“Arti (kupto seriali) na bën që ta shohim vetveten tonë më mirë në pasqyrë, të mendojmë atë se si reflektojmë tek të tjerët por pse jo edhe tek vetja jonë mbi të gjitha”.

Kohët e fundit publiku shqiptar ka rastin të përcjell një serial në zhanrin dramë-krim, që mendoj se ka vlera të mëdha, si artistike ashtu edhe kombëtare, do thoja.

Seriali shtjellon tematika të ndryshme që i lidh mes njëra tjetrën në mënyrë perfekte, jetën e përditshme në Kosovë, kryesisht atë urbane.

Është vështirë ta përcaktosh se cili është protagonisti i serialit, pavarësisht emrit Rrushe, që ka si lidhëz mes personazhesh, dhe secili nga personazhet është një botë në vete që ka shumëçka për të thënë për publikun, pra ka ato ‘sidestories’, që mendoj se është risi në serialet tona.

Gjersa në ditët e sotme, televizionet tona kombëtare vlojnë nga seriale nga më të ndryshmet, seriale që zor të gjesh ndonjë vlerë siç duhet: turke, latine, indiane, etj, ky serial ka ardhur si prurje e re, që i sfidon ato antivlera duke i ofruar publikut shqiptar një ‘pasqyrë’ që ta sheh vetveten më mirë se kush kemi qenë dhe kush jemi sot.

Korelacioni (viti 1995 me ditët e sotme) është ndërthurrur shumë mjeshtërisht, shumë bukur estetikisht, shumë i pranueshëm edhe për moshat e reja (+16) në mënyrë që të dinë se çfarë ka ndodhur në gjenezën e krijimit të shtetit të Kosovës, pra nga viti 1995 (koha e përgatitjes së rezistencës kosovare kundrejt pushtimit serb, tradhëtitë tona, flijimet, vështirësitë) me ditët e sotme.

Seriali paraqet shumë problematika dinamike dhe sfida të sotme:

– Dashuria – Rrushja me Beratin, (edhepse Berati iu afrua me qëllime të këqija Rrushes, rrugës, ai dashurohet dhe ndryshon qasjen e tij) që sfidon idiotësitë, tradhëtitë dhe lidhjet e së shkuarës dhe ia del mbanë të lulëzon mes një çifti.

– Problematikat (frustrimet) që përballet shoqëria sot – (familja e Rrushes, në miniaturë), tradhëtia bashkëshortore, veset e liga si kumari (Mentori) se ku të shpien e çfarë pasoja ka në familje, raporti bashkëshortor, raporti prind-fëmijë, edukimi, kujdesi ose jo ndaj tyre, jeta e një të riu (Armendi), që është i ekspozuar karshi një bote të egër, bamirësia e tij karshi një nëne të mjerë, pikëpyetjet e tij mbi filozofinë e jetës, perspektivën e tij, miqësia e tij (të mirat dhe të këqijat e saj);

– jeta e mjerë e një piktori, miqësia e pazakontë e tij me një minorene që më pas u paragjykua për pedofili, gjë që s’kishte të bëntë me të, flirti, vetmia, mirësia dhe fisnikëria e tij në miqësi;

– krimi i organizuar i politikanëve (psh. vrasja e ministër Sinanit), eliminimi i dëshmive dhe dëshmitarëve të krimeve;

– gazetaria, tentim-mbyllja e gojës së gazetarëve, si funksionon një bord televizioni, gazetaria investigative në Kosovë, që jep një shembull të mirë që kur një krim ndodh, duhet raportuar dhe ekspozuar, qoftë edhe kundër familjes, vetëm e vetëm e vërteta dhe e drejta të dali në shesh  (gazetarja Rrushja kur raporton xhaxhain e saj – Agimin), që duhet bashkëpunuar dhe besuar institucioneve të drejtësisë…;

– prostitucioni, amoraliteti në institucione (drejtori i shkollës kur kërkon favore seksuale nga punëmarrësit e tij) etj, me një fjalë, seriali shpalos të metat tona që kanë hyrë në çdo pore të shoqërisë, denoncon “rolin e të fortit” që vendos gjithçka dhe çka të dojë dhe në fund ky serial orienton publikun dhe lë të nënkuptojë se ligësia sado e fortë dhe e pushtetshme të jetë s’të shpien kah mirësia dhe lumturia.

Aktorët që luajnë, janë aktorë të mirëfilltë, të dëshmuar, që me aktrimin e tyre, me një performancë të shkëlqyer bëjnë që filmi të merr përmasat e një realiteti që shikuesi më s’është në gjendje ta dallojë se çka është aktrim, e çka është realitet.

Krejt në fund do të shtoja një kritikë të vogël:

– tek gjuha banale që përdoret herë pas here, edhe pse kjo gjuhë është ‘normale’ në rrugë, mirëpo nuk duhet legjitimuar edhe në art, sepse prish estetikën artistike do thosha, edhepse janë reale ato shprehje banale…

– dhe tek vendosja e produkteve të marketingut, e kuptoj rëndësinë e sponsorimeve dhe politikave të tyre, mirëpo nuk duhet dhënë aq shumë hapësirë që prish terezinë artistike, pra mendoj që t’iu reduktohet prezenca e tyre në ekran dhe të mos na servohet një marketing i egër dhe imponues.

Personalisht jam shumë faleminderues të gjithë stafit realizues për këtë serial që na begatojnë argëtimet tona artistike duke na ofruar gjëra me vlera të mirëfillta dhe me shije të bukura dhe të mira, sidomos këto kohë kur artit dhe artistëve nuk i dihet vlera sa duhet, sidomos në Kosovë dhe në trojet shqiptare, dhe se ata nuk dorëzohen dhe bëjnë të pamundurën dhe nxjerrin më të mirën nga vetja e tyre.

Serial që nuk duhet humbur dhe duhet parë nga të gjithë!

P.s. -Vlen theksuar se vlerësimi i këtij seriali është bërë deri në episodën 13.

Fitim Nuhiu

Gusht, 2021