-“Mishi i egër” nga autori Goran Stefanovski, regjia: Martin Koçovski, Teatri Shqiptar në Shkup
Shkruan: Daut Dauti
Shkup, 9 nëntor/arsalbanica.mk-Goran Stefanovski është ndër dramaturgët më të njohur bashkëkohor maqedonas, në mos dhe më produktivi, dramat e të cilit i kanë vënë në skenë pothuajse në të gjithë teatrot e Maqedonisë, por dhe në gjithë ish-Jugosllavinë dhe më gjerë. Përkundër këtij fakti, për çudi, asnjë shfaqje e tij nuk ishte vënë në skenën e Dramës Shqipe në ish-Teatrin e Kombësive(tash Teatrit Shqiptar), edhe pse me vite janë realizuar shfaqje të shumë autorëve të tjerë maqedonas. Ndërkaq babai i tij, Mirko Stefanovski, ka qenë më shumë se dy dekada regjisor në këtë teatër. Për respekt dhe përkujtim të të dy këtyre emrave, sipas fjalëve të drejtorit Adem Karaga dhe aktorit Bajrush Mjaku, vjen shfaqja tashmë klasike e Goran Stefanoskit, “Mishi i egër”, ndër tekstet e para të tij, shkruar që në vitet 1978-79, që ka pushtuar Evropën(rreth 15 produksione gjithandej). Vetë Bajrush Mjaku ka luajtur në dy shfaqje internacionale të Stefanovskit, “Eurolen” dhe “Hotel Europa”, por në skenën e Teatrit Shqiptar, ky autor maqedonas vjen për herë të parë.
Tekstet e Stefanovskit janë “të rënda” për t’u përcjellë në skenë. Sepse ato përmbajnë drama fatesh njerëzore me shumë tragjizma, që janë të vendosura në kohë të vështira për ekzistencën, ku njerëzit janë pendla të lehta kundrejt stuhive të historisë ku flijohet gjithçka! “E rëndë” është edhe kjo dramë e një familjeje të rëndomtë shkupjane, në ngjarjet që e përfshijnë atë në prag të Luftës së Dytë Botërore, që si fenomen e paralajmëron kryefamiljari që në hyrje të shfaqjes, Dimitrie Andreeviq, Bajrush Mjaku me fjalët: “Do të ketë luftë!”
Por lufta vjen më vonë si realitet, në ndonjë tekst tjetër të Goran Stefanovskit, kurse në këtë tekst të tij vjen “pararoja” e luftës, e personifikuar në “biznesmenin” gjerman Klaus, i cili së pari vë në pushtim një kompani të hebreut Hercog, e pastaj shkon më tutje, në pushtimin e hapësirës jetësore të një familjeje normale në kohë jonormale, pra, uzurpimin e shtëpisë së saj, me supremacinë që ia imponon konteksti i vendit dhe kohës kur ndodhin këto ngjarje, në paralajmërimin e ekspansionit të nazizmit hitlerian që do të shkaktojë tragjedi të mëdha në gjithë Evropën.
Goran Stefanovski në tekst dhe regjisori Martin Koçovski në shfaqjen e tij me ansamblin e Teatrit Shqiptar, nuk merren me “luftën e madhe”, por me luftën e vogël të gjallimit dhe mbijetesës, sepse edhe ato luftërat e mëdha, përthehen si dramë në celulën më të vogël të shoqërisë, familjen dhe anëtarin e saj. Dhe pikërisht ashtu, në Shkupin midis dy luftërave, të ndarë në klasat shoqërore dhe pëkënaqësive sociale, thellohet edhe më shumë drama në familjen e Dimitries, ku e shoqja vuan nga mishi i egër në fyt, njëri djalë është i rrënuar nga pozicioni poshtërues i kamerierit, tjetri djalë i dhënë pas luftës sindikaliste, e tjetri, nga ambicia (“e sëmurë”?) për të bërë karrierë, mendon naivisht se këtë mund ta bëjë me mysafirin (jo) “të rastit” nga Gjermania. Dyshimet e familjarëve ndaj kësaj ambicie tregohen të sakta, sepse, për të bërë karrierë në “bashkëpunim me djallin”, s’mund të dalë gjë, pos një humbje e dinjitetit dhe njerëzores, që shpie në degradim moral e personal, që si vetëdijesim vjen vonë, kur në humnerë e merr me vete gjithë familjen e tij.
