Shumë i lehtë? Prodhues i madh? Me shumë shije? Cilido qoftë kundërshtimi ndaj muzikës së Camille Saint-Saënsit, kompozitori francez është neglizhuar dhe anashkaluar turpshëm. Ky vit shënon njëqindvjetorin e vdekjes së tij dhe ky është moment i mirë për të mbrojtur çështjen për dikë që, ndonëse nuk mund të jetë fare në Ligën Premier të kompozitorëve, sigurisht që është në krye të Kampionatit dhe mund të jetë i denjë për promovim. Brentford, nëse jo Beethoven, shkruan për ditoren Guardian, kritiku Stephen Moss.

Një pjesë e problemit me Saint-Saënsit është se kompozoi me shumë lehtësi. Ju nuk mendoni se, shprehet pianisti Stephen Hough (meqë ra fjala, një adhurues i cili ka incizuar të pesë koncertet e tij të pianos), se kishte pika djerse në ballin e tij teksa kompozonte. Ishte fëmijë i mrekullueshëm – më i talentuar se Mozarti, siç disa mendojnë; u bë pianist koncertal dhe organist i njohur; ndërsa ka kompozuar pa pushim gjatë gjithë jetës së tij të gjatë. “Unë prodhoj muzikë ashtu siç një pemë molle prodhon mollë”, ka thënë ai një herë.

Pavarësisht nëse ishte mburrje apo fakt, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se është goditur nga kritikët që duan që artistët të skalitin nga një pllakë vuajtjesh. Ka shumë dëshmi që Saint-Saëns vuajti në jetën e tij – nga një nënë e egër e dominuese, një martesë katastrofike, vdekja e dy djemve të vegjël (njëri prej të cilëve ra nga dritarja e apartamentit të familjes), e ndoshta ishte homoseksual (megjithëse provat janë kryesisht rrethanore). Por, ajo vuajtje rrallë u shpreh në muzikën e tij. Ai e nderonte formën dhe i urrente tepricat e emocioneve artistike. “Ekspresioni dhe pasioni e joshin amatorin”, këmbëngulte ai. “Një artist i cili nuk është i kënaqur nga linjat elegante, nga ngjyrat harmonike dhe progresionet e bukura harmonike, nuk ka njohje për artin”.

Saint-Saëns lindi më 1835 dhe në ditët e tij të hershme ishte modernist, duke dashur Schumannin dhe Wagnerin. Por, teksa u rrit, u bë gjithnjë e më konservator dhe jashtë sinkronit me disponimet muzikore. Ai e urrente atë që e shihte si impresionizëm pa formë nga Debussy dhe veproi kundër tij. Megjithëse nuk ishte, siç pohohet shpesh, pjesë e turmës që e sulmoi “Ritin e Pranverës” në premierën e vitit 1913, mendonte se Stravinsky është i çmendur.

Përballë këtij revolucioni modernist, Saint-Saëns vazhdoi të nxirrte muzikë me shije, të formuar në mënyrë perfekte, me vetëdije harmonike. Pjesët që kritikët mund t’i hidhnin poshtë si ëmbëlsira borgjeze, në një epokë kur gjithçka shkon ato sot tingëllojnë çuditërisht të guximshme. Përkrahësit revizionistë pëlqejnë ta quajnë Saint-Saënsin si neoklasicistin e parë dhe në njëqindvjetorin e tij ne të paktën duhet t’i bëjmë nderin ta dëgjojë sërish si kompozitor fuqia e të cilit – prodhimtaria, zgjuarsia, ngjeshja, ngurrimi emocional – ishte gjithashtu dobësia e tij, por që la gjurmë në muzikë të cilën kritikët ndonjëherë kanë kërkuar padrejtësisht ta fshijnë.