Ismail Arsllani

          Në njërën prej tryezave të tavernës, pikërisht në cepin e djathtë të saj, ishin palosur me kujdes disa gazeta të huaja në gjuhën angleze, si The Guardian, The New York Times, Sunday News e The Times, të cilat, me angazhimin personal të Hafëz aga Hajrizit, pronar i Bujtinës së Kasabasë, vinin me shumë peripeci nga një udhë e largët, andaj s’ishte për t’u habitur që ishin me datë të skaduar, por që kjo nuk i pengonte të dërguarit të Sulltanit, Baba Dijetarit, për t’i lexuar ato me shumë ëndje dhe interesim të shtuar, sidomos kishte një zgjim kërshërie për shkrimet që vinin nga gazetarë evropianë e që preknin edhe ndodhitë në vilajetet e Perandorisë osmane në Ballkan. Në atë bujtinë me më shumë se dhjetë dhoma fjetjeje, disa nga ato gazeta përfundonin edhe në dhomën e Baba Dijetarit, të cilën ai e kishte mobiluar si një zyrë pune; me dy kanape, kolltuk të madh, një tavolinë katrore, me një çarçaf të bardhë dhe dy karrige të zeza të mbështjella me lëkurë, një komodinë për dokumente, një vepër arti varur me kornizë në mur nga një kaligrafist arab, si dhe një raft me një bibliotekë të vogël dhe në dysheme një qilim i trashë i shtruar persian, ngjyrë e kuqe e errët dhe me shumë lule në të katër anët.

          Edhe komitët anti-osmanë kështu e paramendonin dhomën e Baba Dijetarit në atë Bujtinë, sipas fjalëve që i kishin mbledhur prej anësh, por ajo çka u interesonte më shumë s’ishte pamja e dhomës së tij, porse vendi se ku i kishte fshehur defterët e tij me shumë shënime të vlefshme për Kasabanë, madje edhe me do lista emrash të komitëve dhe të krerëve të tyre, mbështetësve të tyre nëpër konsullata, që duhej të përfundonin në Stamboll. Komitët kishin angazhuar edhe disa hafije që të mblidhnin informata të sakta për vendndodhjen e defterëve, në mënyrë që kur të vijë momenti i duhur, të mund t’i merrnin në pronësi të tyre, nëse do të duhej edhe me mjete të dhunës.

          Sa për ta qetësuar shpirtin e tij të trazuar nga ndodhitë e ditës që shkuan paksa ters, Baba Dijetari atë natë zgjodhi nga biblioteka e tij modeste një libër me kopertina të zbardhura, që mbante titullin” “Këngët e Mevlanës”. Ishin në atë libër poezitë më të bukura të “shahirit” Xhelaludin Rumi, i njohur si Mevlana, poetit ndër më të njohur persian, i cili ishte edhe dijetar islam, teolog dhe mistik. Ky duke kënduar e thurë vargje për femrën, kishte lartësuar figurën dhe shpirtin e saj: “Duhet të jesh qiell që ajo të jetë rehat në tokë; duhet të bëhesh pemë që ajo të prehet nën hije; duhet të shndërrohesh në krahë shpendësh që ajo të fluturojë…”, vargje këto që i erdhën si prehje shpirti dhe këndelljeje për Baba Dijetarin, i cili kishte rënë në hall të madh me të bijën e Hafëz aga Hajrizit, e cila u hodh në greminë shkaku i tij nga një dashuri që nuk guxonte ta kthejë as për flijim koke e nuk guxonte ta thyejë fjalën që ia kishte dhënë sulltanit, andaj shtrëngoi pa vetëdije lapsin mes gishtash dhe nënvizoi rreshtat që i pëlqyen shumë.

          Pastaj la mënjanë librin me poezi dhe nisi të meditojë thellë e më thellë, sa që humbi orientimin e kohës dhe hapësirës në të cilën gjendej. Ai kishte një diçka që nuk mund ta zbërthente assesi për sa i takonte mentalitetit të këtij mileti. Kishte shumë hamendje shkaku i përbërjes së njerëzve që jetonin në atë Kasaba. Vërtet shumica ishin arnautë, por nuk mund t’i anashkalonte edhe të tjerët: turqit, jevgjit, vllahët dhe të krishterët, sidomos kishte hallin me këta të fundit, të cilët s’dinte në cilën kategori t’i fuste, meqë ishin një komunitet i rëndësishëm e që kishin disa privilegje të veçanta nga vetë sulltani, ndonëse ata si jo mirënjohës ishin anti-sulltanistë, ndaj dhe nuk mund t’i fuste me një thes me arnautët, me të cilët, herë dalloheshin shumë e herë-herë sikur një nënë i kishte lindur, ndaj dhe duhej një mendjehollësi për matje të pendlave në kandar.

          Baba Dijetari, në bisedat e tij me Hafëz aga Hajrizin, Selman Samarxhiun, Malësor Dedën, komisarin e xhandarmerisë, El Gafarrin dhe me disa esnafë të çarshisë kishte hedhur shkarazi çengelë për këtë mëdyshje të tij, për të marrë një përgjigje ekzakte rreth çështjes së shtruar, por dilemat kishin mbetur. Së fundmi rrihte shpesh rradaken me fjalët e truprojës së tij, Malësor Dedën, i cili kishte një gjykim të shëndoshë, me atë kokën e tij të freskët, që kishte pirë ujë të ftohtë e të kulluar bjeshke dhe kishte thithur ajër të pastër, përzier me aromën e kullosave mjekësore. Por kjo ishte një sprovë paksa delikate; nuk dihej se nga mund të merrte vërshimi i miletit. Mos do të dilte puna: “Më shumë zarar sesa qarr?!” Si do të justifikonte urdhrin te Xhandarmeria për arrestimin e pafajshëm të priftit dhe të hoxhës, vetëm e vetëm që të mund të shihte me sytë e tij se si do të reagonin arnautët dhe të krishterët veç e veç. Atëherë kjo dilemë do të zhdukej si flluskë sapuni dhe shënimet në defter do të merrnin një kahe të duhur.

