Reçensë librit për fëmijët autik “Engjëlli Blu” nga Anila Kruti
Shkruan: Fitim Nuhiu
Sugjerimi për ta lexuar këtë libër më erdhi nga një dashamir dhe shitës i librave në Preshevë dhe duke pasur në konsideratë letërsinë për fëmijë që më është bërë edhe paksa “obligative” meqë po drejtoj një Grup Letrar brenda shkollës ku edhe punoj, me nxënësit e grupmoshave 10-14 vjeç, e lexova menjëherë duke pasur parasysh tematikën që trajtonte libri, pra për fëmijët autik, fëmijët e veçantë dhe se me idenë që këtë libër ta merrnim në diskutim dhe elaborim me nxënësit dhe aktivistët e Grupit Letrar, në mënyrë që të vetëdijësojmë fëmijët për këtë kategori fëmijësh që të mos bullizohen e të mos anashkalohen në jetë dhe të mirëtrajtohen e të mirëkuptohen.
Fillimisht e përgëzoj autoren që ka marr guximin që të elaboroj tema të tilla në mënyrë që fëmijët në përgjithësi të njihen me botën e autikëve, që të mos i paragjykojmë dhe t’i pranojmë ashtu siç ata janë, pra me botën e vet, me veçantitë dhe “fiksimet” e veta, etj dhe absolutisht nuk dua të ndërhyj në frymëzimin dhe t’ia censuroj lirinë dhe qasjen që ajo ka zgjedhur të shkruaj, porse mendoj se edhe një kënd tjetër interpretues, një kritikë dashamirëse na ndihmon që ta njohim këtë botë edhe më mirë.
Libri është i shkruar me një mjeshtri gjuhësore, me një qasje artistike, figuracione të përshtatshme dhe të pranueshme për imagjinatën e fëmijëve.
Vlerësimi im mbi këtë libër është që fillimisht më pengoi qasja dhe drejtimi që autorja ka zgjedhur t’i jep rrëfimit të saj për trajtesën që ka zgjedhur. Protagonistit të librit – Korit, fëmijës autik që ka sfidat e veta në jetën e tij sociale, duke filluar nga nëna e tij, pastaj shoqëria, veçanërisht Tili, një personazh negativ, një sfidues i Korit në lojërat fëmijërore, që e bënte Korin të ndjehet një dështak i rregjur sepse Tili e sfidonte, e ngacmonte, e bullizonte, etj dhe si pasojë e gjithë kësaj, Kori tërhiqet në jetën private (vetminë) të tij dhe kërkonte ngushëllim miqësie tek soji i kafshëve, si tek qeni Dasi, delfini Zuro, dhelpra dhe te kali me krahë engjëlli dhe se kjo pjesë me thënë të drejtën më ka zhgënjyer, sepse autorja nuk guxon të bjerë viktimë e autizmit të autikëve, porse të jep një udhëzim (meqë trajton një fenomen delikat dhe fëmijëror) të gjej një shtegdalje dhe një vlerë përbashkuese të fëmijëvë autikë që të bashkojë me personazhë njerëz e të integrohen në shoqërinë e fëmijëve “normalë” e jo të lidhet me kafshë “mitike, fantastike” sepse kjo mendoj se i shmanget ballafaqimit me problemin real që këta fëmijë të veçantë kanë dhe se kisha thënë që libri është dashur të trajtojë rrëfimin e vet jo edhe aq nga këndi i imagjinares dhe fantastikes, porse të jetë më praktik meqë çështja që trajton kërkon seriozitet dhe ndjeshmëri humane, pavarësisht që fëmijët kënaqen dhe kërkojnë imagjinaren tek librat që duan t’i lexojnë.
Një çështje tjetër që më bëri përshtypje gjersa lexoja librin ishte që fëmijët autik me njëfarë mënyrë po na tregojnë se “ata” nuk janë “problemi” në shoqërinë ku po jetojmë bashkarisht, por “ne – normalët” jemi, sepse nuk po dimë si t’i qasemi atyre dhe t’ia kuptojmë botën e tyre me përplot ngjyra por që ne fatkeqësisht nuk ia njohim e nuk ia shohim, por që i bullizojmë dhe paragjykojmë vazhdimisht.
Gjithashtu, nuk më bëri përshtypje kjo “loja artistike” që fut hasmërinë dhe ndarjen mes fëmijëve autik (pra ata sikur të vijnë nga një botë (blu) apo planet i tyre i veçantë) dhe atyre “normalë” dhe që në fund triumfon heroi i romanit dhe “sfidon” një shoqëri të tërë dhe se autorja nuk ka gjetur artin dhe mënyrat e komunikimit mes ‘njërit’ në një anë dhe ‘tjetrit’ në anën tjetër.
Unë besoj se mund të ketë edhe lexues që kur të mbarojnë së lexuari këtë libër, ndjejnë një dhimbje për këta fëmijë të veçantë dhe deri në atë pikë mbeten, mirëpo nuk mund të bëjnë hap tjetër përveç asaj që mund të përmirësojnë mendimin për ta dhe ndjejnë keqardhje dhe mëshirë, mirëpo mendoj se kjo është rrugë jo e mjaftueshme, sepse ata nuk kanë nevojë për një gjë të tillë, por për dinjitet, për pranim dhe barazi mes fëmijëve tjerë.
Përfundoj se kuptimi dhe mesazhi që nxirret nga ky libër (mendoj nga kapaciteti mendor i fëmijëve në përgjithësi) është që këta fëmijë, vendin nuk e kanë në botën tonë këtu, por në ndonjë planet tjetër imagjinar, ku banorë njeh vetëm kafshët (gri e të vetmuara) që dinë të shoqërohen me këtë lloj të njerëzve dhe me një fjalë fëmijët autik i dërgon drejt botës imagjinare e jo atë reale, që realisht edhe i përkasin, duan ata apo jo, dhe nuk bëhet thirrje drejt ndërgjegjes kolektive që edhe nëse ata nuk integrohen tek shoqëria jonë, ne jemi ata që e kemi detyrim që t’i ofrojmë kushte dhe rrethana lehtësuese për këtë integrim të domosdoshëm.