– Do të bësh një intervistë me Profesorin, se këtë vit ka shtatëdhjetëvjetorin e lindjes! – më tha redaktori i shtojcës së gazetës në të cilën po bëhej viti i dytë që punoja, punë të cilën në fillim e pata marrë me shumë entuziazëm, nga malli i shtampësë, edhe për arsye që puna e mësuesit që e bëja në një gjimnaz në provincë nuk më tërhiqte, por që ky entuziazëm shpejt më ra, pas konflikteve të cilat filluan të ndodhnin në gazetë ende pa u bërë tre muaj, në mes dy drejtorëve: drejtorit të përgjithshëm dhe drejtorit (dy drejtorët kishin bërë bisedime dymbëdhjetë muaj për hapjen e gazetës, ndërsa ky i dyti më kishte marrë në punë), të cilat përfunduan me largimin e njërit nga dy drejtorët, të atij më të madhit, drejtorit të përgjithshëm, mbi të cilin ngadhënjeu drejtori, me ç’rast, drejtori i përgjithshëm i mori me vete edhe redaktorët e gazetarët që i kishte sjellë në gazetë, ndërsa drejtori i mbetur, krenar, i cili kokën e mbante gjithnjë lart, por tani që e ngriti edhe ca më shumë, mbeti në punë e, me të, në punë mbeta edhe unë.

Po nuk i shkoi gjatë edhe drejtorit: drejtori i përgjithshëm u kthye në punë, jo me kokën lart, por prapëseprapë u kthye, ndërsa drejtori, ky kryelarti, tani kokulur, doli nga puna dhe unë, pasi e dija se shkaku i largimit të drejtorit të përgjithshëm kishte qenë konflikti me drejtorin dhe përfundimi i këtij konflikti e kishte nxjerrë jashtë atë, nuk mund të qëndroja indiferent nga kthimi i të përgjithshmit, dhe, në këtë gjendje isha, kur një ditë, erdhi në zyrën time kryeredaktori (edhe ky kishte mbetur në punë kur shkoi drejtori i përgjithshëm, po që gjatë kohës sa kishte punuar nën pushtetin e drejtorit, jo pak i ishte dashur të ndrydhte karakterin e tij grindavec dhe të ulte kryet më tepër sesa duhej që është e natyrshme të ulej kur ke dikë mbi vete), ndërsa kur i hapte mbledhjet e mëngjesit gazetarëve e gazetareve u thoshte se duhej të punonin në kor, pra të bënin punë të përbashkët, kolektive, mua, me një të folur paksa solemne, që nuk i shkonte shumë natyrës së tij, m’u drejtua:

– Tani e prapa, Gëzim, duhet të punosh e të veprosh solo!

Po drejtori i përgjithshëm, me siguri duke e kuptuar gjendjen në të cilën ndodhesha, një ditë, ma vuri dorën në qafë dhe më tha, Mos u brengos fare, puno gjithnjë siç ke punuar deri më tani!

Fjalët e drejtorit të përgjithshëm më çliruan sadopak nga ai hall, por që nga konflikti në mes dy drejtorëve, sa herë që shkoja në punë, me të hyrë në zyrë, së pari më shkonin sytë te tavolina: kishte mbi të një zarf apo jo! Dhe, ti lexues, e di që nuk e kupton çfarë zarfi. Ja po ta them: zarf brenda të cilit gjendet një letër, në të cilën, me mirësjellje, punëdhënësi shkruan: I nderuar N.N.! Të falënderojmë për punën që ke bërë deri më tani në kolektivin tonë, po që tani e prapa nuk kemi punë për ty! Me respekt, drejtori… Në fund, si zakonisht, nënshkrimi.

Me kthimin e drejtorit të përgjithshëm, nga puna nuk më larguan, por ma ulën pagën dhe ma ndërruan pozitën, nga redaktor i kulturës në redaktor gjuhësor. Shkurt, lektor, por për të më dalluar nga dy lektorët tjerë, sepse bëja edhe punën e gazetarit: shkruaja për ndonjë problem të përgjithshëm, bëja ndonjë intervistë, të martave bëja paraqitjen e tri botimeve të reja, ndërsa për të shtunën një recension të shkurtër. Ndodhte të lexoja një libër edhe 300 apo 400 faqesh, apo edhe më shumë, për të bërë një recension rreth një faqe e gjysme A/4!

