Nga: Edgar Morin

Mesnata e shekullit: kur Victor Serge botoi librin me këtë titull në vitin 1939-ën, viti i paktit gjermano-sovjetik dhe i copëtimit të Polonisë, ishte vërtet mesnatë, po instalohej një natë e pakthyeshme që do të zgjaste për pesë vjet.

A nuk është mesnatë në shekullin tonë? Dy luftëra po zhvillohen. Lufta në Ukrainë ka mobilizuar tashmë ndihma ekonomike dhe ushtarake nga një pjesë e botës, me një konflikt që rrezikon të përhapet. Rusia nuk arriti të aneksojë Ukrainën, por po reziston në rajonet tashmë separatiste rusishtfolëse. Sanksionet e kanë dobësuar pjesërisht Rusinë, por edhe kanë stimuluar zhvillimin e saj shkencor dhe teknik, veçanërisht në fushën ushtarake. Lufta ka pasur pasoja të shumta: një autonomi më të madhe në nivele të ndryshme të Jugut nga Perëndimi dhe forcimin e një blloku Rusi-Kinë.

Një vatër e re lufte është ndezur në Lindjen e Mesme pas masakrës së kryer nga Hamasi më 7 tetor 2023, e ndjekur nga bombardimi vdekjeprurës i Gazës nga Izraeli. Këto kasaphana, të shoqëruara me persekutime në Bregun Perëndimor dhe deklaratat për aneksim, kanë rizgjuar çështjen e fjetur palestineze. Në të njëjtën kohë flasin për urgjencën, domosdoshmërinë dhe pamundësinë e dekolonizimit të asaj që ka mbetur nga Palestina Arabe dhe krijimin e një shteti palestinez. Meqenëse nuk është ushtruar asnjë presion mbi Izraelin për të arritur një zgjidhje me dy shtete, ne mund të presim vetëm që ky konflikt i tmerrshëm të intensifikohet dhe të zgjerohet. Ky është një mësim tragjik i historisë: pasardhësit e një populli të persekutuar për shekuj nga Perëndimi i krishterë dhe më pas racist mund të bëhen njëkohësisht persekutuesit dhe bastioni i përparuar i Perëndimit në botën arabe. Mendimi është bërë i verbër. Këto luftëra përkeqësojnë tërësinë e krizave që prekin kombet, të nxitura nga antagonizmi malinj mes tre perandorive: Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Krizat ushqejnë njëra-tjetrën në një lloj polikrize ekologjike, ekonomike, politike, sociale dhe civilizuese në rritje të vazhdueshme.

Degradimi ekologjik prek shoqëritë njerëzore me ndotjen e tyre urbane dhe rurale, të rënduar nga bujqësia industriale. Hegjemonia e fitimit të pakontrolluar rrit pabarazitë në çdo komb dhe në mbarë planetin. Cilësitë e qytetërimit tonë janë përkeqësuar dhe mangësitë e tij janë shtuar, veçanërisht në zhvillimin e egoizmit dhe zhdukjen e solidariteteve tradicionale.

Demokracia është në krizë në të gjitha kontinentet: ajo gjithnjë e më shumë po zëvendësohet nga regjime autoritare të cilat, duke pasur teknologjinë e informacionit me anë të së cilës kontrollojnë popullatat dhe individët, priren të krijojnë shoqëri të nënshtruara që mund t’i përkufizojmë si neo-totalitare. Globalizimi nuk ka krijuar kurrfarë solidariteti dhe Kombet e Bashkuara po ndahen gjithnjë e më shumë.