          Pasi u kthjellua paksa nga ato mendime që e kishin mbërthyer qe sa kohë, mori gazetat që i kishte në dhomë dhe zuri t’i shfletojë. “Sa shumë letra po harxhojnë këta nga bota perëndimore për këto fletë kaq të mëdha të gazetave, por habere të dynjasë tonë nga Kasabaja rrallë po i shoh dhe kur i nxjerrin janë brenda një kornize të vogël prej pesë-gjashtë rreshtash”, kaluan këto mendime në rradaken e tij si një shfryrje për një pakënaqësi ndaj qasjes brenda territorit të Perandorisë dhe vazhdoi edhe pak me shfletimin e tyre: “Jo vetëm që shkruajnë pak e me shumë vonesë, por dhe nuk e nxjerrin të vërtetën në shesh. Ja, p.sh., ky lajm që për mua është i rremë: “Nja tridhjetë arnautë kanë sulmuar dasmorët të krishterë në një katund fushor dhe i kanë plaçkitur me të gjitha që i kanë pasur!” Jap kokën se kjo s’ka ndodhur e as që do të ndodhë ndonjëherë. Arnautët janë myslimanë, i besojnë Zotit të madh dhe nuk bëjnë vepra të këqija. Këto lajme janë vetëm shpifje…shpifje!”, aq shumë u ndez Baba Dijetari, saqë filloi të flas me vetveten me zë që mund të dëgjohej edhe jashtë.

          Në orët e para të mëngjesit, Baba Dijetari paksa i mllefosur nga një duhmë e brendshme shqetësuese, kishte behur në zyrën e komisarit të Xhandarmerisë dhe mezi e kishte bindur që për një çështje madhore do të duhej të arrestoheshin njëkohësisht prifti dhe hoxha. “Mos pyet më shumë, kështu e kërkon detyra që më është ngarkuar nga Sulltani. Kryeje këtë punë me përgjegjësi”, i kishte thënë komisarit dhe kishte dalë jashtë pa u përshëndetur.

          Lajmi për arrestimin e beftë të priftit dhe hoxhës nga Kasabaja ishte përhapur me shpejtësinë e një rrufeje si nga qielli i kaltër, madje kësaj here për këtë haber të papritur dhe të dhembshëm nuk duhej të thirrej tellalli duarshkathët që t’i bjerë tupanit të tij: “Dëgjoni e mos thoni se s’dëgjuat…!” Gati përherë e fillonte me këto fjalë kumtin zyrtar tellalli i Kasabasë. Lajmi shkaktoi do lëvizje të papritura në çarshi. Njerëzit shkonin e vinin pa ndonjë cak, sikur pritnin që do të ndodhë diçka. Kur sheshi u mbush me njerëz, atëherë një kategori prej tyre që dalloheshin për nga veshja e dukja, u rreshtuan me nga katër dhe bënë një varg të gjatë, që u drejtua nga godina e xhandarmerisë. Të tjerët mbetën sehirxhi anësh rrugëve. “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të priftit tonë!”, brohoritnin të krishterët që protestonin para dyerve të Xhandarmerisë, ku qëndronte edhe Baba Dijetari. Pas shumë brohoritjesh për lirimin e priftit, nga dera e burgut dha krye prifti që ishte i shoqëruar nga dy rojtarë.

          “Kërkojmë falje për këtë burgosje që është bërë me gabim!”, bërtiti para turmës Baba Dijetari, “prifti është i lirë, mund ta merrni!”

          Baba Dijetari pa u vonuar u kthye në çarshi dhe kaloi mes esnafëve që debatonin me zjarr për arrestimin e hoxhës. “Dovleti di diçka që ia ka vu prangat hoxhës, s’është kot së koti!”, bisedonin dy zanatçinj para dyqaneve të tyre. U bë mbrëmja, hoxha nuk u lirua sikundër që u lirua prifti, por asnjë nga myslimanët nuk doli të protestojë për lirimin e tij, si protestuan të krishterët, madje hodhën njollë dyshimi. Baba Dijetari bloi gjatë me rradaken e tij dhe erdhi në një përfundim: “Ky milet mysliman, po se po që dihet se është luajalë ndaj Sulltanit dhe nuk protestoi për burgosjen e hoxhës, madje shprehu një dozë dyshimi ndaj tij…Kjo do të thotë se ata u besojnë organeve të pushtetit perandorak dhe nuk e lodhin trurin më shumë. S’mund të them se nuk u revoltuan pse janë më tolerantë, se janë paqësorë, më shumë do të thosha se e kanë mentalitetin e robit, të vasalitetit, të përkuljes…!”, rrahu mendjen Baba Dijetari me këto vlerësime për arnautët myslimanë dhe mbeti i kënaqur se, më në fund, do të mund të ketë një vlerësim dallues ndërmjet miletit të krishterë në atë kasaba dhe atij mysliman.