Në këtë kohë bëra edhe një shkrim për një plagjiaturë. Shkrimi u botua të shtunën, në Shtojcën e gazetës, po u paralajmërua të premten mbrëma në televizion, i dhënë në faqen e parë të gazetës!

Shkrimi bëri shumë bujë. Ato ditë flitej se plagjiatori ishte mbyllur dhe nuk kishte dalë në qytet dy javë rresht. Gazetarëve që dilnin në terren, kur ishte ndalë vetura në semafor te Katedralja, nga ana tjetër e rrugës kishte nxjerrë dikush kryet nga një veturë dhe i kishte kërcënuar, Hajt, hajt, vetëm shkruani ashtu, do ta shihni, po mua personalisht, duhet ta them këtë, askush asgjë nuk më tha, po as i apostrofuari për plagjiaturë nuk bëri ndonjë reagim. Pas disa ditësh, bisedat nga plagjiatori, kaluan te unë. Pra, tani kryefjalë e bisedave në kuluare nuk ishte ai që e kishte bërë plagjiaturën, po ai që e kishte shpallur. Pasi citimet ishin nga gjuhë të huaja, tani krejt bisedat u përqendruan në atë se zbuluesi i plagjiaturës nuk ishte njohës i atyre gjuhëve, po pas këtij zbulimi fshihej dikush tjetër apo ndoshta edhe ndonjë ekip. Dhe se çështja nuk ishte te e vërteta, po te njollosja e personit në fjalë, pasi ai mbante pozita të larta, së paku tri pozita, ndërsa unë isha vetëm një gazetar i zakonshëm!

Aq shumë punoja, ndoshta edhe për të harruar se një ditë do të shoh ndonjë zarf mbi tavolinën e punës, kur m’u afrua një ditë drejtori dhe më tha se kam punuar tepër sa kam nevojë për një pushim, prandaj, si shpërblim, mund të merrja disa ditë pushim, po unë nuk pranova, thashë të mos e humb tempin e punës. Po edhe drejtorit të përgjithshëm nuk i shkoi gjatë. Nuk e di arsyen e largimit, për shkaqe shëndetësore apo për ndonjë mosmarrëveshje me pronarin, u largua. Dhe ato ditë u fol se do të vinte drejtor zëvendës presidenti i partisë. (Kur jemi këtu, pasi harrova të tregoj më lart, pronari i gazetës pasi hapi gazetën, themeloi edhe partinë. Dhe zëvendës presidenti i partisë ishte ai për të cilin u fol se do të vinte si drejtor në gazetë!). Me të dëgjuar se kush do të vinte, menjëherë mendja më shkoi për të keq. Ky, gjithsesi pushtetin që po e merr, do ta përdor në mua. Po kur? Në momentin kur do t’i jepet mundësia e parë. Tani do të duhej t’i hapja sytë shumë, t’i bëja katër, ndërsa mua jo rrallë më dilnin gabime të vogla në lekturë, së paku një -ë më shumë ose më pak në ndonjë fjalë.

Që në fillim kur filloi të shtypej gazeta, u fol se pronari, pasi ishte mjaft i pasur, do të krijonte parti. Dhe kjo, pa u bërë një vit, u vërtetua. Vetë emri me të cilin pagëzoi partinë, ndërsa veten e shpalli president të partisë, premtonte shumë. Aleanca Kosova e Përparuar. Deri në largimin e pushtetit serb më 1999, kishte vepruar jashtë, ku kishte krijuar firmat ndërtimore në të cilat ishte treguar menaxher i suksesshëm dhe, në krahasim me liderët e  partive të tjera që nuk u kishte rënë rasti të kishin kryer as funksionin e zotit të shtëpive të tyre, në këtë aspekt kishte përparësi të madhe. Tani Kosova ishte e lirë dhe, mbi të gjitha, i duheshin menaxherë të mirë. Dhe ky ishte. Po mua, edhe pse në fillim kisha pasur iluzionin se përvoja e tij në menaxhimin e ndërmarrjeve gjigande afariste, nuk më interesonte të hyja në politikën e tij, bëja punë teknike – lekturë, si dhe shkrime të sferës së kulturës, nuk më pengonte politika e tij, sepse nuk përfshihesha në përkrahjen e saj direkt.

