Në mesin e nëntë projekteve filmike që “Balkan Film Market” i ka përzgjedhur për t’i promovuar në programin “Pitch Balkan”, janë edhe “2000: A post war Odyssey” nën regji të Zgjim Terziqit dhe “Everybody calls Redjo” i Ibër Dearit

“Duke lënë pas dhe duke shikuar përtej”, është motoja e këtij viti e “Balkan Film Market”. Edicioni i katërt që ka nisur në Tiranë të enjten dhe përfundon të dielën, për shkak të situatës së krijuar me virusin COVID-19, do të mbahet në format hibrid, me aktivitete online, por edhe në formë fizike. Online do të jetë edhe “Pitch Balkan”, ngjarja kryesore e “Balkan Film Market”, që prezanton nëntë projekte nga rajoni. Në mesin e tyre janë edhe projekti “2000: A post war Odyssey”, nën regji të Zgjim Terziqit nga Kosova dhe “Everybody calls Redjo” nën regji të Ibër Dearit, nga Maqedonia e Veriut.

“Balkan Film Market” është një ngjarje e rëndësishme që bën bashkë profesionistë të Evropës dhe Ballkanit nga të gjitha segmentet e industrisë audiovizuale.

Sipas njoftimit të “Balkan Film Market”, në vendet e rajonit ka potencial të pashfrytëzuar, histori të pasura dhe talente, e qëllimi i kësaj platforme është nxitja e bashkëpunimeve e shkëmbimi i projekteve premtuese. E për përzgjedhjen e sivjetshme është thënë se vjen si derë e hapur e një rruge të gjatë për të ndihmuar filmbërësit drejt përfundimit të projekteve të tyre filmike.

“Programi i ’Balkan Film Market’ është i mbushur me punëtori, prezantime e panele diskutimi që kanë të bëjnë me trendët e rinj dhe zhvillimin e perspektivave regjionale”, është shkruar në njoftimin që fton filmbërësit të bashkohen në këtë eksperiencë të re.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë të Zgjim Terziqit, “2000: A post war Odyssey” shpalos historinë e Lisit, një djali 10-vjeçar, të cilit i ka vdekur babai. I shtyrë nga shoqëria që të përmbushë rolin e tij në shoqëri, ai i bashkohet një cirku të vogël francez. Gjatë rrugëtimit të tij ai mëson shumë për veten dhe francezët, naivitetin dhe injorancën e tyre për traumat e luftës.

Terziqi ka thënë se e sheh këtë si një mundësi të mirë për të krijuar bashkëpunime të frytshme për të ardhmen e filmit, që është afër fundit të fazës së zhvillimit.

“Deri më tash kemi pasur privilegjin të prezantojmë projektin tonë në formë të ‘pitching’ në ‘Valletta Film Lab 2019’, ‘Berlinale Script Station 2020’, pastaj në Torino, Budapest dhe tani në ‘Balkan Film Market’, ku producentë nga rajoni dhe Ballkani në tërësi kanë mundësi që të na ofrohen për mundësi bashkëpunimi”, ka thënë Terziqi, i njohur edhe për filmat e shkurtër “Salloni” e “Një muaj”.

E regjisori shqiptar, Ibër Deari, shpalos gjashtë rrëfime të ndryshme nëpërmjet perspektivës së Redjos. Ai është punëtori i fundit në fshatin Slupkovo që ende punon për 10 euro në ditë. Fshati është duke shënuar rritje të madhe të imigrimit dhe Redjo bashkë me djalin e saj Nick dhe gruan Hira bëjnë çdo lloj pune që fshatarët kanë nevojë. Një ditë Redjo takohet me njeriun më të rrezikshëm të fshatit, Miftarin dhe këtë herë problemet e tij ndikojnë edhe te jeta e Redjos. Edhe Deari debuton si regjisori i filmave të gjatë me këtë projekt filmik.

Sipas tij, pjesëmarrja në “Balkan Film Market” është lajm shumë i mirë, pasi që u ndihmon më shumë në prezantimin e filmit para producentëve të tjerë dhe krijimin e lidhjeve me distributorë, bashkëproducentë e filmbërës të tjerë.

“Vitin e kaluar kam qenë në ‘BFM’ për zhvillim skenari ‘Her Story’ dhe them të drejtën kam kaluar shumë mirë dhe kam njohur shumë producentë, skenaristë dhe filmbërës. Këtë vit do të jem me prezantim projekti pasi që jemi në kategorinë ‘Pitch Balkan’ e ku, edhe pse është online, përveç prezantimeve të projekteve tona do të kemi mundësinë që të ndjekim edhe punëtori, diskutime e të tjera”, ka thënë ai. Sipas tij, për një regjisor që ende nuk i ka nisur xhirimet e filmit është mirë që të kalohen të gjitha këto proceduara.

“Gjatë rrugëtimit, kjo eksperiencë mund të kontribuojë shumë në projektin që dua ta realizoj. Shpresoj që të jemi shëndosh e mirë dhe vitin tjetër shpresoj se do të jemi të gatshëm për të filluar me xhirime të filmit”, ka thënë ai. Deari njihet për filmat e tij “My City Screams” (2015), “TOKA” (2016) dhe “A long way Home” (2017).

“Balkan Film Market” këtë vit organizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri./koha.net/