Filozofia e gjuhës është një degë e filozofisë që eksploron natyrën, origjinën dhe përdorimin e gjuhës. Ajo përfshin shqyrtimin e mënyrës se si funksionon gjuha, marrëdhënia e saj me realitetin dhe implikimet e strukturave gjuhësore për të kuptuar botën. Filozofi francez Zhan Zhak Ruso ka dhënë kontribut të pamohueshëm në këtë drejtim. Kryeveprat e tij si “Kontrata Sociale” “Emili ose Traktat Mbi Edukimin”, “Rrëfimet“ etj. janë të njohura për atë pjesë të popullatës e cila leximin e ka pasion. Por, një veper e tij të cilën ai nuk arriti kurrë ta botonte për shkak të vdekjes, ishte “Ese mbi origjinën e gjuhëve”. Kjo vepër ishte kaq e thjeshtë për tu lexuar, e njëkohësisht ekstremisht avantgarde po të kemi parasysh periudhën në të cilën ai punoi dhe jetoi.

Unë madje do të thoja që tek ajo vepër ende e pa botuar në shqip, për një lexues i cili e dashuron librin dhe mbi të gjjtha filozofinë, do të vërë re aty nje paraprirje të mendimit jo vetëm gjuhësor por edhe atij social. Sepse duke analizuar origjinën e gjuhës normalisht që nuk mund ta ndash atë nga njerëzorja (socialja dhe komuniteti e origjina e bashkëformimi i tij) dhe më vonë do të shohim një solidifikim të këtij mendimi tek shkrimtarë si Gustave Le Bon dhe Montesquieu.

Gjendja natyrore: Ruso fillon duke postuluar një “gjendje të natyrës” hipotetike, – një gjendje primitive ku njerëzit jetonin para krijimit të shoqërisë së organizuar. Në këtë gjendje, ai sugjeron se njerëzit ishin qenie të vetmuara, të nxitura nga nevojat dhe emocionet bazë. Komunikimi ishte kryesisht nëpërmjet gjesteve, shprehjeve dhe vokalizimeve (britmave) të thjeshta.

Origjina e gjuhës së artikuluar: Sipas autorit, kalimi nga tingujt e paarsyeshëm ose të themi më thjeshtë të paktupueshëm në gjuhën e artikuluar u nxit nga zhvillimi i nevojave sociale. Ndërsa njerëzit filluan të jetonin në grupe të vogla, lindi nevoja për një komunikim më të saktë. Kjo domosdoshmëri çoi në evolucionin gradual të gjuhës në një formë më të strukturuar dhe më të artikuluar

Kontrata sociale: Që këtu shohim pra se Ruso i lidh teoritë e tij gjuhësore me konceptin e tij më të gjerë të kontratës sociale. Në procesin e formimit të shoqërive, individët hynë në marrëveshje apo kontrata, duke sakrifikuar disa liri natyrore për hir të jetesës komunitare ç’ka përbën bazën e vetë idesë së kësaj kontrate: Diçka që secili prej nesh mund ta shohë dhe të të bindet që kjo teori solli në vetvete ndryshimin radikal ose të paktën e inicioi atë sepse zhvillimi i jetesës komunitare, pavarsisht debatit që postmodernistët do të sillnin më vonë ngelet i pamohueshëm. Prandaj këtu, sipas autorit, vëmë re se: “Gjuha u bë një mjet jo vetëm për komunikimin, por edhe për të lundruar në kompleksitetin e marrëdhënieve shoqërore.”

Ndikimi negativ i qytetërimit dhe efekti i saj tek vetë gjuha e folur: Ndërsa pranonte përfitimet e organizimit shoqëror, Ruso ishte kritik ndaj pasojave negative që shoqëruan përparimin e qytetërimit. Ai argumentoi se zhvillimi i pronës private, hierarkisë sociale dhe institucioneve komplekse çoi në korrupsionin e gjuhës. “Fjalët dhe gjuha, të cilat fillimisht ishin mjete të shprehjes së vërtetë, u bënë instrumente të manipulimit, mashtrimit dhe shtresëzimit shoqëror.”

Simbolika dhe abstraksioni: Autori diskuton se si gjuha evoluoi nga një formë konkrete dhe e ngarkuar emocionalisht në një formë më abstrakte dhe më e shkëputur. Ndërsa shoqëritë përparonin, gjuha u bë një sistem simbolesh, duke lejuar shprehjen e ideve dhe abstraksioneve komplekse. Megjithatë, Ruso e pa këtë abstraksion si një largim nga autenticiteti i gjuhës origjinale, të nxitur emocionalisht.

