Prishtinë – “Librat e Shilerit, Balzakut e Gëtes, në qoftë se nipi im nuk i do, t’i dërgohen Jeronim de Radës.

Shkopi im t’i dërgohet filanit, kurse dysheku i shtratit t’i jepet fistekut”. Ky testament i trishtë paraqet krejt pasurinë e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të plejadës romantike arbëreshe. I lindur më 16 shtator të vitit 1819 në fshatin Shën-Katerinë të Kozencës, Françesk Anton Santori konsiderohet si nismëtar i një sërë zhanresh të reja në letërsinë shqipe.

Vepra e tij “Emira” konsiderohet si e para dramë shqipe e shkruar ndonjëherë, përderisa atij i njihen merita edhe për lërimin e satirave e tragjedive të para. Ndonëse në vitin 1860 kishte braktisur jetën monastike françeskane, studiuesit vënë në dukje faktin se historia dhe kultura popullore përbëjnë motivet kryesore të letërsisë së Santorit.

Në atë që vetë autori e titullonte si “tragi-comedia albano-itala” (tragji-komedi shqiptaro-italiane), ngjarja vinte në spikamë karakteret e Emirës, Kalinës, Albencit dhe Mirjanit gjatë një kryengritjeje në Kalabri.

Aspekte të reja mbi korpusin letrar të Santorit kanë qenë strumbullari i tryezës “200-vjetori i lindjes së Anton Santorit”, të mbajtur të mërkurën në Fakultetin e Filologjisë në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në hapje të tryezës, profesor Osman Gashi ka lexuar një jetëshkrim të përmbledhur të shkrimtarit arbëresh.

“Kam fatin që kam pranë dy profesorë të nderuar, Anton Berishën nga Universiteti i Kozencës dhe Sali Bashotën nga Universiteti i Prishtinës. Është një rast i jashtëzakonshëm për të folur për shkrimtarin, poetin dhe novelistin e njohur të letërsisë arbëreshe”, ka thënë ai.

“Santori ka krijuar një pasuri të jashtëzakonshme me dorën e mendjen e tij. Është themelues i pesë llojeve letrare: romanit të parë, satirës, komedisë, dramës dhe tragjedisë”, ka thënë Berisha./koha.net/