Kam frikë nga dimri
nga mumiet e ngrira të borës
që dalin natën
nga hijet e pemëve
nëpër rrugë. Një hap larg është vjeshta
Nga hija e trashë e arrës
që shtrihet përtace
nën gjethet e kalbura të kopshtit
që i mbulon fshehtësitë nën lëkurë
Mbase rrëkeja e parë e shiut
mund ta shpëlajë atë gjurmë të thembrave
që shkon
deri në kanalin
buzë rruge
Ku e derdh kohën time të lirë. Diçka si acid
më është derdhur në gjuhë
dhe s’më lë të më zërë gjumi
e t’i harroj
të gjithë rrathët e pagërvishur
në trungun tim të moshës