Edhe pse Beqiri jeton në Shqipëri, migrimi mbetet gjithmonë i pranishëm në jetën e tij. “Ka, natyrisht, emocione dhe ndjenja, që janë të miat. Çdo gjë që kam ndjerë, por edhe vërejtur rreth meje – nga jeta e përditshme e miqve, familjes sime, njerëzve me të cilët jetoj”, ka thënë Erenik Beqiri i cili sivjet me filmin “A Short Trip”, mori trofe në Festivalin e Filmit në Venecie

Me filma të shkurtër të fokusuar në varfëri, migrim dhe dashuri, Erenik Beqiri, ka ndihmuar në tërheqjen e vëmendjes globale ndaj industrisë së filmit në Shqipëri, duke treguar histori që janë në zemër të linjave sociale dhe ekonomike të vendit.

“Nuk mund të bësh filma çdo ditë”, thotë regjisori për AFP-në. “Kur e bën, duhet të transmetosh diçka që ka një ndikim thelbësor në jetën tënde dhe në jetën e të tjerëve. Migracioni është njëra prej tyre”.

Edhe pse Beqiri jeton në Shqipëri, migrimi mbetet gjithmonë i pranishëm në jetën e tij.

“Ka, natyrisht, emocione dhe ndjenja që janë të miat. Çdo gjë që kam ndjerë, por edhe vërejtur rreth meje – nga jeta e përditshme e miqve, familjes sime, njerëzve me të cilët jetoj”.

Pas rënies së qeverisë komuniste, Shqipëria është transformuar radikalisht, nga migracioni.

Image
Skenë nga filmi “A Short Trip” i Erenik Beqirit

Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 1.68 milionë shqiptarë, ose 37 për qind e popullsisë, lanë vendin nga viti 1990 deri në vitin 2020.

Kjo lëvizje e madhe, ka lënë pjesë të tëra të fshatrave të braktisura, ndërsa miliarda euro nga remitancat shkaktuan një bum pronash, që rezultoi në një dyndje të qyteteve me blloqe apartamentesh që mbushin bregdetin, dikur të pastër.

Ky fenomen tani përbën një kthesë kryesore të jetës për shumë shqiptarë, aq më tepër kur ata janë pronarë biznesesh, punonjës të huaj, ose një regjisor.

“A Short Trip” (Udhëtim i shkurtër), i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Venecie (në kategorinë “Orizzonti” , shpalos historinë e Mirës dhe të Klodit, një çift i ri shqiptar, që udhëton në Francë me shpresën për të gjetur një burrë për Mirën, në mënyrë që ajo të marrë shtetësinë franceze.

Filmi është më shumë se vetëm për migrimin, ka thënë Beqiri për AFP-në. “Është për dashurinë mes këtyre dy të rinjve dhe sakrificat që duhet të bëjnë në kërkim të një të ardhme më të mirë”.

Historia nisi si një skicë me një çift, që ëndërron për një jetë më të mirë, thotë ai, para se të shndërrohet në një pamje të jetës së transformuar nga realitetet e hidhura të migracionit, që shumë shqiptarë ballafaqohen kur tentojnë të lëvizin jashtë vendit.

I lindur, nga prindër artistë, gjatë ditëve të fundit të epokës komuniste, Beqiri ka ëndërruar gjatë fëmijërisë të bëhet regjisor, kur mundohej të gjente DVD-të e filmave që nuk shfaqeshin në disa kinema të Tiranës.

Filmi i tij i parë, i shkurtër, “Furgoni”, i lansuar në vitin 2019, ndjek Benin, një punëtor shqiptar të ri që kërkon të fitojë paratë shpejt, për të paguar një trafikant dhe për të lënë vendin.

Për të financuar udhëtimin e tij, ai lufton me burra të tjerë, për paratë brenda një furgoni, në një histori të dhimbshme për varfërinë, ambicien dhe dhunën.

Filmi u bë prodhimi i parë shqiptar i përzgjedhur, për konkurrencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes.

“Për shembull, të dy filmat e mi janë për migrimin. Por, çështja reale janë marrëdhëniet midis personazheve”, ka thënë Beqiri. “Filmi funksionon atëherë kur personazhet janë të gjalla, kur ata përjetojnë emocione intensive”.

Për producentin francez të tij, Olivier Berlemont, qasja e Erenikut në film është “e shënuar nga guximi narrativ dhe vizual, një stil unik, që sigurisht do të afirmohet edhe më shumë në të ardhmen”.

Por, për regjisorin, suksesi i tij është rezultat i një përpjekjeje të palodhur nga ekipet e prodhimit të tij.

“Suksesi i një filmi, kurrë nuk është puna e një personi të vetëm, është gjithmonë fryt i një përpjekjeje kolektive”, ka thënë ai, teksa me turp kur u pyet për çmimet dhe suksesin e fundit. “Është e vërtetë që çmimet hapin rrugën për sukses, por kur gjithçka mbaron, pyet veten: Çfarë do të bëj tani? Filmi është tashmë në të kaluarën, kështu që duhet të mendosh për atë që do të bësh nesër”.

Për projektin e tij të ardhshëm, regjisori qe fjalëpak.

“Thjesht dua të bëj filmin më të mirë”.

Marrë nga AFP-ja. Përktheu: Enis Bytyqi