Theksimi i ndjenjës: Ruso vë theksin fort në rolin e ndjenjave dhe emocioneve në fazat e para të gjuhës. Ai besonte se gjuha e kishte origjinën nga nevoja për të shprehur emocione dhe dëshira të menjëhershme. Në kontrast me këtë, ai kritikoi gjuhët më të sofistikuara të kohës së tij, të cilat në sytë e tij po shkëputëshin nga shprehja e vërtetë emocionale dhe po sillnin degradimin e përmendur më lartë.

E nësë kjo iu ngjan sadopak romantike dhe larg logocentrizmit që na formëson që në djep si një kulturë perëndimore, nuk duhet harruar se Zhan Zhak Ruso njhet si “babai i romanticizmit”. Shkrimtari dhe filozofi francez ndikoi në lëvizjen romantike në letërsi dhe idetë politike të të cilit frymëzuan udhëheqësit e Revolucionit Francez.

Më poshtë po ndajmë një pjesë të shkëputur nga kjo vepër ky flitet për shkrimin si fazë të mëvonshme të komunikimit njerëzor.

MBI SHKRIMIN

Çdokush që do të studiojë historinë dhe progresin e gjuhëve, do të shohë se me kalimin e kohës gjuhët bëhën gjithmonë dhe më monotonone, sa më shumë shumfishohen bashkëtingëlloret; dhe, ndërkohë që thekset bien nga përdorimi i tyre, vëmë re se dhe shumëllojshmeritë neutralizohen, ato zëvëndësohen nga kombinime gramatike dhe artikulime të reja.

Por, vetëm presioni i kohës është në gjendje t’i sjellë këto ndryshime. Deri në shkallën që shumfishohen, kjo çështje bëhët e komplikuar, shihet qartësisht e ndriçuar, gjuha ndrysho karakterin e saj: Ajo bëhet më e rregullt dhe më pak pasionante; zëvendëson idetë për ndjenjat. Nuk ka më nevojë të flitet nga zemra por nga arsyeja. Ngjashmërisht, thekset zhduken, artikulacioni rritet. Gjuha bëhet më ekzakte dhe e qartë, por më e stërzgjatur, e mërzitshme dhe më e ftohtë. Ky progres mua më duket mjaft natyral.

Një tjetër mënyrë për të krahasuar gjuhët dhe për të përcaktuar lashtësinë e tyre relative është konsiderimi i të shkruarit dhe të arsyetojmë duke u prapakthyer nga shkalla e perfeksionit të këtij arti. Sa më i lashtë shkrimi, aq më e lashtë gjuha. Mënyra primitive e të shkruarit nuk kishte si qëllim përfaqësimin e tingujve por vetë objektet; qoftë në mënyrë direkte, si në rastin e meksikanëve, ose me imaze alegorike, ose siç egjiptianët vepruan në mënyra të ndyshme. Kjo fazë korrespondon me gjuhën pasionante, dhe presupozon që disa shoqëri me disa nevoja specifike për të cilat kanë lindur pasionet.

Mënyra e dytë është të përfaqësohen fjalët dhe ndajfoljet me karaktere konvencionale. Kjo mund të bëhet vetëm kur gjuha është formuar plotësisht dhe një popull i tërë është i bashkuar me ligjësi të përbashkëta; sepse kjo tashmë presupozon një konventë të dyfishtë. I tillë është shkrimi i kinezëve; me të vërtetë përfaqëson tingujt dhe iu flet syve.

E treta, është zbërthimi i zërit të të folurit në një numër të caktuar pjesësh elementare, vokale ose artikuluese, me të cilat mund të formohen të gjitha fjalët dhe rrokjet që mund të imagjinohen. Kjo mënyrë e të shkruarit, që është e jona, duhet të jetë shpikur nga popuj tregtarë, të cilët, duke udhëtuar në vende të ndryshme, duhej të flisnin gjuhë të ndryshme, gjë që do t’i shtynte të shpiknin simbole që mund të ishin të përbashkët për të gjithë. Kjo nuk është pikërisht për të përfaqësuar të folurën, por për ta analizuar atë.

Këto tre mënyra të të shkruarit korrespondojnë pothuajse saktësisht me tre faza të ndryshme sipas të cilave mund të konsiderohen njerëzit të mbledhur në një komb. Paraqitja e objekteve është e përshtatshme për një popull të egër; shenja fjalësh dhe ndajfoljesh, për një popull barbar, dhe alfabeti për popujt e qytetëruar [peuples policés]. Nuk duhet menduar se kjo ‘pajisje’ e fundit është dëshmi e lashtësisë së madhe të njerëzve që e shpikën atë. Përkundrazi, ata që e shpikën me siguri e bënë këtë për të lehtësuar komunikimin me njerëz të tjerë që flisnin gjuhë të tjera po aq të vjetra sa të tyret, nëse jo më të vjetra. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy metodat e tjera. Megjithatë, pranoj që nëse dikush i përmbahet historisë dhe fakteve të njohura, shkrimi alfabetik duket se shkon prapa si çdo tjetër. Por nuk është për t’u habitur që nuk kemi të dhëna për raste kur nuk ka pasur shkrim të dokumentuar.

