ESHTRAT QË VIJNË VONË


prej shtëpisë sime me çati prej kashte
dola me hejben plot vegla
e mora rrugë Veriun e Thellë
kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
pas erës së bukës 
rrugë më rrugë shkretëtirës
kah Lindja
kah Perëndimi


latues mermeri me daltë
ikonograf me brushë e ngjyrë
godita pirgjet e larta të botës
gjurmë lash shenjën e qartë
pikturat e amshuara nëpër tempuj
lirikën – fjalë të zjarrtë
aktor me pseudonim
palaço në oborrin mbretëror
pa emër pa datë


disa shekuj pastaj
në Atdhe
eshtrat më vijnë vonë
me anije
– deti çohet dallgë


VATERPOLISTI NË BULEVARD

në bulevardet me drita ngjyrë fishekzjarresh
më panë me plis të bardhë
me buzë të përvjela më thanë:
“Ja, vaterpolisti në asfalt!”

në kokë më oshëtinte
edhe porosia e sime amë
“Biro, puna fizike sjell leverdi
s’është marre të pastrosh nevojtore
ne jemi njerëz të thjeshtë
ti s’je profet
ti s’je për punë krijuese, për lavdi
për punë hyjnore… shpirtërore

nëpër zebrën e kalimtarëve asfaltit ngarendi
e ngreh përdore kazanin me rrotë
mbi një teneqe me prush
në skarë pjek shtalba misri
dimrit pjek gështenja
në Pragë Paris e Stamboll
vjeshtë e dimër
erë bliri kundërmoj
erë vere nga atdheu im
më sjellin kanjushat e mërgimtarëve
të pështjellë me letër-celofan


TRIM I MARRË

në trotuar si beduin si kloshar
në rrugët e botës më zë natë
ngrysem si çifteli e kërleshur
vruga qepallave hije m’i bën
lirë e shes artin tim – mjeshtërinë
se bukën s’e dua lëmoshë
mëshirë s’e dua dashurinë
asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron
re e mllefur në ballin tim
vetëton e bubullon
më vret dru të njomë

vonesa
do të kthjellet në paanësi e di
në veri atje ku një Doruntinë 
psherëtin
e vëlla më pret t’i vij
malli për të boll më del
me leckat e mia vjeshta
rrugëve të planetit kah m’i vjel