Napoli, (The Guardian) – Policia italiane ka gjetur një kopje të “Salvator Mundit”, pikturës së Leonardo da Vinçit, në një banesë në Napoli dhe e ka kthyer në muzeun që s’kishte ide se i ishte vjedhur.

Zyrtarët policorë të hënën në mbrëmje kanë njoftuar për arrestimin e një 36-vjeçari, pronar i banesës, nën dyshimin se kishte pranuar gjësende të vjedhura, pasi piktura u gjet në dollapin e tij të dhomës.

Me portretizimin e Jezu Krishtit me dorën e ngritur lart në formë bekimi dhe me tjetrën teksa mban një rruzull kristali, piktura është pjesë e koleksionit të muzeut “Doma” në manastirin “San Domenico Maggiore” në Napoli.

Ajo është kopje e veprës së Da Vinçit, që më 2017 u bë piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë, përmes një ankandi. Ishte shitur për 450 milionë dollarë.

Por muzeu ka qenë i mbyllur qe disa muaj, për shkak të masave për luftimin e koronavirusit, dhe askush s’kishte raportuar se piktura po mungonte.

“Piktura u gjet të shtunën falë një operacioni të mrekullueshëm dhe të kujdesshëm policor”, ka thënë prokurori i Napolit, Giovanni Melillo. “Nuk ka pasur asnjë ankesë për çështjen dhe në fakt ne kemi kontaktuar priftin, që nuk ishte në dijeni për zhdukjen e saj, pasi dhoma ku mbahen pikturat nuk ishte hapur për tre muaj”.

Vepra vaj në pëlhurë besohet të jetë realizuar nga artisti Giacomo Alibrandi dhe daton nga vitet 1500.

Policia tani është duke hetuar se si u vodh ajo, pasi s’kishte asnjë shenjë të hyrjes brenda, ka njoftuar Melillo.

“Kushdo që e ka marrë pikturën e donte atë dhe është e mundshme që vjedhja të jetë porositur nga ndonjë organizatë që punon në tregtim ndërkombëtar të artit”, ka shtuar ai.

“Salvator Mundi” origjinale nuk ishte parë në publik që nga shitja rekorde dhe disa ekspertë kanë vënë në dyshim autenticitetin e kësaj vepre.