Fitorja në garën midis studentëve të Universitetit të Münsterit në Gjermani, pianistes së re nga Kosova, Fatjona Maliqi, i ka hapur dyer të reja në karrierë. Do ta përfaqësojë universitetin ku studion në serinë prestigjioze “WDR3 Campus-Konzerte”. Interpretimi i saj do të transmetohet drejtpërdrejt më 8 dhjetor në radion publike gjermane “WDR3”, që ka një shtrirje në krejt Vestfalinë e Rajnës Veriore, me 13 milionë banorë.

Maliqi për këtë prezantim nuk u ka ikur veprave të vështira të literaturës pianistike. Bëhet fjalë për “Diabelli-Variacionet” të kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven. Këtë vepër, për një orë pa ndërprerje, ajo pritet ta interpretojë në pianon e punuar nga gjermano-austriaku me nam, Conrad Graf (1782- 1851) në Vjenë më 1826.

Në instrumentet e këtij mjeshtri kanë luajtur edhe ikonat Beethoven e Chopin. Ai në të cilin do të interpretojë Maliqi është pjesë e koleksionit të Beetzit, që ruhen në Universitetin e Münsterit. Qe gara e brendshme e 2 korrikut që ia mundësoi asaj prezantimin e radhës, shkruan KOHA.

Vetëm Maliqi dhe një grup perkusionistësh e kaluan garën ku u paraqitën më shumë se 20 studentë.

Universiteti i Münsterit në Gjermani, i themeluar në vitin 1780, është një nga universitet me të njohura e më me traditë në këtë shtet evropian. Reputacioni i tij është i njohur jo vetëm në Gjermani, por edhe më gjerë. Pianistja 23-vjeçare ka nisur studimet aty në vitin 2016.

Garën e fitoi me të njëjtën vepër me të cilën do të interpretojë para një audience më të gjerë. Ka thënë se

ka përzgjedhur veprën e mjeshtrit të epokës së klasicizmit për ta nderuar kompozitorin dhe njëkohësisht për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së tij.