NGA MERXHAN JAKUPI

Në nëntor të vitit 1991, në Konferencën e Paqes në Lisbonë të udhëhequr nga Lord Piter Karington, liderët dhe politikanët e SHBA dhe BE kishin pasur dy skenarë për ndalimin e luftës që kishte filluar në ish-Jugosllavi. Versioni i parë ishte Plani A, që konsistonte me mos ndryshimin e kufijve, pavarësinë e republikave, asociacionin ekonomik, zonën e lirë doganore, që sot i njihet si mini-Shengen, si dhe me autonominë për serbët e krahinës së Kroacisë, ndërsa për Kosovën status special sipas modelit të Tirolit Jugor. Versioni i dytë ishte Plani B, që kishte synim ndryshimin e kufijve. Formimi i shteteve nacionale ose siç u quajt “Serbia e madhe”, “Shqipëria e madhe” dhe “Kroacia e madhe”, ndërsa serbët e Bosnjë-Hercegovinës do t’i bashkëngjiteshin Serbisë, myslimanët boshnjakë të Bosnjës së mbetur, mes Serbisë dhe Kroacisë, do të kishin mini-shtetin mysliman. Në jug, Kosova do të ndahej, një pjesë e serbëve do t’i bashkëngjiteshin shtetit amë Serbisë dhe pjesa tjetër Shqipërisë.

Ky plan u hodh poshtë nga faktorët ndërkombëtarë, duke pasur parasysh se do të ishte një pikë e nxehtë ndarja e Maqedonisë dhe e Bosnjës. Ndarja e Maqedonisë mes dy etniteteve më të mëdha, atyre maqedonas dhe shqiptarë, do të ishte më e lehtë, duke pasur parasysh strukturën demografike, më homogjene dhe më kompakte sesa në Bosnjë, por problemi ishte se maqedonasit nuk kishin identitet kombëtar, ndërsa me shpërbërjen e Maqedonisë, lufta mund të zgjerohej në gjithë rajonin, ku do të mund të involvoheshin Bullgaria dhe Greqia. Ky plan, në fund u hodh poshtë. Pas nënshkrimit të Planit A, Jugosllavia u shpërbë, me një luftë të tmerrshme, me gjenocid dhe pastrim etnik.

Sipas disa analistëve e politikanëve, në fund, edhe Plani A, fatkeqësisht, nuk solli paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Pas një çerek shekulli, Ballkani Perëndimor gjendet mes luftës dhe paqes, do të thotë se shpërbërja e ish-Jugosllavisë ende është duke vazhduar. Disa diplomatë dhe politikanë në Perëndim, në mënyrë unanime kanë thënë se më mirë do të ishte Plani B, që nënkuptonte ndryshimin e kufijve, me luftëra të përgjakshme, por, një herë e përgjithmonë do të përfundonte dhe do të mbyllej sindroma ballkanike, do të rivendoseshin kufijtë nacionalë, ku do të kishte paqe dhe stabilitet në rajon.

LIDERËT E BALLKANIT PERËNDIMOR NË DIJENI PËR NDRYSHIMIN E KUFIJVE

Gazetari slloven, Primozh Cirman, në portalin e tij këtë javë ka tronditur gjithë mediet dhe rrjetet sociale në Perëndim e më gjerë. Ai ka zbuluar dokumentin Non Paper të kryeministrit slloven, Janez Jansha. Ky dokument ka tronditur gjithë kancelaritë e BE-së dhe SHBA-së. Sipas tij, dokumenti Non Paper nuk është vulosur dhe nuk dihet akoma se kush janë autorët. Kryeministri Janez Jansha mund të jetë vetëm një postier. Po ashtu, Non Paper nuk është shkruar nga qeveria e Sllovenisë. Sipas disa analistëve dhe politikanëve nuk dihet nga ka ardhur ky dokument dhe se kush janë autorët. Sipas disa burimeve të tjera, autorët e dokumentit Non Paper janë populistët e të djathtës rreth ultra-nacionalistëve Orban, Jansha, Vuçiq dhe Gruevski, madje përmendet edhe Putini. Thuhet se për këtë dokument kanë pasur dijeni edhe presidenti slloven, Borut Pohor, ai serb Vuçiq, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe kryeministri kroat, Zoran Millanoviq.

Presidenti i republikës së Sllovenisë, në vizitën që bëri në Sarajevë, në takimet me tre liderët e Bosnjë-Hercegovinës, ka biseduar për rishqyrtimin e kufijve, që do të thotë për ndarjen apo shpërbërjen e Bosnjës. Sipas reagimeve të tre liderëve, në radhë të parë të Mirosllav Dodikut, i cili citohet t’i ketë thënë presidentit slloven se për këtë ekziston vullnet te të tre etnitetet. Me fjalë të tjera, asnjë nga etnitetet nuk duan të jetojnë bashkë në këtë shtet. Ai ka ironizuar me fjalët se janë tre vëllezër që duan të ndahen, pasi që asnjëra palë nuk është e kënaqur. Lideri kroat, Dragan Çoviq ka thënë se nuk do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Lideri boshnjak, Bahir Izetbegoviq, i shokuar thotë se për boshnjakët kjo është thikë pas shpine, sepse shpërbërja dhe ndryshimi i kufijve të Bosnjës mund të sjellë një apokalips e kataklizëm, si dhe luftëra më të tmerrshme se në vitet e ’90-ta. Po ashtu, edhe presidenti Pohor është i involvuar në aferën “Non Paper”, shkruan gazeta sllovene “Dello”. Presidenti slloven, Borut, sipas medieve, në një konferencë shtypi, thotë se nuk ka pasur dijeni për Non Paper.

