Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dashuri e vështirë

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mirë

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…

Për gratë tona

Sa pak këndojmë për gratë tona !

Për gratë

E bukura e të mira,

Që na përkëdhelin me duar të njoma

Kur kthehemi nga rrugë të vështira.

Gabohemi shumë,

Kur flasim e grijmë

Rreth gotës me birrë,

Rreth gotës me verë,

Se gratë tona e humbën freskinë

Se ishin të këndshme njëherë !…

Jo, jo, s’humbet hijeshia e tyre,

Mjafton të qëndrojnë pak në pasqyrë

Dhe të duken prapë të njoma.

E si të mos këndojmë,

Poetë,

Për ato që kanë ditur në jetë

Të lindin kreshnikë e peri,

Jo në maternitet e në shtëpi

Po edhe në korie e në arë,

Duke prerë dru

E duke hedhur farë?!

Mjegulli i dashurisë

Kur ikja larg, drejt teje vija ;

Kur vija afër, ikja larg.

Për dreq më trembte largësia

Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha,

Një mjegull pus, një çmenduri,

Si një poet që shkruan vjersha

Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

 Dhe ndofta kjo ish dashuria :

E çakërdisur kuturu…

Për dreq më trembte largësia

Dhe afërsia gjithashtu.