“VIZITIMI I VETVETES”, tregim i cili alternohen dy teknika narrative, me një ndërthurje të precizuar, shpërfaqet vokacioni rrëfimtar i autorit për ta alternuar fantastiken me realitetin, ose metaforën e fantastikes si një realitet i ëndërruar, ose realitet i transfiguruar në metaforë të fantastikes. Kjo fakton një stërvitje krijuese autentike të autorit, dhe kjo po ashtu përbën tharmin e stilit të tij. Edhe këtu sikur paralajmërohet nga ana e autorit se do bëjë udhën krijuese në këtë univers që i fle në shpirt dhe për krijimtari, për t’i dhënë kuptim idesë dhe vizionit të tij krijues

Nga Nijazi MUHAMEDI

Proza më e mirë në historitë e letërsisë botërore nga shekulli 19 dhe gjer tek Markesi i bashkëkohësisë, ka mbetur ajo që e kanë shkruar autorë të cilët në prozë kanë kaluar nga rruga më e shkurtë, por edhe më e sigurt për të profilizuar ardhmërinë krijuese: nga ura e gazetarisë. Me përmbledhjen “VIZITIMI I VETVETES DHE TREGIME TJERA”, përmbledhje e parë në dorëshkrim me tregime, autori RILIND DAUTI shënon ardhjen e tij në letërsinë e sotme shqipe pikërisht përmes kësaj ure më të afërt me prozën dhe më premtuese për t’u bërë një emër krijuesi që sjell vizione e vlera letrare me një fuqi shprehimsie prej voka-cionit të vet të lindur, por edhe të kultivuar mandej përmes kulturës së tij letrare.Advertisements

Si lexues i parë i kësaj përmbledhjeje me tregime të Rilind Dautit e kam patur me lehtë ta përnjoh këtë kalim të autorit nga ura e gazetarisë në horizontet e prozës nga fakti se paraqitjen e tij në gazetari, në fakt, në shkrimet e tija analitike të botuara në revistën e përmuajshme mbarë-kombëtare “Shenja” ose të përditshmen “Koha” dhe jo vetëm në to, me të cilat si gazetar i brezit të vet të ri që vjen, e kam ndjekur me një interesim vlerësues të veçantë, sepse vëreja në vrojtimet e tij analitike diçka që gërshetohej me vokacionin e një rrëfimtari që bashkudhëton me atë vokacion krijuesi nëpër dy vizione rrëfimtare, të cilat në copëza të shkurtra alternohen me njëra-tjetrën sa herë që autori ka ndjerë nevojën që kontrapunktin e rrëfimit të tij ta bëjë më të përplotësuar në funksion të idesë rrëfimtare.

Kam bindjen e plotë se edhe lexuesit e vëmendshëm dhe letrarisht të përgatitur, që do e kenë në dorë tash pas botimit të këtyre rrëfimeve si libër më vete, do e vërejnë këtë bashkudhëtari të autorit ndërmjet dy hejzave rrëfimtare që shprehimsisë tregimtare i japin një ritëm të brendshëm dhe të natyrshëm. Si njohës kritik i përvojave letrare të autorëve debutues, në letërsinë shqipe, për debutimin e të cilëve kam patur nderin dhe rastin që të mbështes me recensione në faqet e shtypit, po edhe duke njohur edhe trajektoret krijuese të autorëve nga letërsitë e tjera të botës, e kam bindjen se ky fakt i natyrës krijuese të Rilind Dautit që imponohet me këtë përmbledhjen e tij të parë, do të mbetet dhe do të zhdrivillohet edhe më përputhshëm gjatë trajektores tregimtare dhe me mundësinë që të jetë elementi më i imponueshëm që do ta veçanësojë profilin e tij prej tregimtari dhe përtej.