Dokumentin Non Paper, si duket, Janez Jansha u ka dërguar disa diplomatëve në Bruksel dhe gazetarit boshnjak Sead Numanoviq, i cili është korrespondent në atë kryeqendër diplomatike. Ai ka thënë se ky dokument i është dërguar edhe kancelares gjermane Angela Merkel. Sipas gazetarit boshnjak, Brukseli pas një dite, ka demantuar se kanë pasur në dorë një dokument të tillë.

Është për t’u habitur me historikun dhe karrierën politike të kryeministrit slloven, Janez Jansha, i cili në të kaluarën ka qenë marksist-leninist. Në fillim të viteve ’80, në periudhën e Millosheviqit, ishte kritikues i ashpër i Millosheviqit dhe anti-serb. Jansha, në shtypin slloven dhe jugosllav ka mbrojtur tezën e Kosovës. Jansha në atë kohë ishte si opozitar i së majtës socialdemokrate. Metamorfoza e tij ka qenë se pas viteve 2000, ai u bë konservativ dhe kaloi në anën e spektrit të djathtë populist. Sot Janez Jansha është miku i ngushtë i Orbanit dhe i Gruevskit.

Sipas gazetarit, Primozh Cirman, Orban dhe Jansha janë pronarë të disa gazetave dhe medieve sllovene, ndërsa Jansha ishte ithtar dhe admirues i ish-presidentit amerikan, Donald Tramp. Ai ishte i vetmi kryeministër nga shtetet e BE-së, i cili pas inaugurimit të presidentit të ri, Xho Bajden, nuk i dërgoi urime. Aktorët e aferës Non Paper, kanë pritur triumfin e Donald Trampit edhe në mandatin e dytë. Kryeministri slloven, Jansha, duke pasur parasysh se Sllovenia më 1 qershor do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së, ka paraparë që qeveria e saj, së bashku me ato të Hungarisë, Polonisë dhe Austrisë, nga e djathta nacionaliste, si dhe Greqia dhe Bullgaria, të hapin “Kutinë e Pandorës”. Ky dokument më së shumti ka të bëjë me shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës. Ish-presidenti slloven, Millan Kuçan, në një intervistë me gazetarin boshnjak, Senad Haxhifejzoviq, kishte deklaruar se i vinte keq për spekulimet e populistëve sllovenë. Të gjitha qeveritë e deritashme të Sllovenisë, të cilido spektri politik qofshin, kanë treguar gatishmëri për t’i ndihmuar shtetet që dolën nga ish-federata jugosllave, në mënyrë që sa më shpejt të integrohen në BE, që do të ishte edhe në funksion të stabilitetit të vetë Sllovenisë. Kuçan ka kritikuar edhe disa shtete të BE-së, që, në fakt, janë të preokupuar me probleme të brendshme, kanë lejuar që me Ballkanin Perëndimor të qeverisin nacionalistë dhe populistë.

Ç’ PËRMBAN DOKUMENTI “NON PAPER”

Sipas gazetarit slloven, Primozh Cirman, Non Paper është i ndarë në tri pjesë: një, rishqyrtimi i situatës politike në Bosnjë-Hercegovinë, ku jetojnë tre etnitete të hasmuara, që mund të hynin në një luftë të re; dy, pranimi i gabimit të faktorit ndërkombëtar (BE dhe SHBA), për ndryshimin e kufijve pas një çerek shekulli nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Në dokument është pikëtuar BH, si një shtet më heterogjen nga ish-federata jugosllave, në ndërkohë që ky shtet është homogjenizuar dhe pritet se mund të realizohet më lehtë një gjë e tillë; në pjesën e tretë thuhet se rishqyrtimi dhe vendosja e  kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor është një projekt konform ideve të disa kancelarive dhe liderëve politikë të BE-së. Pra, kjo pjesë më shumë i përngjet Planit B, që ishte parashtruar nga Lord Karingtoni në Konferencën e Paqes në Lisbonë, në nëntor të vitit 1991, që konsistonte me ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Sipas autorëve të këtij dokumenti, me ndryshimin e kufijve nënkuptohet formimi i shteteve nacionale si “Serbia e madhe”, “Shqipëria e madhe” dhe “Kroacia e madhe”, ndërsa mes Serbisë dhe Kroacisë do të gjendej në sandviç një mini-shtet mysliman, ndërkaq Maqedonia e Veriut, pas shkëputjes eventuale të shqiptarëve dhe bashkimit të tyre me shtetin amë, do të kishte një status të ngjashëm me atë të Tirolit Jugor.