Nuk ka shumë të ngjarë që njerëzit e parë që e zgjidhën gjuhën në shenja elementare, të kenë bërë fillimisht ndarje shumë të sakta. Kur më vonë u bë e qartë se analiza e tyre ishte e pamjaftueshme, disa, si grekët, bënë shtesa në alfabetin e tyre. Të tjerët ishin të kënaqur të ndryshonin kuptimin ose tingullin e një shprehjeje nga kombinime dhe pozicione të ndryshme. Mbishkrimet në rrënojat e Tchelminar*, të cilat Chardin i ka deshifruar për ne, duket se janë shkruar në atë mënyrë. Ka vetëm dy figura ose karaktere të dallueshm, por me përmasa të ndryshme dhe të vendosura në pozicione të ndryshme, për kuptime të ndryshme. Kjo gjuhë e panjohur e një antikitetit thuajse befasues është, megjithatë, e mirëformuar, duke gjykuar nga përsosja e arteve siç tregohet në bukurinë e personazheve dhe monumentet e admirueshme mbi të cilat u gjetën këto mbishkrime.

Nuk e di pse ka kaq pak diskutime rreth këtyre rrënojave të mahnitshme. Kur lexova përshkrimin e Chardin-it për ta, ishte sikur të isha zhvendosur në një botë tjetër. Gjithçka më duket sikur më sillte mendime të thella. Arti i të shkruarit nuk varet aspak nga ai i të folurit. Ai rrjedh nga nevoja të një lloji tjetër që zhvillohen më herët ose më vonë ,sipas rrethanave krejtësisht të pavarura nga kohëzgjatja e njerëzve dhe që mund të mos kenë ndodhur kurrë në kombet shumë të vjetra. Kush e di se sa kohë egjiptianët nuk kishin asnjë sistem tjetër shkrimi përveç hieroglifëve. Që një sistem i tillë është i mjaftueshëm për një popull të qytetëruar, vërtetohet nga shembulli i meksikanëve, sistemi i të cilëve është edhe më pak praktik.

Duke krahasuar alfabetin koptik* me atë sirian ose fenikas, mund të shihet lehtësisht se njëri rrjedh nga tjetri. Dhe nuk do të ishte për tu habitur që kjo e fundit të ishte origjinale, as që sa më moderne të kenë mësuar aq më të lashtët në këtë mënyrë. Është gjithashtu e qartë se alfabeti grek rrjedh nga fenikasit dhe iu detyrohet atyre. Nëse Kadmusi* apo dikush tjetër e solli nga fenikasit, duket e sigurt se nuk e kërkuan grekët, por që ua sollën vetë fenikasit. Sepse ata janë i pari dhe pothuajse i vetmi  popull i Azisë ose Afrikës që e kanë origjinën në Evropë dhe ata erdhën te grekët shumë më herët se sa grekët shkuan tek ata; gjë që nuk vërteton domosdoshmërisht se grekët nuk ishin aq të lashtë sa banorët fenikas.

Në fillim ata adoptuan jo vetëm personazhet e fenikasve, por edhe drejtimin e linjave të tyre nga e djathta në të majtë. Më vonë u shkoi mendja të vazhdonin si parmendës, domethënë të shkruanin në mënyrë të alternuar nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të majtë. Më në fund, ata shkruanin sipas praktikës sonë aktuale të fillimit të çdo rreshti nga e majta në të djathtë. Ky zhvillim është krejt i natyrshëm. Të shkruash në modën e brazdës është padyshim gjëja më e rehatshme për t’u lexuar. Madje, jam i habitur që nuk u bë praktikë e vendosur me shtypjen; por, duke qenë e vështirë për t’u shkruar me dorë, ai duhej të braktisej ndërsa dorëshkrimet shumëzoheshin. Por ndonëse alfabeti grek rrjedh nga fenikasja, nuk rrjedh aspak që gjuha greke rrjedh nga ajo fenikase. Njëri prej këtyre propozimeve nuk ka varësi nga tjetri; dhe duket se gjuha greke ishte tashmë mjaft e lashtë në një kohë kur arti i të shkruarit ishte ende shumë primitiv në Greqi. Deri në rrethimin e Trojës, alfabeti grek kishte më së shumti gjashtëmbëdhjetë shkronja. Ekziston një traditë që Palamedes* shtoi katër, dhe Simonides* katër të tjerët, të gjitha brenda një kohe të shkurtër.