Duke pasur në qendër një dramë familjare, shfaqja është pikërisht e tillë, siç e përjetuan mbrëmë shikuesit, me ngarkesë të lartë emotive, që arrin të prekë thellë edhe ndjenjat e shikuesve, siç u shprehën disa sish pas premierës. Këtë e bënë ta ndjejmë aktorët e gjeneratës së re të këtij teatri, të prirë nga “veteranët” Bajrush Mjaku dhe Amernis Nokshiqi. Bajrushi, pas disa vitesh pensionim, u kthye në skenë si për të përmbushur amanetin e autorit, i cili gjashtë muaj para vdekjes, i kishte thënë se do të donte shumë ta shihte Bajrushin në rolin e Dimitries! Kthimi i tij nuk është tamam prej veterani e pensionisti të lodhur, por në stilin siç e njohim, tejet energjik dhe që u futet roleve “nën lëkurë”. I tillë ishte edhe kësaj radhe, jo me shumë fjalë, sa me figurën e tij markante, gjestet e të cilit flasin vetë. E kësaj radhe, ai duhej të na e paraqiste kryefamiljarin e brengosur për fatin e familjes së tij, thellë i lëndueshëm siç besojmë e ka krijuar edhe autori. Plagët e familjes në mënyrë sugjestive i përjetojmë përmes lëngatës së nënës Mitra (e Amernisit). Por a nuk e simbolizon “mishi i egër” i saj kërcënimin e familjes? Kjo shprehet përmes rënies së fëmijëve, Simonit, një nga rolet më të arrira të Dritoro Ames, i cili shkëputet nga imazhi i roleve komike që të shpeshtën i bien hise sipas prirjes së vet, e sidomos kjo(metafora e mishit të egër) do t’i shkonte personazhit të Stevos së Xhevdet Jasharit, i cili me ambicien e tij të sëmurë, bëhet shkaktari që të pësojë e gjitha familja? Te Xhevdei kemi më së shumti rënie-ngritjet emotive, të natyrshme sipas situatave, ku edhe ai bëhet viktimë e dramës së thellë që përjeton, dhe për një çast harrojmë që për publikun e gjerë është më i njohur për rolin komik te seriali “O sa mirë”. Ai i përcjell bukur dhe thekshëm, me ndonjë oscilim të vogël, këto amplituda emotive, sepse, ai është boshti rreth të cilit luhet dhe përthehet drama e rrënimit familjar. Përveç roleve tjera të luajtura me një rutinë dhe nivel të duhur artistik, nga Mentor Kurti, Rahim Ramadani, Sabina Memishi Genci Mirzo dhe Hetem Etemi, për harmoninë e të cilëve sigurisht ka merita edhe regjisori Koçovski, për nga aspekti dramatik, veçohet edhe Klausi i Arben Rasimit, tek i cili, ndryshe nga të tjerët ku veçohen me tragjizmin, ai karakterizon atë pushtues të ardhshëm, i cili me forcën e hegjemonisë së tij, luan në timbrin e ironisë, sepse kështu vepron ai që ka atë pozicion.
Për ata që kanë parë ndonjë shfaqje të mëhershme të “Mishit të egër”, do të vërejnë dallimin se Martin Koçovski, pos në qasjen emotive të latimin të roleve, ka luajtur edhe me mjetet skenike për të arritur simbolikën dhe mesazhin e autorit. Këtu “rol” të veçantë luajnë vetë rekuizitet skenike(lëvizja e tavolinave, gotave…), e në veçanti “struktura” e stilizuar e shtëpisë(vetëm me formën përmes shtyllave të drunjta), e vënë në funksion të shpërbërjes së saj dhe shthurjes së familjes shkupjane të para luftës së dytë botërore. Ai këtë skenografi të realizuar nga Enes Deari, e bën për dinamizmin e shfaqjes, por në fund edhe i jep karakter simbolik. Ajo jo vetëm që lehtë pushtohet, kur pushtohet nga brenda, por dhe në fund rrënohet lehtë, ashtu siç lehtë e ka bërë ai, me dekonstruimin për vetëm disa minuta! Kështu, për të treguar se çdo luftë e madhe nis nga një luftë e vogël që mund t’i ndjejnë njerëzit e rëndomtë në betejat dhe pësimet e tyre, regjisori na e jep dramën familjare edhe përmes lojës së aktorëve, edhe përmes efekteve skenike, të cilat kanë simbolikën e vet dhe mbajnë nderë dramën që nga fillimi gjer në fund. Kuptohet, siç u cek më sipër, si kalë Troje është njëri anëtar i familjes, Stevo, i verbuar nga ambiciet karrieristike që bashkëpunon me djallin, që në fund të përjetojë katarzisin e kthjelljes dhe para se të pësojë familja, e pëson ai!
Me këtë shfaqje, Teatri Shqiptar lau borxhin moral ndaj regjisorit të saj shumëvjeçar, Mirko Stefanovskit, duke ia vënë në skenë një shfaqje të të birit, Goranit, si një nga drmaturgët më të njohur ballkanikë. Tema e përafërt, konteksti kohor historik e ideologjik që në shfaqje kanë vendin e duhur, loja harmonike e aktorëve dhe qasja origjinale regjisoriale, “Mishin e egër” e bëjnë një ngjarje të rëndësishme kulturore të kësaj vjeshte.