Foto: Alban Bujari / KOHA

Bedri Muhadri

Shteti serb, në opinionin ndërkombëtar, kur flet për të drejtat mbi Kosovën, ngre çështjen e kishave dhe të manastireve në Kosovë. Kjo orvatje jo e drejtë historike ka pasur sukses, saqë propaganda serbe ndikoi në marrëveshjen ndërkombëtare e arritur me “Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen Statusit të Kosovës”, të hartuar nga presidenti i Finlandës, (mars 2007), që manastiret ortodokse të ndërtuara në mesjetë t’i njihen si trashëgimi Kishës Ortodokse Serbe.

“Kosova do ta njohë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet e tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd” (Aneksi V, pika 1.2 e Marrëveshjes së Atisaarit). Edhe sot në zyrën e misionit serb në Bruksel, në takimin midis komisionarit evropian për zgjerim, z. Oliver Varhelyi, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në ekspozimin e qëllimshëm të librit “The Christian heritage of Kosovo and Metohija – The historical and spiritual heartland of the Serbian” , që jo vetëm se është skandal politik, por komisionari evropian shfaqet përkrah tezës serbe për trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe, për më tepër, nesër mund të shpërfaqë ide konkrete, të tilla të njohura: “Atisaari plus”; “të domosdoshme kompromise të hidhura nga pala kosovare” e të tjera, që qartë politikisht mund të konceptojnë lloj-lloj standardesh të panjohura teorikisht e praktikisht në bazamentin politik të Bashkimit Evropian, duke e paraqitur këtë vetëm “sui generis” apo si zgjidhje “modus vivendi”. Por faktet historike kurdoherë mundësojnë rishqyrtim dhe trajtim të drejtë politik sa i parket kulturës historike të Kosovës.

E gjithë kjo ka bazën e vet historike në kohën e mesjetës. Territori i Kosovës së sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave serbe në kohën e Nemanjidëve. Kishat më të hershme serbe u ngritën kryesisht në territorin e ngushtë të Rashës si: Studenica (afër Novi- Pazarit), e ndërtuar nga Stefan Nemanja; Manastiri Maleshevo (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novi-Pazar) dhe Manastiri i Zhicës, i rindërtuar më pastaj afër Kralevës, që ishte edhe seli e Autoqefalisë serbe, u ndërtua nga Stefani i Kurorëzuar. Me fjalë të tjera, djepi i kishave dhe i manastireve serbe gjatë dy-tre brezave të sundimit të Nemanjidëve gjendej në territoret serbe e jo brenda Kosovës, shkruan KOHA.

Kjo shtrirje e kishave serbe përkon me territorin serb mesjetar që e jep studiuesi Kostandin Jireçek, sipas të cilit: “Në brendi, në shekujt XI – XII shtrihej, me disa ditë ecje në këmbë, një shkretëtirë e madhe në rripin e gjerë kufitar bizantin ndërmjet serbëve dhe bizantinëve, ndërmjet qyteteve kufitare bizantine Prizreni, Lipjani dhe Nishi, nga njëra anë, dhe vargmalet serbe mbi Lim e Ibër, në anën tjetër. Pas okupimit serb në kohën e Nemanjës (viti 1180 etj.), shumë shpejt u populluan këto vise të pasura natyrore e veçanërisht luginat e nxehta të Drinit të Bardhë dhe të Sitnicës”.

Uzurpimi i kishave katolike

Territori i Kosovës pas pushtimeve serbe nga sundimtarët serbë Stefan Deçanski (1321-1331), Stefan Dushani (1331-1355) dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj dinastie Uroshit V (1355-1371) u gjet në pjesët qendrore të shtetit të Nemanjidëve. Në kohën e Nemanjidëve, pushteti dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë uzurpuar shumë kisha katolike. Njëherësh u adaptuan e u rindërtuan një sërë objektesh fetare, si Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Spasit, Kisha e Shën Nikollës, Manastiri i Shenjtorëve Mihal e Gabriel, si dhe kishat në Korishë, Hoçë e Madhe, Mushtisht etj.

Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si Manastiri i Deçanit, i Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihal e Gabriel dhe Kisha e Zojës Prendë në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefanit në Mitrovicë, janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret ne fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine./koha.net/