Mobiljet, veprat e artit, bizhuteritë dhe kujtimet që i përkasin divës së ndjerë italiane, Gina Lollobrigida do të shiten në ankand në Xhenova më 28 dhe 29 maj.

Ndër artikujt në shitje është një orë që Lollobrigida dikur e mori si dhuratë nga lideri revolucionar kuban, Fidel Castro.

Aktorja, e cila më vonë bëri karrierë edhe si fotografe, vdiq në janar 2023 në moshën 95-vjeçare.

Artikujt e ofruar përfshijnë gjithashtu kamerën që Lollobrigida pëlqente ta përdorte për të bërë foto portrete.

Ajo e përdori atë për të fotografuar figura të njohura, duke përfshirë aktorin Paul Newman, piktorin Salvador Dali dhe diplomatin Henry Kissinger.

Ajo kishte me vete kamerën edhe në një vizitë në Kubë, kur fotografoi Fidel Castro.

Castro, nga ana tjetër, i dhuroi asaj një orë dore dixhitale me mbishkrimin “Për Gina Lollobrigida me admirim”.

“Kam ardhur të shoh Papën dhe Lollobrigida” tha Castro gjatë një vizite në Romë.

Përveç bizhuterive të ndryshme, në ankand do të paraqitet edhe një kabinet monumental prej druri siçilian i zbukuruar me korale dhe guaske breshke, shpata të përdorura në filmin “Gruaja më e bukur në botë”, stolat e kopshtit prej porcelani kinez, ikona ruse dhe skulptura të perëndive tibetiane.

Për dekada me radhë, Lollobrigida ishte një nga aktoret më të famshme në botë.

Filmat e saj më të njohur përfshijnë “Trapeze”, “Fanfan la Tulipe” dhe “The Hunchback of Notre Dame”.