Shoqata Patriotike “Çamëria” me rastin e 30-vjetorit të themelimit të saj organizoi promovimin e librave “Misioni” të shkrimtarit Hekuran Halili dhe “Çështja Çame gjatë Luftës së Dytë Botërore” të studiuesit Lorenc Agalliu.

Në aktivitetin e organizuar në mjediset e Kalasë së Tiranës ishin të pranishëm dy autorët, Kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, z. Hektor Sejko, Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, Kryetari i Fondacionit “Hasan Tahsin”, z. Alket Veliu si dhe miq e të ftuar të nderit.

Në fjalën e tij, z. Halili ndër të tjera tha se, “çdo çam është një misionar. Ndaj edhe libri “Misioni” është një përpjekje që të rrëfejë historinë tragjike të Çamërisë përmes letërsisë”.

Studiuesi Lorenc Agalliu, u shpreh se, “ka pasur një zbrazëti për shqiptarët e Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përmes kësaj monografie është faktuar rezistenca çame gjatë luftës dhe janë hedhur poshtë akuzat e bashkëpunimit me pushtuesit. Popullsia çame ka qenë e përfshirë aktivisht dhe ka dhënë kontribut në luftën antifashiste”.

Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi, i cilësoi botimet si promovime të dinjitetit dhe të vlerave të Çamërisë, me rëndësi si në aspektin letrar edhe në atë historik. “Sikur politikanët shqiptarë t’i kishin lexuar këto libra për Çamërinë padyshim që Shqipëria do të ishte shumë e dinjitetshme dhe shumë e mbrujtur me argumenta për të mbrojtur interesin kombëtar”, theksoi ai.

Për Drejtuesin e Fondacionit “Hasan Tahsin”, z. Alket Veliu, “mision i këtij Fondacioni është pikërisht promovimi i historisë dhe personaliteteve të Çamërisë”.

Në përfundim të promovimit të dy autorët patën mundësi të bashkëbisedonin me të pranishmit në lidhje me disa nga ngjarjet e rrëfyera në të dy librat.