Në gazetë, po sillte zëvendëspresidentin e vet, gjë që tregonte se i kishte hyrë plotësisht politikës. Dhe ky zëvendëspresidenti i tij, në momentin e caktuar politik mund të luante rol të madh, bashkues, të opozitës kundër pozitës, shkurt një rol kyç në bashkimin e saj për ta marrë pushtetin me çdo kusht: si person, zëvendëspresident në Partinë për Kosovën e Përparuar, me shpirt në gjysmën e parë të partisë që ishte ndarë  në dy pjesë, dhe mik shtëpie i kryetarit të partisë së dytë!

Për bashkimin e këtyre tri partive, të kësaj ku ishte zëvendëspresident, dhe të dy pjesëve të partisë që ishte ndarë, do të duhej të bëhej dikush kurban. Dhe i zgjedhuri për kurban do të isha unë. Si? Nuk e dija, po e parandieja këtë.

Pas entuziazmit që më përfshiu kur redaktori më tha se do të bëja një intervistë me Profesorin me rastin e shtatëdhjevetorit të lindjes së tij, po që në rrethanat politike që zotëronin tani, do të mund të isha unë kurbani i bashkimit të skenës së përçarë politike, ia ktheva redaktorit:

– Mirë do të ishte të bëhej një intervistë me Profesorin për Shtojcën e gazetës, po unë mendoj se, në rrethanat në të cilat gjendemi, nuk do të ishte mirë të bëhej një intervistë me të!

– Përse e thua këtë? – ma ktheu.

– E them së paku për dy arsye: e para, nëse bëjmë një intervistë me të dhe nuk e publikojmë të plotë, po vetëm me pjesët që na pëlqejnë e, kjo nuk do të ishte mirë, sepse Profesori do të hidhërohej në mua! Ta kujtoj intervistën që ia bëra profesorit në muajt e parë të publikimit të gazetës, prej së cilës nuk u publikua as një e treta; e dyta, nëse e botojmë të plotë intervistën me Profesorin, Profesori, ashtu siç edhe e dimë, pa e sharë dikë nuk lë, dhe një gjë e tillë mund të na nxjerrë telashe me punëdhënësin, sepse i shari mund të ketë ndonjë lidhje me të. Dhe punëdhënësi ynë ka lidhje në të katër anët.

– Ti do ta intervistosh Profesorin, dhe intervista do të publikohet pikë për pikë, ashtu siç edhe do të bëhet!

Unë i thashë, mirë, mirë, po mos harro se kjo intervistë do të na kushtojë.

Pasi dola nga redaktori i Shtojcës, shkova në zyrën r kryeredaktorit dhe ia tregova, pikë për pikë, idenë e redaktorit për të bërë intervistën me Profesorin, si dhe pikë për pikë, ia thashë arsyet përse nuk do të duhej të bëhej kjo intervistë. Kryeredaktori, ma preu shkurt:

– Bëje intervistën! Ajo që thotë Profesori në intervistë, është e drejta e tij dhe intervista do të botohet e plotë! – Në vazhdim më tha se unë nuk duhej të frikësohesha për pasoja, ta bëja intervistë.

Pasi u sigurova nga të dy se intervista do të botohej e plotë dhe se unë nuk do të kisha pasoja, shkova te Profesori, në zyrën e tij. Pasi trokita dhe, me atë zërin kumbues Profesori më tha, Hyn, hyra në zyrë, u përshëndeta me të dhe ai më tha të ulem.

