Një pjesë e mirë e artikujve shkencorë nuk po arkivohen dhe ruhen siç duhet. Një studim i kryer me më shumë se shtatë milionë publikime digjitale tregon se sistemet në këtë drejtim nuk ia dalin të mbajnë ritmin me rritjen e rezultateve të kërkimit.

Rezultatet e studimit u publikuan në ‘Journal of Librarianship and Scholarly Communication’.

“E gjithë epistemologjia jonë e shkencës dhe kërkimit mbështetet në rreshtat e shënimeve në fund të faqes”, shpjegon Martin Eve, studiues në Universitetin e Londrës.

“Nëse nuk mund të verifikosh atë që dikush tjetër ka thënë në një moment tjetër, mbetet që thjesht të besosh verbërisht diçka që nuk mund ta lexosh më vetë.”

Organizata e infrastrukturës dixhitale Crossref verifikoi nëse 7 438 037 punë studimore të etiketuara me identifikues digjital të objekteve (DOI) mbahen në arkiva.

Njëzet e tetë përqind e këtyre veprave – më shumë se dy milionë artikuj – nuk rezultonin në një arkivë të madhe digjitale, pavarësisht se kishin një DOI aktive. Vetëm 58% e DOI-ve referuan vepra që ishin ruajtur në të paktën një arkivë.

Specialistët e ruajtjes së materialeve e kanë mirëpritur analizën.

“Është e vështirë të dihet shtrirja reale e sfidës së ruajtjes digjitale me të cilën përballen revistat elektronike,” thotë William Kilbride, drejtor menaxhues i Koalicionit të Ruajtjes Dixhitale, me seli në York, Britani.

“Shumë njerëz kanë supozimin e verbër se nëse ka një DOI, artikulli është aty përgjithmonë,” thotë Mikael Laakso, i cili studion botime shkencore në Shkollën Ekonomike Hanken në Helsinki. “Por kjo nuk do të thotë se lidhja do të funksionojë gjithmonë.” Në vitin 2021, Laakso dhe kolegët e tij raportuan se më shumë se 170 revista me akses të hapur ishin zhdukur nga interneti midis 2000 dhe 2019.

Kate Wittenberg, drejtoresha menaxhuese e shërbimit të arkivimit digjital Portico në qytetin e Nju Jorkut, paralajmëron se botuesit e vegjël janë më të prirur për të mos i ruajtur artikujt sesa ata të mëdhenj.

“Kushton për të ruajtur përmbajtjen,” thotë ajo, duke shtuar se arkivimi përfshin infrastrukturë, teknologji dhe ekspertizë në të cilat shumë organizata më të vogla nuk kanë akses.