Pianisti dhe vokalisti Terry Riley do të paraqitet para publikut kosovar me një koncert së shpejti. Njoftimin për këtë e ka dhënë kinemaja “Armata”, ku edhe do të mbahet ky koncert, më datën 13 prill. E në këtë mbrëmje muzikore Riley nuk vjen i vetëm. Bashkë me të në skenë do të ngjitet edhe djali i tij Gyani, i cili do ta shoqërojë me kitarë klasike.

“Kinemaja ‘Armata’ ka kënaqësi të jashtëzakonshme ta lajmërojë koncertin e pionierit të minimalizmit Terry Rileyt dhe djalit të tij Gyanit, të cilët bashkëpunojnë në seri të improvizimeve të lirshme. Prezantojmë programin e plotë të muzikës së Rileyt: struktura të ndërlikuara improvizuese që përmbajnë elemente të minimalizmit, jaz, ragtime dhe raga të Indisë së Veriut, kombinimi i të cilave ka definuar karrierën e frytshme të artistit amerikan”, thuhet në njoftimin e kinemasë.

Ndarja e skenës me të birin ka shumë rëndësi për muzikantin Terry Rileyn. Ka rëndësi të veçantë sepse, sipas tij, asgjë që ka krijuar më herët nuk krahasohet me këtë bashkëpunim me Gyan. “Asgjë që kam bërë në këtë jetë nuk më ka dhënë më shumë kënaqësi se improvizimi me Gyan në këto këngë. Asgjë që kam prodhuar nuk mund të krahasohet me sinkronicitetin intuitiv, të cilin e kemi ndarë aq shumë herë në skenë. Gyani paraqet sfond brilant për temat e këtyre kompozimeve, duke më befasuar çdoherë me virtuozitetin, i cili i shërben dhe i energjizon zbulimet e tij muzikore. Nuk kam mundur as ta ëndërroj bashkimin më të mirë të mendjes dhe të shpirtit se në këtë kolaborim”, ka thënë Terry Riley.

Terry Riley, i lindur më 1935-n, ishte ndër kompozitorët më revolucionarë të periudhës së pas-Luftës së Dytë Botërore; i njohur për futjen e përsëritjes në motivet muzikore të Perëndimit. Ai gjithashtu konceptoi eksperimentet e para me lak (loop) të shiritit dhe të sistemeve të “delay”-t, të cilat lanë shenjë të pashlyeshme në muzikën eksperimentale të prodhuar më vonë. I ndikuar thellë nga përsëritja mantrike e muzikës klasike indiane si dhe shkallët modale e improvizimet në jaz, komponimet si “In C” nga viti 1964 dhe incizimet elektronike si “A Rainbow in Curved Air” nga viti 1969 u bënë pika referimi të muzikës së shekullit XX dhe influencuan pa masë zhvillimet në muzikën elektronike dhe rock psikodelik/progresiv. Punët e mëvonshme si “Shri Camel” (1980) dhe “The Harp of New Albion” (1986) u fokusuan vetëm në intonim.

Riley ka bashkëpunuar shumë me “Kronos Quartet”-in, ku punët kryesore vlerësohen “Salome Dances for Peace” (1989), e nominuar për “Grammy” dhe “The Cusp of Magic” (2008). Punët e Rileyt nga shekulli XXI përfshijnë koncertin për piano Banana Humberto (2008), komponimin formëgjatë për sintisajzer “Aleph” (2012) dhe bashkëpunimet me djalin e tij, Gyan Riley, sikur muzika e filmit të vitit 2017 “Hochelaga”, “Land of Souls”.

Ky koncert organizohet në vazhdimësinë e aktiviteteve që kinemaja “Armata” i organizon, si hapësirë e dedikuar për skenën alternative të kulturës në Kosovë. Kjo kinema përkrahet nga Komuna e Prishtinës.

E ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa ku qëndron kinemaja “Armata” ishte caktuar për Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cila më vonë themeloi kinemanë brenda kompleksit dhe e hapi për publikun për shfaqje dhe për ngjarje. Mirëpo kinemaja u mbyll mes viteve 1988 dhe 1999 për shkak të situatës politike dhe sociale në vend, e cila u përkeqësua shpejt pas revokimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe veçanërisht kur filluan luftërat jugosllave të viteve 1990. E historia që e përcolli këtë kinema është mjaft interesante.

Ndërtesa ka të gdhendur në historinë e saj edhe historinë e Kosovës. Kështu vlen të theksohet se interieri brenda saj është i kohës së socializmit, ndërsa në anën tjetër karriget, të cilat janë vendosur pas luftës, janë prej kohës së UNMIK-ut./Zeri/
/