Pasi e pyeta për shëndetin dhe familjet, për punët e tij dhe projektet, ia thashë arsyen e vizitës time tek ai: me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të lindjes, isha i obliguar nga Redaksia të merrja një intervistë me të. Profesori më dëgjoi me vëmendje, u drejtua, mori frymë thellë dhe më tha, shkurt:

– Nuk mund të japë intervistë për gazetën tuaj! Dhe pasi bëri një pushim, më tregoi arsyen. Ai më tha se e kishte ndierë veten shumë të fyer, e theksoi: tejet të fyer, që në intervistën që më kishte dhënë në kohën kur e kishim filluar botimin e gazetës, më shumë se dy të tretat ia kishim hequr:

– Përse duhet të japë një intervistë tjetër, kur mund të ndodhë si me të parën?!

Unë u përpoqa t’ia mbushja mendjen profesorit se nuk do të ndodhte edhe një herë ajo që kishte ndodhur me intervistën e parë, por ai, mosbesues, ishte i vendosur të mos jepte intervistë. Kur e kuptova se nuk do të jepte intervistë, pasi më nuk kisha arsye të qëndroja më gjatë me të në zyrë, po edhe se kisha punë të tjera, i mora leje, dhe dola.

Të them të drejtën, nuk m’u prish edhe aq qejfi, pasi kjo intervistë edhe unë dëshiroja të mos bëhej, por pasi më kishte obliguar redaksia e gazetës, bëhesha sikur doja ta bëja atë.

Me t’u kthyer në gazetë, shkova drejt e te redaktori i Shtojcës, të cilit ia komunikova lajmin se Profesori nuk do të japë intervistë, sepse ai e ndien veten të fyer nga gazeta jonë, e cila intervistës që kisha bërë më herët me të, ia kishte hequr më shumë se dy të tretat! Redaktori më dëgjoi, po prapë këmbënguli që unë ta bëja intervistën. Intervista me Profesorin do të ngrinte më lart lexueshmërinë e gazetës. Pastaj edhe reklamimi i temave në mbrëmjen, një natë para se të dilte, ndikonte shumë në shitjen e gazetës.

Me këtë rast, fjalë për fjalë, edhe një herë i thashë redaktorit të Shtojcës, se nuk ishte mirë të bëhej kjo intervistë. Ia theksova edhe një herë arsyet përse nuk do të ishte mirë të bëhej intervista. Kjo intervistë na rrezikonte, por redaktori i Shtojcës, edhe këtë herë, me argumentet që m’i kishte dhënë herën e parë kur i kisha thënë se nuk do të ishte mirë të bëhej intervista, argumente që i përsëriti edhe një herë, më tha se intervista duhej të bëhej dhe unë duhej të përdorja çdo mënyrë që të arrija ta merrja nga Profesori. Pasi redaktori ishte këmbëngulës se intervista duhej të realizohej, unë s’kisha tjetër vetë të dilja nga zyra e tij e të mendoja se si të arrija ta bindja profesorin të jepte intervistën. Po në këto mendime e sipër, edhe një herë u ngjita një kat më lart, te kryeredaktori, të cilit i thashë se redaktori i Shtojcës ishte këmbëngulës që të bëhej intervista, ndërsa unë ia theksova edhe një herë arsyet përse nuk do të duhej të bëhej kjo intervistë. Për mua arse shtesë përveç atyre që i kisha theksuar më parë, ishte edhe mospajtimi i Profesorit për dhënien e kësaj interviste. Edhe kryeredaktori këmbënguli të bëhej intervista. Profesori ishte akademik dhe ishte e drejta e tij e pamohueshme që të jepte opinionin e vetë për çdo gjë. Pikë. Dhe me këtë pikë edhe kryeredaktori e kreu bisedën me mua.

