Në qytetin e Sarandës u prezantua sot plani i menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit për 10 vitet e ardhshme.

Në këtë prezantim sicc transmenton ATSH-ja ishin të pranishëm, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, specialistë, etj.

Gurma tha se “megjithëse Butrinti funksionon si një administratë më vete, për shkak të përfshirjes dhe operimit në një territor të përbashkët, por edhe për shkak të zhvillimeve që ne i shohim ngushtësisht të integruara mes nesh, bashkia e Sarandës dhe unë personalisht, jemi drejtpërdrejt të interesuar për t’u njohur me planin e menaxhimit të Butrintit në harkun kohor 2020-2030″.

Ministrja Margariti, u shpreh se është i pari plan menaxhimi që projekton Butrintin e vitit 2030, si një park që u përngjan modeleve më të mira rajonale e botërore, me disa rrathë të zhvillimit ekonomik dhe me qasje të forta mjedisore e komunitare, ide këto që, sipas saj, kanë nevojë të zbërthehen e konkretizohen në plane të detajuara”.

Më tej, të pranishmit në tryezë ndoqën në ekran linjat kryesore të ndërtimit të planit menaxherial të Butrintit 2020-2030, përgatitur nga Fondacioni Amerikano-Shqiptar për Zhvillim, në bashkëpunim me Qendrën për Arkeologjinë e Aplikuar, Universitetin College Londër, Trashëgiminë Kulturore pa Kufij në Shqipëri dhe stafin e sajtit të Butrintit,

Operatorët turistikë të pranishëm në konsultim, specialistë të mjedisit dhe trashëgimisë kulturore e monumenteve të kulturës, vlerësuan risitë e planit që u prezantua dhe dhanë sugjerime të vlefshme për ta pasuruar atë me elementë që burojnë nga pretendimi për të qenë Butrinti dhe Parku Kombëtar i Butrintit një lider botëror në menaxhimin e qëndrueshëm të siteve me elemente kulturore dhe natyrore, të ngritur në statusin e një qendre të ofertës turistike rajonale dhe model për parqe të tjera në Shqipëri.

Komunikimi për të marrë sugjerime të tjera nga grupe interesi, u la i hapur për t’u bërë edhe në vijim, përmes postës elektronike të bashkisë Sarandë.