Piktorja kosovare Emine Avdiu ka prezantuar artin e saj para publikut suedez. Artistja, që tash e një kohë jeton në shtetin skandinav ka përgatitur dhe prezantuar një ekspozitë me punime që kanë frymëzime të ndryshme. Miqtë, familjarët e dashamirët e artit u mblodhën në Medborgarhuset për të parë nga afër pikturat e punuara nga 47-vjeçarja Avdiu.

Në shumë piktura te saj gratë përshkruhen. Në pikturën me titull “Ëndrra e murgeshës” ajo ka përshkruar një grua me fustan martese. Liria e gruas është një temë e përsëritur dhe e rëndësishme e artit të saj.

“Është shumë e rëndësishme për mua që gruaja të jetë në gjendje të zgjedhë vetë rrugën e saj”, u shpreh Avdiu me këtë rast. Ndonëse e ka të vështirë t’i ndajë punimet e veta, nga kjo ekspozitë ajo veçon veprën e  titulluar “Simboli i flamurit” të cilin ajo e krijoi me ngjyrat e gjetura në flamurin suedez. “Kjo pikturë do të thotë shumë për mua sepse Suedia më ka ndihmuar shumë”, tha Avdiu. Piktorja zotohet se do të vazhdojë edhe më të tej të punojë  në këtë drejtim.