Vazhdova të punoja me ritmin e përditshmërisë, herë pas here më kujtohej detyra se duhej të shkoja te Profesori e të provoja edhe një herë të merrja intervistën, po për shumë ditë nuk shkova. Kaluan edhe javët, dhe një ditë vendosa të shkoj. Shkova. Çfarë të them për këtë provë të dytë për t’i nxjerrë intervistën Profesorit, vetëm sa duhet t’i përsëris ato që i kam thënë për herën e parë kur hyra në zyrën e tij për të biseduar rreth intervistës.

Me kokë ulur u ktheva në redaksi. Profesori m’i tha fjalët e njëjta, dhe unë, po me fjalët e njëjta nga kthimi i parë nga Profesori, shkova drejt e te redaktori i Shtojcës, të cilit ia thashë, pa e harruar asnjë fjalë, fjalët e përpjekjes së parë për të marrë intervistë nga profesori. Në fund edhe një herë e theksova, se nuk do të ishte mirë të bëhej kjo intervistë, pasi kishte rrezik. Edhe redaktori i përsëriti po fjalët që m’i kishte thënë kur u ktheva herën e parë pa marrë intervistën nga Profesori. Në fund shtoi se intervista duhej të bëhej patjetër.

Dola nga zyra e redaktorit të Shtojcës dhe, edhe një herë u ngjita një kat më lart, hyra në zyrën e kryeredaktorit. Edhe këtij, sikurse edhe redaktorit të Shtojcës, ia përsërita fjalët që ia kisha thënë kur isha kthyer nga Profesori pa marrë intervistën. Në fund, edhe këtij ia theksova se nuk do të ishte mirë të bëhej kjo intervistë! Po edhe kryeredaktori m’i tha fjalët e njëjta, të cilat nuk po i përsëris këtu.

Kur më obliguan për të marrë intervistën nga Profesori, kishte qenë pranverë, vera erdhi dhe unë nuk arrita të merrja intervistën. Tani kisha mbetur në mesin e redaktorit të Shtojcës e kryeredaktorit, që këmbëngulnin të realizoja intervistën, dhe Profesorit, që këmbëngulte të mos e jepte atë. Çfarë të bëja? Asgjë. Vazhdoja të punoja si zakonisht.

Redaktori i Shtojcës këmbëngulte ta bëja intervistën, po edhe unë nuk u dorëzova: vendosa të shkoja për herë të tretë t’i kërkoja profesorit të më jepte intervistën. Këtë herë profesori pranoi. Unë ia lashë pyetjet.

Ishte fillimi i javës, ndërsa intervista do të publikohej të shtunën. Profesori ishte njeri i fjalës. Iu përgjigj pyetjeve. Ishte e premte kur ia solla intervistën redaktorit të shtojcës, ai ia hodhi një sy dhe gati sa nuk fluturoi nga gëzimi. Menjëherë e futi në mes teksteve të tjera që ishte duke i përgatitur dhe filloi menjëherë punën me të.

Të shtunën u publikua intervista, sigurisht pasi u paralajmërua në Tv të premten mbrëma. Të dielën e publikoi edhe një gazetë e Prishtinës. Të hënën e publikoi “Gazeta shqiptare”, që botohej në Tiranë dhe unë nuk mund të mos ndihesha mirë me jehonën që pati intervista ime me Profesorin.

Të hënën edhe, si zakonisht, dola në punë. Në mbrëmje, afër tavolinës ku punoja, kaloi vëllai i pronarit, u ndal për një çast dhe, pasi qëndroi ashtu pa fjalë, m’u drejtua:

– Ti po bën intervista të cilat e dëmtojnë pronarin që të paguan?! Do ta shohësh! – dhe me këto fjalë, duke lëvizur kokën në shenjë habie dhe kërcënimi, u largua. Me vete mendova se drejtori, së pari do të më pyeste si kisha arritur deri tek intervista. Dita e nesërme erdhi, dhe ai nuk u pa. Kështu erdhi edhe e pasnesërmja, po prapë asgjë. Ditën e tretë, zarfi që e kisha pritur gjatë gjithë kohës, ishte mbi tavolinë. Edhe pa e hapur, e dija përmbajtjen e tij. Mblodha letrat, i futa në çantë dhe dola. Për ku tjetër, në shtëpi…