Portali Israelnationalnews i televizionit “Arutz Sheva”, ka publikuar një shkrim të Agjencisë Franceze e Lajmeve AFP, në lidhje me rihapjen e Muzeut “Solomon” – të vetmit hebraik në Shqipëri, i cili u hap vitin e kaluar nga historiani i ndjerë Simon Vrusho. Kjo u bë falë investimit nga biznesmeni shqiptaro-francez, Gazmen Toska.

“Muzeu i vetëm i historisë hebraike të Shqipërisë u rihap në qytetin jugor të Beratit, të dielën, falë një biznesmeni që e shpëtoi atë nga pragu i mbylljes. Muzeu i vogël, Muzeu ‘Solomon’, i cili tregon historinë se si shqiptarët strehuan qindra hebrenj gjatë Holokaustit, ishte projekti pasionant i një profesori vendas, Simon Vrusho. Vrusho e hapi muzeun në vitin 2018 dhe e financoi atë me dhurime të vogla të lëna në një kuti nga dera dhe me pensionin e tij.

Kur 75-vjeçari vdiq në shkurt të këtij viti, e ardhmja e ekspozitës u la në harresë. Pasi lexoi një shkrim të AFP-së (Agjencia Franceze e Lajmeve) për fatin e tij të pasigurt, biznesmeni francezo-shqiptar, Gazmend Toska, vendosi të financojë muzeun dhe ta transferojë atë në një hapësirë më të madhe në qytet, ku shumë njerëz u mblodhën të dielën për hapjen e tij.

‘Ishte thellësisht prekëse të shihej mbulimi nga ana e AFP-së e këtij muzeu’, u tha Gazmend Toska të pranishmëve në këtë ceremoni. Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, e vlerësoi këtë si ‘një histori të bukur e rilindjes’ për muzeun që shpërblen përkushtimin e Vrushos.

Vrusho, vetë një i krishterë ortodoks, kaloi me vite të tëra duke mbledhur dokumente, foto dhe kujtime që dëshmojnë një komunitet hebre që arriti për herë të parë në Berat në shekullin e XVI-të nga Spanja. Në zemër të ekspozitës janë histori të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë që fshehën hebrenjtë në shtëpitë e tyre gjatë Holokaustit – një kapitull i historisë që vetëm kohët e fundit është bërë më i njohur.

Falë veprimeve të tyre të heshtura të trimërisë, shteti ballkanik është i vetmi territor i okupuar nga nazistët, ku popullsia hebreje e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga disa qindra para konfliktit në më shumë se 2000 më pas. Historia është një burim në rritje krenarie në Shqipëri, ku qeveria organizon aktivitete vjetore në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe i kushton një ekspozitë historisë në Muzeun Kombëtar të Tiranës. Por, muzeu i Vrushos ishte e vetmja qendër e pavarur kushtuar spastrimit të historisë hebraike në këtë cep të Evropës Juglindore.

‘Ky muze është një pemë kujtese e ujitur me dashurinë e të gjithë atyre që kanë kontribuar në mbijetesën e tij’, tha e veja e Vrushos, Angjelina, 65 vjeçe, e cila do të jetë drejtori i muzeut.

Në këtë ceremoni, historiani Yzedim Hima tha se muzeu modest ka një mesazh të veçantë për të përcjellë: ‘Jo mizoritë e një lufte, por dashurinë e njerëzve për njerëzit e tjerë’”. /Shqip/