftohem të them se vrava orët e kotësisë

mjaftohem të them: ja preja, s’është pak

….

KUR TË DESHA… KUR TË DUA TY…

Bëj të të harroj e s’e bëj dot.

Ç’janë këto krahasime demode:

Natë me pjalm hëne,

Fjolla me trajta magjike bore?

Kur të desha… kur të dua ty…

së brendshmi ndjej e ndiej drithërimë

në çdo fije floku,

në çdo qelizë e në çdo pore.

…dhe harrova, dhe harroj ku qeshë e ku jam

në ujërat përreth Shkodre,

blusë së valëve të Sarandës

a kalldrëmit të vjetër të Gjakovës,

në qe dje, sot a ditëve të paardhura?

Bregoreve të mallit përplasen korrente

e fryn shumë erë.

Vdekja, po,

ajo edhe mund të harrohet.