Nga ana tjetër, latinishtja, një gjuhë më moderne, kishte një alfabet të plotë pothuajse që në fillim. Por romakët e hershëm e përdorën pak, pasi filluan kaq vonë të regjistronin historinë e tyre dhe thjesht shënonin ilustrimet me koka gozhde. Përveç kësaj, nuk ka një numër absolutisht të përcaktuar të shkronjave, ose elementeve të të folurit. Numri mund të ndryshojë sipas gjuhës, dhe sipas modifikimeve të ndryshme të zërit dhe bashkëtingëlloreve. Ata që njohin vetëm pesë zanore janë tejet të mashtruar: Grekët kishin shtatë zanore të shkruara, romakët e parë kishin gjashtë. Zotërinjtë e Port-Royal numërojnë dhjetë, M. Duclos, shtatëmbëdhjetë.

Dhe nuk dyshoj se shumë të tjera do të mund të dalloheshin, nëse zakoni do ta kishte bërë veshin më të ndjeshëm dhe gojën më të praktikuar në modifikimet e ndryshme për të cilat ata janë të aftë. Në varësi të përsosjes së zërit, do të ketë një ndryshim më të madh ose më të vogël midis A-së akute dhe të O-së së thellë, midis I-së dhe E-së së hapur, etj.

Çdokush mund ta kontrollojë këtë duke bërë kalimin nga një tingull zanor në tjetrin, përmes hijeve të vazhdueshme të ndërmjetme; sepse njeriu mund të ndalet në çdo pikë, pak a shumë duke u fiksuar në një nuancë të caktuar, dhe ta shënojë atë me një karakter të veçantë, pasi forca e zakonit e bën atë pak a shumë të perceptueshëm.

Dhe ky zakon varet nga llojet e tingujve që shfaqen në gjuhë, sipas të cilave zëri zhvillohet në mënyrë të padukshme. E njëjta gjë mund të thuhet për shkronjat ose bashkëtingëlloret e artikuluara. Por, shumica e vendeve nuk e kanë bërë këtë. Ata kanë adoptuar alfabetet e njëri-tjetrit dhe kanë përfaqësuar tinguj dhe artikulacione shumë të ndryshme nga të njëjtat karaktere. Kështu, nëse dikush nuk e njeh jashtëzakonisht mirë një gjuhë të huaj, gjithmonë jep një lexim qesharak të atyre shprehjeve të saj që shkruhen njësoj si shprehjet në gjuhën e tij.

Shkrimi, i cili duket se e kristalizon gjuhën, është pikërisht ai që e ndryshon atë. Nuk ndryshon fjalët, por frymën, duke zëvendësuar përpikmërinë me ekspresivitetin. Ndjenjat shprehen në të folur, idetë me shkrim.

Me shkrimin, njeriu detyrohet të përdorë të gjitha fjalët sipas kuptimit të tyre konvencional. Por, në të folur, njeriu i ndryshon kuptimet duke ndryshuar tonin e zërit, duke i përcaktuar sipas dëshirës. Duke qenë më pak i kufizuar ndaj qartësisë, mund të jesh më i fortë. Dhe nuk është e mundur që një gjuhë që shkruhet të ruajë vitalitetin e saj për aq kohë sa ajo vetëm flitet. Shkruhen fjalë [voix], jo tinguj [sons]. Megjithatë, në një gjuhë të lakuar, këto janë tingujt, thekset dhe të gjitha llojet e modulimeve që janë burimi kryesor i energjisë për një gjuhë dhe që e bëjnë një frazë të caktuar, përndryshe krejt të zakonshme, të përshtatshme në mënyrë unike. Mjetet e përdorura për të kapërcyer këtë dobësi priren ta bëjnë gjuhën e shkruar mjaft të përpunuar; dhe shumë libra të shkruar në ligjërim do ta gjallërojnë gjuhën. Të thuash gjithçka, siç do të shkruante dikush, do të ishte thjesht të lexoje me zë të lartë.

*Tchelminar- e njohur ndryshe si Chilminar, rrënojat e Persepolis

*Alfabeti koptik – është një variant i alfabetit grek që përmban një numër shkronjash shtesë për tingujt që nuk gjenden në greqisht.

*Kadmus në mitologjinë greke ishte heroi legjendar grek dhe themeluesi i Tebës boeotiane.

*Palamedes ishte një princ Eubean, djali i mbretit Nauplius në mitologjinë greke. Ai u bashkua me pjesën tjetër të grekëve në ekspeditën kundër Trojës. Ai ishte i lidhur me shpikjen e zareve, numrave dhe shkronjave.

*Simonides ishte një poet lirik grek. Studiuesit e Aleksandrisë helenistike e përfshinë atë në listën kanonike të nëntë poetëve lirik të vlerësuar prej tyre si të denjë për studim kritik.

Dionis Hasani përgatiti materialin dhe e përktheu. Ai është student i Fakultetit të Shkencave Sociale, në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.