“Përjashta iu përgjigjën ca lehje të frikshme dhe nëntë qen të stërmëdhenj me qafore plot gjilpëra bronzi hynë në hangar duke hovur. U lëshuan drejt e te Topdëbora, i cili brofi nga vendi, bash në kohë për t’u shpëtuar nofullave të tyre kërcëllitëse. Sa hap e mbyll sytë, Topdëbora doli nga dera dhe qentë iu qepën pas… Shokë, këtu, tani, shpall dënimin me vdekje të Topdëborës. Do t’i jepet dekorata }Hero i Kafshëve i Klasit të dytë’, si dhe gjysmë shiniku mollë, çdo kafshe që e sjell para drejtësisë”.

Një shinik plot me mollë çdokujt që e kap të gjallë! Kështu ndodhte me çdo rival e çdo kundërshtar politik. Përmbysje popullore, propagandë, premtime të mëdha, eliminime mes vetash, krijime shtresash të privilegjuara, shtypje… Një skenar i gatshëm, që sikur të mos fliste për qen, derra e shpërblime me mollë, do të dukej se kishte dalë nga ndonjë prej rrëfimeve për ish-byroistët dhe ish-armiqtë e klasës, përpara viteve 1990 në Shqipëri, në regjimin e Enver Hoxhës. Por, në fakt, bëhet fjalë për “Fermën e kafshëve” që prej pak kohësh është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi”, nën përkthimin e Sokol Çungës.

Ndonëse vepra e Orwellit nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, ka njohur disa përkthime, botime e ribotime, rileximi i kësaj vepre është një shkundje dhe një kthim me këmbë në tokë. Kujtesa është e shkurtër dhe Orwelli i thërret ndërgjegjes së secilit prej nesh që e shkuara të mos përsëritet. Dhe kur ribotohet Orwelli, qoftë “1984”-a apo “Ferma e kafshëve”, është një sirenë alarmi se diçka po ndodh, një paralajmërim për të qenë të vëmendshëm që Napoleoni të mos godasë sërish.

“Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, prandaj ‘Ferma e kafshëve’ u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete”, shkruante “The New Yorker”.

Sipas “The New York Times”-it, “shumë shpejt, libri hyri në imagjinatën politike si një fabul morale që tregoi se edhe idealet më të larta shoqërore degradojnë, kur pushteti i egër vijon të flasë me gjuhën e vëllazërisë, dhe kjo sjell zvetënimin e së vërtetës”.

E konceptuar në formën e një përralle, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, kjo vepër e shkruar në vitin 1943, do të shndërrohej një nga veprat më të fuqishme të shekullit XX.

“Një klasik i vërtetë dhe i pakohë që flet kaq qartë për natyrën njerëzore”, shkruan “The Guardian”.

Pas vitesh të tëra shtypjeje e shfrytëzimi, kafshët e një ferme, të lodhura nga mujshitë e vazhdueshme të qenieve njerëzore, vendosin të ngrenë krye dhe, pasi dëbojnë pronarin, orvaten të krijojnë një rend të ri, të themeluar mbi një koncept utopik barazie. Megjithatë, shumë shpejt, mes tyre lind një klasë e re burokratësh, derrat, të cilët me dinakërinë, makutërinë dhe egoizmin që i karakterizojnë u imponohen në mënyrë arrogante dhe tiranike kafshëve të tjera më të buta dhe shpirtmira.

Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë. Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare, dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër te udhëheqësit tanë më karizmatikë.

“Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore, por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore. Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX. /Panorama/