Këtë 1 Maj parku i Apolonisë pati një fluks të pazakontë vizitorësh, jo vetëm vendas por edhe të huaj.

Të ardhur nga Franca, Spanja, Danimarka, Finlanda, republika Çeke,  Italia, Polonia, Britania shijuan këtë ditë pushimi historinë dhe natyrën.

Në përshtypjet e vizitorëve të huaj, Shqipëria është një vend me natyrë të mrekullueshme dhe njerëz mikpritës.

“Kam vizituar disa qytete si Tiranën, Durrësin, Beratin e Sarandën dhe jam mrekulluar nga peizazhi natyror i Shqipërisë dhe me këto përshtypje më ngjallet dëshira ta vizitoj përsëri Shqipërinë, por me destinacion Veriun dhe Alpet”, tha një turist francez.

Ndërkohë drejtuesja e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dhe Bylis, Ornela Durmishi është shprehur se kjo periudhë shënon një fluks vizitorësh që përkon dhe me çeljen e sezonit turistik.

“Nuk kemi më një turizëm sezonal. Vetëm përgjatë kësaj periudhe është rritur me 100% më shumë numri i turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me muajin prill numri i turistëve shënoi rekord me 10 mijë vizitor”, tha Durmishi./TopChannel/