Autor: Berat Luzhapoet dhe udhëpërshkrues i trevave shqiptare

Në rrugën nga Tirana drejt Elbasanit, vetëm 12 km nga kryeqyteti, në një kodër të bukur mbi luginën e lumit Erzen ndodhet fshati i vogël, Petrela. Petrela dhe zona e saj ka një natyrë të bukur me male, kodra, fusha e lugina, me bimësi të pasur, me burime natyrore. Petrelën e përmend Ana Komnena në shek. XI si Petrula. E përmend edhe A. Boue në veprën e tij. Barleti, në shek. XV e quan “qytet të papushtueshëm”, qytet të vogël, të rrethuar me mure rrethues.

Petrela është e njohur për kalanë e saj historike. Kalaja trekëndore e Petrelës, me perimetër të mureve rreth 100 metra, e ngritur në një kodër 400 metra të lartë e majë një shkëmbi gjigant, qëndron hijerëndë dhe krenare mbi fshat. Kjo kala është shumë e vogël, për nga madhësia, por shumë madhështore, për nga historia. Është e ndërtuar në terren të thepisur në periudhën e lashtësisë, në shek. VI e.r. nga perandori bizantin, Justiniani I, si kala e sistemit mbrojtës të Perandorisë Bizantine. Në shek. XIII – XIV kjo kala, të cilën e zotëronin Topiajt, e ka marrë formën e sotme. Në shek. XV, në epokën e Skënderbeut, kur ka shërbyer si një garnizon i fortifikuar ushtarak që komunikonte me kalanë e Krujës sipas sistemit sinjalizues të mbrojtjes, kjo kala kontrollonte rrugën me rëndësi të veçantë; Durrës – Tiranë – Elbasan.

Ishte njëra nga parakalatë apo kalatë vëzhguese të Skënderbeut, e çliruar e dyta, pas kalasë së Krujës. Pas vdekjes së Muzak Topisë, i cili ishte i martuar me Mamica Kastriotin, motrën e Skënderbeut në vitin 1445, Mamica e ka komanduar kalanë e Petrelës, që ishte kalaja që i përballoi deri në fund pushtimit Osman.

Në një kodër tjetër përballë kalasë së Petrelës, rreth një kilometër larg ndodhet një kështjellë edhe më e vjetër se kjo, një vendbanim antik i fisit ilir të Taulantëve i shek. IV p.e.r., i quajtur Persqop ose Vila. Qyteti antik i Persqopit u braktis pas rreth 1000 vjetëve, kur u zëvendësua nga kalaja e Petrelës, që kishte terren me siguri më të madhe. Kala tjetër në këtë zonë është ajo në malin e Vilës, e quajtur kalaja e Brysekut. Pandehet se kjo kala ka qenë seli e mbretit Glauk. Glauku e kishte birësuar Pirron e Epirit në moshën 3-vjeçare dhe, kur u rrit, e kishte martuar me të bijën e vet.

Në malin e Vilës ndodhet një varr me gurë ciklopikë, që mendohet se është varri i mbretit Glauk e pranë Glaukut mund të jetë edhe varri i mbretit Pirro. Në malin e Vilës ka shumë mistere të pazbuluara e të pastudiuara. Mali është i rrethuar me mure të trasha, të ndërtuara me gurë të përmasave 150 x 60 cm. Në Petrelë gjenden rrënojat edhe të dy kishave, si dhe janë tri tyrbe e një xhami.

Banorët e zonës tradicionalisht janë marrë me bujqësi e blegtori, vreshtari e perimtari. Relievi kodrinor e fushor përgjatë luginës së Erzenit ka mundësuar edhe zhvillimin e pemtarisë, kryesisht të ullishtave, kurse lumi ka mundësuar peshkimin. Dekadave të fundit ka marrë hov zhvillimi i hotelierisë dhe i turizmit, me ndërtime të hoteleve e restoranteve të shumta.

Në Petrelë gjejmë një vend tipik shqiptar, një fshat të bukur e të qetë, larg zhurmës e tollovisë së Tiranës, një vend me plot gjelbërim, i përshtatshëm për pushim e relaksim, një vend me ushqim të freskët tradicional, një vend për turizëm kulturor, fshatar e historik, një vend që po merr pamjen e një qyteze të vogël turistike. Petrela është pasuri e paçmuar e trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore.
Të vizitosh Petrelën d.m.th. të vizitosh kalanë e lashtë historike dhe të shumë artefakteve në kuadrin e saj, të vizitosh lapidarin e LANÇ, të vizitosh rrënojat e kishave, të vizitosh xhaminë dhe tyrbet, të vizitosh shtëpitë karaktreristike, kostumet popullore, restorantet dhe hotelet e shumta dhe, para së gjithash, të shijosh një peisazh me pamje panoramike që të lë pa frymë.

Të vizitosh Petrelën e të mos shkosh në malin e Vilës e në kalanë e Persqopit do të ishte një vizitë gjysmake. Po të vizitohet në muajin gusht, aty gjenë një panair – festival interesant të prodhimeve artizanale me emrin “Ditët e Trashëgimisë Kulturore”, ku paraqiten vlerat e pasura folklorike e etnografike të zonës. Tiranësit e vizitojnë shpesh Petrelën, e vizitojnë sidomos fundjavëve, kur shkuarjet në Petrelë i kanë shndërruar në ritual të rregullt, duke ikur nga pluhuri, tymi e zhurma e kryeqytetit.

Ngjitja në kala me veturë shkon përmes një rruge gjarpërore panoramike malit përpjetë deri në sheshin e fshatit e prej aty në këmbë merr shkallaren shumë të pjerrtë, të vështirë e të gjatë, rreth 200 metërshe. Por, diçka që nuk shkon brenda kalasë, në majen e kalasë, është një restoranti që nuk duhej të ishte aty apo që në vendin e tij më mirë të ishte një muze që flet për historikun e kalasë monumentale.
Kalaja e Petrelës ngritet madhështore dhe paraqitet me pamje impozante kur e shikojmë nga larg, nga rruga e nga fusha. Edhe kur shikojmë nga kalaja poshtë e rreth e rreth, na dalin parasysh pamjet mahnitëse mbi luginën e Erzenit, mbi fushën e gjerë të Tiranës, drejt kodrave e maleve, shumë prej tyre të mbuluara me ullishta të vjetra shekullore, që u rrijnë kodrinave si një jorgan i gjelbër përsipër