Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, dhe Ambasadore e UNICEF UK, ndezi sot atmosferën në Tiranë.

E veshur edhe me flamurin kuqezi Rita Ora e nisi koncertin me këngën ‘Ritual’, të cilën e ka në bashkëpunim me DJ Tiesto.

Duke folur në gjuhën shqipe para dhjetëra qytetarëve që ishin mbledhur për të ndjekur koncertin e saj, Rita Ora tha se “do të shijoj çdo minutë të këtij koncerti. Ju falënderoj që keni dalë nga shtëpia sonte për të më ndjekur”.

Në koncertin e zhvilluar falas në sheshin “Skënderbej”, me rastin e shpalljes së Tiranës, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Rita Ora interpretoi këngët më të njohura të repertorit të saj në prani të mijëra të rinjve që kishin mbushur sheshin.

Në skenën e vendosur në sheshin “Skënderbej” u ngjitën më herët në skenë disa nga vajzat më të talentuara shqiptare, si Kida, Ronela Hajati, Semi Jaupaj dhe Efi Gjika, të cilat interpretuan disa prej këngëve të tyre.

Rita Ora ndodhet prej dy ditësh në Tiranë ku vizitoi edhe  “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave. Po ashtu Rita Ora zhvilloi një bisedë me nxënësit e Liceut Artistik.

Rita Ora u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj me titullin “Naim Frashëri”,  me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”. /atsh/