Nga: Stefan Çapaliku (pjesë nga romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, pjesa e parë)

Zhurmë e tmerrshme. Shkundullimë. Diçka e madhe ra përdhe, si të ishte meteor. Dukej se nata po e amplifikonte edhe më shumë zhurmën e një çasti më parë. Frikë. Të gjithë në këmbë në dhomën tonë. Unë, motra dhe prindërit. Im Atë me kokën në dritare. Të tjerët mbanim frymën. Errësirë. Lehje qenjsh. Zhurma dhe një re pluhuri që hyri nga dritarja dhe më ngacmoi hundët. Teshtima ime. Askush nuk më thotë shëndet. Shkoj te krevati i madh. Strukem te Mama. Është ftohtë. Shumë ftohtë, e dridhem pa marrë vesh asgjë.

– Rrëzuan kompanjelin e Kishës Françeskane – tha im Atë me një zë funebër e që nuk e njihja.

Lëvizje nëpër shtëpi. Të mitë dolën në çardak. Pëshpëritje deri herët në mëngjes. Unë me motrën te shtrati i madh. Zhurmat në çardak vazhdonin. Ishin zgjuar të gjithë. Më duket se atë natë e kanë gdhirë duke pirë kafe turke e duke mallkuar ata që po na shkatërronin tempujt.

Të nesërmen zbrita vonë te soba. Gjyshi ishte në shtëpi gjysëm i shtrirë në shezlongun e tij dhe buzëvarur. Gjyshja ime duke pjekur kafe te shporeti dhe një burrë thatim, i shkurtër, i ulur në një karrike ngjitur me babëngjysh duke lexuar një letër. Nuk i mbaj mend fjalët e asaj letre, por më është ngulitur në krye portreti i gjyshit me sy të tmerruar dhe me gojë të hapur, si të ishte përpara një gryke pusi.

Shumë më vonë arrita të marr vesh se ai burri i shkurtër dhe thatim, veshur me kostum të vjetër, të zi dhe këmishë të bardhë dhe që permendte pa nda emrin e kryeministrit Mehmet Shehu, kishte qenë Patër Meshkalla, një jezuit shqiptar, që para pak vitesh kishte dalë nga një burgim i gjatë. Pjetër Meshkalla kishte qenë shok klase në fillore me gjyshin. E kam gjetë atë letër drejtuar kryeministrit të asaj kohe dhe po e sjell këtu, ashtu siç ka qenë:

Shkëlqesë:

Mendova t’i drejtohem, me ketë letër, Shkelqesës Suej, për me i shfaqë mendimin tem, jo ndryshe, veçse si njeriu – njeriut.

Nji hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kisha, tue u rrëzue kumbonaret e sidomos, tue u lejue të vehen në lojë personat e gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt ka ba fushata e shfrenueme e diskretituese antifetare e zhvillueme me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje, populli ka mbushë kishat, deri në çastin e fundit të mbylljes së tyne.

Ç’vlerë ka, atëherë, qëndrimi i nji pakice të pandërgjegjshme a të frigueme me lloj- lloj presionesh?!

Sidomos pjesa e kërcnueme dhe e frigueme me presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtrengohet me mohue me gojë, atë që beson; kështu, fushata që po bahet synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste e asht tue prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut.