Enver Robelli

Në kohëra të krizës, siç është kjo e pandemisë, janë të rëndësishme sidomos mendimet e shkrimtarëve, të cilët kanë një qasje tjetër ndaj realitetit në krahasim me mediat apo politikanët. Shkrimtari Paul Auster, ndër autorët më të rëndësishëm amerikanë, me romane të përkthyera në mbi 40 gjuhë (edhe në shqip), në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit” flet për Donald Trumpin (flet është fjalë e butë!), tregon si është gjendja në New York, shpalos dobësitë e demokracisë amerikane, është i bindur se Barack Obama ishte njeri i mirë, por jo politikan dhe shpreson se presidenti i ardhshëm do të quhet Joe Biden, i moshuar, jo aq i mençur, por prapë më i mirë se Trumpi.

Prej se virusi nga Kina është futur si mysafir i paftuar në botën perëndimore, jeta publike është në gjendje të jashtëzakonshme. Në dekadat e fundit kurrë s’ka pasur kaq shumë interesim për mendimet e shkencëtarëve. Virologët janë shndërruar në instanca publike, partitë që shpotiteshin si të “vjetra” befas gëzojnë përkrahje të madhe, ndërsa popullistëve u mungojnë temat e tyre të përhershme: urrejtja ndaj elitave dhe ndaj të huajve. Mediat e etabluara janë bërë burim kryesor (në mos i vetëm) i informimit, kurse portalet me të “vërteta alternative” administrojnë teoritë e komplotit.

Në kohëra të krizës, siç është kjo e pandemisë, janë të rëndësishme sidomos mendimet e shkrimtarëve, të cilët kanë një qasje tjetër ndaj realitetit në krahasim me mediat apo politikanët. Që nga fillimi i marsit, prej se pandemia nisi të përhapej pothuaj pafrenueshëm në botën perëndimore, të shumtë kanë qenë filozofët, sociologët, kulturologët dhe shkrimtarët që kanë folur për gjendjen e krijuar.

Daniel Kehlmann, ylli i letërsisë gjermane, në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”, tha se gjendja në New York është dramatizuar tepër. Kehlmann e ka lehtë të flasë: nga mesi i marsit ai ka braktisur New Yorkun dhe bashkë me familjen e tij ka marrë me qira një shtëpi në Montauk në Long Island. Aty e kalon ditën duke menduar, shkruar dhe shëtitur bregut të detit. Nuk është jetë e keqe. (Gati çdo lexuesi në hapësirën gjermane toponimi Montauk ia përkujton tregimin me të njëjtin emër të shkrimtarit zviceran Max Frisch, por, nejse, kjo është një temë tjetër).

Intervista deri më tani më “crazy”, më e trentë, që është zhvilluar me një shkrimtar, i cili flet për krizën e pandemisë në SHBA, është ajo me Paul Auster. Është botuar në numrin e kësaj jave të gazetës gjermane “Die Zeit”. Auster, ndër autorët më të rëndësishëm amerikanë, me romane të përkthyera në mbi 40 gjuhë, flet për Donald Trumpin, tregon si është gjendja në New York dhe shpalos dobësitë e demokracisë amerikane. Është një intervistë e gjallë, një dialog, një bashkëbisedim që tingëllon si të jetë zhvilluar në një kafe të New Yorkut, në të vërtetë është zhvilluar përmes telefonit.

Pyetja e parë: zoti Auster, gjendja juaj shpirtërore? Auster: “E papërmbajtshme. Qeveria jonë më shkakton valë zemërimi, një mllef të përhershëm. Dhe neveri e turp”. Pse turp? Auster: “Për shkak të asaj se çfarë ka ndodhur me vendin tonë. Si i jemi qasur ne kësaj krize. Dhe si po e përdorin krizën Partia Republikane dhe përbindëshi në krye të saj për ta përçarë edhe më shumë vendin. Po përjetojmë rezultatin e rrëshqitjes 50-vjeçare nga e djathta: çdo veprim i qeverisë kuptohet si i padobishëm, madje djallëzor, si tradhti ndaj parimeve vetjake. Rrjedhimisht, qeveria ia refuzon ndihmën kombit”. Me qëllim? Auster: “Nuk dua të them se qeveritarët tanë janë vrasës, por veprat e tyre po vrasin njerëz. Kjo më dhemb, më tmerron”.

Për dallim nga shkrimtari gjerman Daniel Kehlmann autori amerikan Paul Auster mendon se New Yorku është goditur ashpër nga virusi korona. “85 për qind e njerëzve bartin maska. New Yorku është goditur tmerrësisht, shumë më tmerrësisht se ç’raportojnë gazetat”. Auster tregon se i njeh së paku 20 njerëz që kanë qenë të sëmurë nga virusi, disa rëndë, por vetëm njëri është trajtuar me respirator për katër ditë, në spital. Të tjerët, sipas tij, nuk gjenden në statistikë, andaj Auster supozon se në New York janë infektuar më shumë se një milion njerëz, jo 200 mijë siç thotë statistika zyrtare. Mes të infektuarve kanë qenë edhe Auster dhe partnerja e tij Siri Hustvedt: “Kishim temperaturë. Te unë gjendja ndryshonte: ndihesha keq, pastaj më mirë, mandej pësova kolaps dhe isha i paralizuar për tri ditë, nuk mund të merrja frymë. Siri kishte dhembje të tmerrshme koke, dhe gjoksi i saj ishte si i lidhur, pothuaj s’mund të merrte frymë”.

Auster thotë se përkundër situatës dramatike njeriu harron. Sepse pa harruar njeriu nuk kthehet në normalitet. Sipas Auster pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 është thënë se jeta nuk do të jetë më si deri atëherë, por pastaj “njerëzit shkojnë në shkollë, në punë, bëjnë bebe, e bebet nuk e dinë çka ka ndodhë më 2001. Njeriu harron. Para 102 vitesh gripi spanjoll i ka mbytur 675 mijë amerikanë, por ai është aq i mbështjellë me mjegull, saqë për të nuk ligjërohet as në kurse të historisë”.

Mënyra e menaxhimit të pandemisë është çelësi i zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, thotë Auster. Që ai është përkrahës i demokratëve, nuk e mban fshehur fare. Shpreson se demokratët do të fitojnë dhe ndoshta nga tragjedia do të lind diçka e mirë: një mënyrë e re se si do të mendojmë për veten tonë. E nëse ndodh e kundërta? Auster: “Atëherë përbindëshat do të dalin nga strofujt e tyre. Demonstratat në Michigan, të armatosurit me flamuj nazistë, tashmë i kemi parë. Kur në Amerikë shpërthen dhuna, përherë mund të hapet edhe ferri”. Auster është i zemëruar mbi injorancën e amerikanëve. “Rrogat, arsimimi, kujdesi shëndetësor janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën – në Amerikë shumë, shumë njerëz pothuaj nuk dinë të lexojnë. Shumë njerëz hyjnë në jetë të paditur. Demokracia vuan kur qytetarët e saj janë të paditur, të lëndueshëm dhe të ndjeshëm ndaj demagogëve, të cilët prekin vetëm ndjenjat e tyre. Këtu shumë njerëz nuk mësojnë se çfarë u duhet për të analizuar, për të dëgjuar”. Auster shton: “Mos më keqkuptoni: nuk dua t’i nënçmoj njerëzit. Por Amerika e ka varfëruar trurin e shumë njerëzve. Këta duan përgjigje të thjeshta ndaj pyetjeve të ndërlikuara”.

Trendi i rrëshqitjes së Amerikës nga e djathta, sipas Auster, fillon në vitin 1964. Atëherë për postin e presidentit kandidoi republikani Barry Goldwater. Fushata e tij ishte ekstremiste. Goldwater pësoi disfatë, demokrati Lyndon B. Johnson fitoi, por meqë Johnson përkrahu lëvizjen për të drejtat e zezakëve, demokratët konservatorë në shtetet jugore amerikane iu bashkuan republikanëve, të cilët kanë para, janë mirë të organizuar, mendojnë në aspektin afatgjatë dhe nuk dorëzohen. Demokratët, thekson Auster, janë fragjil, të papjekur, të papërgatitur, nuk janë largpamës, janë si fëmijë që mashtrohen nga të rriturit. Vala tjetër konservatore erdhi me Ronald Reaganin në vitet 1980-të, të cilin Auster e quan racist, ndërsa George W. Bushin e kritikon për vendime të gabuara (lufta kundër Irakut). “Vendi që e trashëgoi (Barack) Obama ishte dobësuar në mënyrë sistematike – dhe Obama i mjerë në të vërtetë ishte një burrë i mrekullueshëm, por jo vërtet politikan”.

Intervista e Paul Auster arrin kulmin kur gazetari e pyet se përse nuk e ka përmendur ende me emër Donald Trumpin. Auster: “Nuk e duroj dot atë njeri. Vokabulari i tij i ka 16 fjalë, secilën fjali e përsërit, dhe secila është rrenë. Unë e quaj numri 45 ose përbindëshi”. Amerika, shpjegon Auster, është ndryshe: “Ne këtu përherë kemi pasur dy mendësi: ‘Secili për vete’ kundër ‘të gjithëve na pret fati i njëjtë’. Mjekësia dhe statistika e dëshmojnë: kur njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin, të gjithë ndihen më mirë. Kjo nuk e ndryshon faktin se mendësia e parë përpiqet të fitojë: ‘Unë, unë, unë jam gjithçka e rëndësishme. Fuck everybody else”. Këtu hyn edhe mallkimi i ekspertëve dhe shkencës: ‘Unë e di se çka është mirë për mua’. Numri 45 është zgjedhur pikërisht për shkak të këtij qëndrimi, për sulmin ndaj shtetit, arsimit dhe shkencës”.

Ideja se shteti duhet t’u ndihmojë qytetarëve është e patolerueshme për republikanët. “Ata duan që qeveria të ketë një armatë për të mbrojtur vendin – dhe pikë. Pjesa tjetër: kapitalizëm i pafrenueshëm. Këtë e mendojnë me gjithë mend. Ata e konsiderojnë veten amerikanë të vërtetë, me V të madhe, ndërsa të tjerët nuk janë njerëz tamam të vlefshëm”, thotë Auster. Befas Auster merr rolin e gazetarit, të cilin e pyet: A keni fëmijë? Po, thotë gazetari. Auster: “Atëherë e dini se dyvjeçarët e shohin veten në qendër të vëmendjes së botës, atyre u duhet krejt vëmendja. Pesëvjeçarët janë deri-diku më të arsyeshëm. Numri 45 ende është dyvjeçar, me pelena, ende i bie me lugë karriges së bebeve. Ne shohim një të sëmurë”. Për demokracinë amerikane Auster nuk ka mendim të lartë. Ai thotë se kolegji elektoral pamundëson që të fitojë ai kandidat që ka marrë më shumë vota. Fiton ai që ka më shumë anëtarë në kolegjin elektoral. Ndonëse kanë marrë më shumë vota, prapë kanë humbur Al Gore dhe Hillary Clinton. “Kurrë nuk kemi qenë demokraci, sepse sistemi nuk është ndërtuar kurrë në atë mënyrë që të jemi demokraci”, thotë shkrimtari.

Kështu, me këtë ton plot mllef origjinal, merr fund intervista e Paul Auster. Në shqip, sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, janë përkthyer këto romane të Paul Auster: “Trilogjia e Nju Jorkut: Qyteti i qelqtë; Fantazmat; Dhoma e kyçur” dhe “Libri i iluzioneve”. Lexim të këndshëm!/koha.net/