Në strukturimin e përmbledhjes së tregimeve në dy pjesë: VIZITIMI I VETVETES DHE TREGIME TJERA, autori RILIND DAUTI i bën grishje lexuesit që leximit të përmbledhjes së tij t’i qaset në dy rrafshe të veçanësuara për nga tundimet krijuese: tek “VIZITIMI I VETVETES”, një tregim tek i cili autori ka shkrirë ambicien krijuese për t’i imponuar karakteristikat e formës tregimtare që ka parapëlqyer të sintetizojë si stil të tij të përkthyer shpirtërisht, pra, si stil të vetin dhe të vokacionit, prirjes së vet të lindur, duke e ruajtur mospërzierjen e tij nga ndonjë stil nga leximet ose nga moda. Dhe ky tregim e përmban pikërisht atë tharm të dellit krijues të tij dhe në përvojën e mëtejme është e kuptueshme se do evoluojë, do përplotësohet vijimisht nga përvoja e shkrimit, nga përvoja e jetës dhe nga përvoja e leximit, si ka ndodhur edhe tek autorët që kanë bërë një rrugëtim nga ura e gazetarisë tek ura e prozës.

“VIZITIMI I VETVETES”, tregim i cili alternohen dy teknika narrative, me një ndërthurje të precizuar, shpërfaqet vokacioni rrëfimtar i autorit për ta alternuar fantastiken me realitetin, ose metaforën e fantastikes si një realitet i ëndërruar, ose realitet i transfiguruar në metaforë të fantastikes. Kjo fakton një stërvitje krijuese autentike të autorit, dhe kjo po ashtu përbën tharmin e stilit të tij. Edhe këtu sikur paralajmërohet nga ana e autorit se do bëjë udhën krijuese në këtë univers që i fle në shpirt dhe për krijimtari, për t’i dhënë kuptim idesë dhe vizionit të tij krijues. Këtë udhëtim të përzgjedhur nga ana e autorit, do ia rekomandoja autorit edhe unë që ta mbajë dhe ta kultivojë po ashtu në nivel të dhuntisë së lindur krijuese që ka.

Ndërkaq, tek ‘TREGIMET TJERA”, kemi po ashtu një ndërthurje të rrëfimit përmes dy teknikave narrative, ndërsa rrëfimi bëhet më i lirshëm në alternimet e fantastikes së Universit në me një projektim të përplasjes së saj me realitetet individuale, apo kolektive, ose kur fantastikja rikuptimsohet si një metaforë që aludon apo e hedh si elipsë e ndjerë si një kërcënim nga realiteti kolektiv.

…Tregimi ” Vizitimi i vetvetes” , tek i cili mbeta i përqëndruar në lexim nga kërshëria për të zbuluruar mbrujtjen e stilit narrativ të Rilindit, është një metaforë guximi dhe invence krijuese: të dalë para lexuesit të tij me refleksin observues të fugës së brendshme shpirtërore e cila mund të metaforizohet në të shkruarën e saj vetëm përmes “shkruarjes si vetvetja”, e jo përmes ” “shkruarjes së rëndomtë”, si refleks ndikimesh nga autorët e lexuar ose të preferuar të autorit, si thotë më një ese të tij për veçoritë e origjinalitetit krijues eseisti freng Monteskie. Ky është, pra, guximi krijues që autori ia dhuron lexuesit si grishje e dlirë krijuese për të lexuar tregimin dhe tregimet e tij, brenda të cilëve lexuesi ndjehet se ka hyrë në një botë fiksioni narrativ të kompozuar prej kontrapunkteve narrative që ritmojnë përmes përthyejreve që alternohen natyrshëm dhe lexuesin e mbajnë mbërthyer me kërshëri për të ndjekur monopatet observuese dhe reflektuese të rrëfimit në tregimet e Rilindit. Ky lloj procedimi rrëfimtar përbën veçansinë e stilit të tij në këtë vepër të parë dhe që, sikundër e thonë studjuesit e stilit prozator, besojmë se do jetë identitet letrar I qëndrueshëm i tij si autor proze. Është e kuptueshme se në këto tregime kemi vetëm piketimet themelore të hapura të identitetit letrar të autorit, që nënkupton se evoluimi I pastajmë letrar i tij do zhdrivillohet brenda caqeve të gjera të procedimeve letrare të këtij stili që vjen i përputhshëm me të “shprehurit si vetja”, që është zëri i guximshëm observues dhe rrëfimtar i tij përballë fugës së realiteteve jetësore të kohës së sotme, të cilën brezi i ri letrar I Rilindit do ta përthejë me zërin dhe ndjeshmërinë krijuese ” duke shkruar si vetja”, si shkruamë më lartë thënien e eseistit freng, Monteskie.