Kjo situatë paradoksale është pjesë e një paradoksi global të njerëzimit. Progresi shkencor dhe teknik, i cili po zhvillohet në mënyrë të hatashme në të gjitha fushat, është shkaku i regresioneve më të këqija të shekullit tonë. Është ky përparim që lejoi organizimin shkencor të kampit të shfarosjes së Aushvicit; është ky përparim që lejoi projektimin dhe prodhimin e armëve më shkatërruese, deri tek bomba e parë atomike; është ky përparim që i bën luftërat gjithnjë e më vdekjeprurëse; është ky përparim që, i shtyrë nga etja për fitim, ka krijuar krizën ekologjike të planetit.https://fb061f39c6f9ac0cfaa353ba08973726.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

E kuptojmë se përparimi i dijes, duke i shumuar dhe ndarë, duke krijuar barriera mes disiplinave, ka çuar në regres të mendimit, i cili është bërë i verbër. I lidhur me dominimin e llogaritjes në një botë gjithnjë e më teknokratike, përparimi i dijes është i paaftë të konceptojë kompleksitetin e realitetit dhe në veçanti të realiteteve njerëzore. Rezultati është një kthim në dogmatizëm dhe fanatizëm, dhe një krizë morali, ndërkohë që kanë shpërthyer urrejtja dhe idhujtaria.

Po shkojmë drejt katastrofave të mundshme. A është kjo një katastrofë? Kjo fjalë e dëbon të keqen dhe i jep një qetësi iluzore. Polikriza që po përjetojmë në të gjithë planetin është një krizë antropologjike: është kriza e njerëzimit që nuk është në gjendje të bëhet Njerëzim. Njëherë e një kohë – jo shumë kohë më parë – ne mund të kishim parashikuar një ndryshim në drejtim. Tani duket se është shumë vonë. Sigurisht, e papritura mund të ndodhë. Ne nuk e dimë nëse situata botërore është thjesht dëshpëruese apo vërtet e dëshpëruar. Kjo do të thotë se, me apo pa shpresë, me apo pa dëshpërim, duhet të kalojmë në Rezistencë. Fjala evokon në mënyrë të papërmbajtshme Rezistencën e viteve të pushtimit nazist (1940-1945), fillimet shumë modeste të së cilës u vështirësuan nga mungesa e çdo shprese të parashikueshme pas disfatës së 1940-ës.

Në ditët tona, ne përjetojmë një mungesë shprese të parashikueshme, të ngjashme me të, por kushtet janë të ndryshme. Ne nuk jemi aktualisht nën pushtimin ushtarak të armikut: ne jemi të dominuar nga fuqi të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike dhe të kërcënuar nga krijimi i një shoqërie të nënshtruar. Ne jemi të dënuar të vuajmë luftën midis dy gjigantëve imperialistë me futjen e mundshëm në luftë të një fuqie të tretë. Ne po tërhiqemi në vorbullën e një gare drejt katastrofës.

Rezistenca e parë është ajo e shpirtit, i cili duhet të jetë në gjendje t’i rezistojë frikësimit nga të gjitha gënjeshtrat e shitura si të vërteta dhe prekjes nga të gjitha dehjet kolektive. Ai duhet të dijë të mos dorëzohet kurrë para delirit të përgjegjësisë kolektive të një populli apo një grupi etnik. Kërkon që ne të dimë t’i rezistojmë urrejtjes dhe përbuzjes. Rezistenca e shpirtit kërkon përpjekje për të kuptuar kompleksitetin e problemeve pa iu dorëzuar kurrë një vizioni të pjesshëm ose të njëanshëm. Kërkon kërkim, verifikim të informacionit dhe pranim të pasigurive.

Rezistenca nënkupton gjithashtu ruajtjen ose krijimin e oazave komunitare me autonomi relative (agro-ekologjike) dhe rrjeteve ekonomike sociale e solidare. Rezistenca përfshin edhe koordinimin e shoqatave të përkushtuara ndaj solidaritetit dhe refuzimit të urrejtjes. Kështu, rezistenca do të përgatiste brezat e rinj që të mendojnë dhe veprojnë për forcat e bashkimit, vëllazërisë, jetës dhe dashurisë që ne mund t’i konceptojmë si Eros, kundër forcave të zhvendosjes, shpërbërjes, konfliktit dhe vdekjes që mund t’i konceptojmë si Polemos dhe Thanatos.

Është bashkimi, brenda nesh, i fuqive të Erosit dhe atyre të një shpirti të përgjegjshëm që do të ushqejë rezistencën tonë ndaj skllavërisë, poshtërimit dhe gënjeshtrës. Tunelet nuk janë të pafundme, e mundshmja nuk është e sigurt, e papritura është gjithmonë e mundur.