Nga Fatmir Terziu

Në Sheshin “Gensher” plazma dirigjohet nga pasthirmat,
në zagushinë e Bezistanit të moçëm,
kumuritë zbaviten
në një shtrojë shumëngjyrëshe me qindra arna gjethesh,
hija ende si shkopi i Sulltanit zhvishet,
e dehur nga kënaja mes gishtave.

Plazma rrëshqet mes metaforave të një reklame
harpa i ka mbyllur sytë nga frika
një shtrëngatë e madhe mund ta zgjoj atë në agim
në kitarë me Alfons Balliçin mjeshtër,
por ajo enkas ka nisur të lëshojë melodinë e saj
diku në kërkim
të mozaikut të vjetër.

Plazma shëtit gjeografinë e radhës
po e vidhos në mëndafshin e natës.