(Nokturno për Bruklin Brixhin)

Federico García Lorca

Në qiell nuk fle kurrkush,
Kurrkush, kurrkush.
Nuk fle kurrkush.
Fëmijët e përlyer të hënës përgjojnë rreth kasollës.

Po vijnë gjarpërinjtë helmonjës
t’i hanë njerëzit që ëndërrojnë
Dhe kush ikën, me zemër të thyer,
Në këndet e rrugëve do të hasë
në protestën e qetësuar të yjeve.

Në botë nuk fle kurrkush,
Kurrkush, kurrkush,
Nuk fle kurrkush.
Një i vdekur në varrin më të largët
Tash tri vjet klith
Me një pejzazh të tharë në gjunj,
E fëmijën që e varrosën në nadje, ka qarë aq shumë,
Sa u detyruan t’i th’rrasin qent ta qetësojnë.

Jeta s’është ëndërr. Qëndroni zgjuar!
Zgjuar! Zgjuar!
Rrëxohemi nga shkallët
Të hamë tokën e lagur
Ose ngjitemi përit të borës
Në vallen e lulëkuqeve të vdekura.
Por s’ka harresë as gjumë. Plagë e rëndë.

2.
Të puthurat i bashkojnë buzët
Në gërshetimin e veneve të reja.

Dhe atë që e mundon dhimba, përherë do ta lëngojë,

Ai që i frigohet vdekjes, në krah do ta peshojë.

Një ditë
kuajt do të jetojnë në kafene
Dhe thneglat e tërbuara
Do të sulmojnë qiejt e verdhë
Që mëshihen në sytë e lopëve.
Ditën e dytë
Do të shohim ringjalljen e fluturave të verdha
Dhe tutje, duke ecur nëpër pejzazhin
E të tëra shpuzoreve dhe anijeve memece,
Do të shohim si shkëlqen unaza
Dhe si mbijnë trandofilet në gjuhën tonë.

Qëndroni zgjuar, zgjuar, zgjuar.
E ata te të cilët akoma shihen
Gjurmët e shputave dhe të rigave,
Dhe atë fëmijën që qan
Duke mos ditur kush e ka menduar urën
Dhe atë të vdekur të cilit i ka mbetur
Vetëm koka dhe një këpucë
Duhet afruar pranë murit,
Ku zhapinjtë helmonjës dhe gjarpërinjtë presin,
Ku presin dhëmbët e ariut,
Ku pret dora fëmijënore
Dhe lëkura e deves rrënqethet
Në ethet e kuqe.

3.
Nuk fle kurrkush në qiell,
Kurrkush, kurrkush.
Nuk fle kurrkush.

Po në qoftë se ndokush mbyll sytë
Dëbonie, fëmijët e mi, dëbonie!
Dua panoramë të syve të çelur
Dhe të plagëve të hidhura që ndizen.
Në botë nuk fle kurrkush.
Kurrkush, kurrkush. E thash njëherë.
Nuk fle kurrkush.
Por në qoftë se dikush natën ndien
Më tepër myshk në tëmtha
Hapni perdet le të shihen në dritën e hënës
fluskat e rrejshme, helmi dhe rrashtat e teatrit