Një aventurë muzikore virtuale, është përshkrimi që mund t’i bëhet edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”. Për edicionin e tij të 19-të organizatorët kanë dalë nga formati i zakonshëm. Ia kanë dalë të organizojnë festivalin e parë në vend dedikuar muzikës që nga fillimi i pandemisë. Sjell një përjetim virtual, pasi që edicioni që nisi të hënë mbrëma e që zgjat deri më 21 shtator do të mbahet online. Hapja u bë me një video prej pesë minutash. Aty, drejtoresha e “ReMusicas”, Donika Rudi, dhe producenti i festivalit Viktor Berishaj kanë folur për sfidat e këtij edicioni dhe për udhëtimin virtual që kanë përgatitur për ndjekësit e Festivalit.

Një edicion i guximshëm

Donika Rudi në video ka thënë se po e sjellin edicionin e 19-të në formatin online për hir të besimit, besnikërisë së ndërsjellë të ndërtuar për gati dy dekada dhe për hir të dashurisë ndaj muzikës, që sipas saj i bashkon njerëzit. Viktor Berishaj ka thënë se rrethanat në të cilat ndodhet bota, i kanë shtyrë të krijojnë një Festival në kushte të jashtëzakonshme.

“Pandemia zbuloi probleme thelbësore të mënyrës sesi shoqëria e sotme funksionon e sidomos se sa të brishtë jemi dhe se sa shumë duhet të punojmë që të bëjmë që prezenca jonë në botë të frymojë njëlloj me tokën. Para nesh është një rrugë e gjatë e transformimit që lidhet me mënyrën e jetesës dhe që garanton qëndrueshmëri afatgjatë”, ka thënë ai në video. Ka shtuar se për këtë arsye janë nisur nga ajo që sipas tyre është thelbësorja dhe arsye e pikënisja e Festivalit: nga shpresa dhe nevoja për ringjallje: të ngrihemi.