Presidenti Ilir Meta dekoroi Shoqatën “Dibrane” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” si dhe personalitete të shquara të kësaj treve atdhetare, ndërsa mori pjesë sot në Simpoziumin Shkencor “110 vjet Kongresi i Dibrës”, që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Me rastin e këtij jubileu historik, në prani të përfaqësuesve të jetës politike, akademike, shoqërore dhe kulturore të vendit, të bashkësisë dibrane të Tiranës, të Komunës së Dibrës së Madhe dhe nga diaspora, Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Shoqatën “Bashkësia Dibrane” me motivacionin: “Për kontributin e shquar dhe atdhetar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e traditës dibrane, në veçanti të vlerave të Dibrës së Madhe, si dhe bashkësisë tradicionale dibrane në Tiranë”.

Gjithashtu, presidenti Meta vlerësoi disa personalitete të shquara të bashkësisë dibrane: me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes): arsimtarin, atdhetarin dhe humanistin Faik Shatku (Dibra); politikanin, diplomatin dhe intelektualin e spikatur në fushën e pedagogjisë Luan Hajdaraga; ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” hidroteknikun, humanistin dhe aktivistin shoqëror zotin Faik Bruçi dhe mjekun, kontribuesin në fushën akademike dhe universitare zotin Petrit Bara.

Në fjalën e tij, Meta vlerësoi Dibrën për vlerat kombëtare dhe patriotizmin në shekuj.

“Dibranët janë ndjerë përherë ballëlart dhe krenarë para historisë. Nuk ka etapë të luftës për liri të kombit shqiptar që ata të mos kenë gjurmët e kontributit të tyre. Treva e Dibrës me nëntë malet e saj të lartë ka qenë në shekuj kështjella natyrale e lirisë së shqiptarëve. Malet e Dibrës ngelen përherë bastioni dhe barrikadat e para të betejave për liri dhe pavarësi”, tha ai.

Po ashtu Meta shtoi se “kuvendet e Dibrës shpalosin aftësitë e shqiptarëve për të përdorur dijet e tyre, diplomacinë, forcën e logjikës, kulturën popullore të debatit, si dhe argumentet e një shoqërie që aspiron liri e pavarësi. Kështu, 110 vjet më parë në Dibër u manifestua forca dhe vrulli i lëvizjes kombëtare shqiptare në një prej kuvendeve më delikatë që ndante historinë”./atsh/