Loer Kume

I detyrohem Kadaresë për dritaren e madhe të letërsisë që më hapi me “Kush e solli Doruntinën”, herët, në bankat e gjimnazit. E, më pas, me shumë vepra të tjera. Dhe ky shkrim i ngacmuar nga libri “Kohë për rrëfim” është një refleksion për rëndësinë që ka shkrimtari në një shoqëri. Lashë të kalonin disa ditë pas leximit për të përmbledhur mendimet, njohjen që m’u dha mbi këtë njeri plot ambiguitete, që tashmë në histori është kthyer në personazh.

Kadare është i përkëdhelur. Me një jetë midis banketit, vetmisë, dhe të mbajturit ekuilibër mbi humnera, ai është përkëdhelur nga lexuesit, admiruesit, miqtë, pushtetarët, nga gratë dhe nga bota. Kadare ka bërë një jetë në majat e jetës. Nëpër kujtimet dhe udhëtimet mendore të nxitura nga pyetjet e Bardhylit, nëpër skutat e errëta të epokave që ky shkrimtar ka jetuar, ka pasur vetëm një fener në dorë: talentin e tij. Kadare spikat si poet që në shkollë. Në një kohë të çoroditur të pasluftës, në një periferi si Gjirokastra, por provincë plot kulturë. Sa për kujtesë, edhe Çerciz Topulli, që të rinjtë sot e mbajnë në bluza si një luftëtar lirie, Guevara shqiptar, ka qenë së pari intelektual i kohës, i eklipsuar mbase vetëm nga vëllai Bajo, e nga miku i ngushtë i armëve, Mihal.

Kadare në këtë provincë spikati. Por, spikati edhe më fort në Tiranë. Në Tiranë, ky shkrimtar nuk ishte i biri i dikujt, nipi i dikujt, nuk ishte miku i askujt, por vetëm një talent letrar. Fillimisht si poet, pastaj si prozator, Kadare shkëlqeu krejtësisht ndryshe, diçka krejt moderne, e freskët, e thellë, thurje e shqiptarisë komplekse me botën e jashtme.

Kadare i ri dallohet për letërsinë e tij me mënyra krejt të reja në një terren artistik të vështirë e të papërpunuar në Shqiptari, që pas bumit të viteve ’30, në vitet e pasluftës, e më pas, nën dirigjencën diktatoriale pllakosi shkretia intelektuale. Mënyrat e tij letrare janë edhe sot shumë moderne. “Përbindëshi” më ka habitur me mbivendosjen kohore; “Ftesë në studio”, një vepër supermoderne, sa për të përmendur dy nga krijimet e shumta të freskëta edhe sot.

Pikërisht me këto mënyra shkrimi, nga ky talent letrar, ai bëri emër dhe lexuesit nisën ta adhurojnë. Autorë të rinj ta imitojnë. Vetë Hoxha e telefonon në Lidhjen e Shkrimtarëve për ta përgëzuar për poemat e tij.

Kadare, në sajë të aftësisë së tij për të lëvizur nëpër kufijtë e situatave dhe dogmës, nxjerr avantazh nga sistemi i kohës, botohet jashtë, shkon në Paris si eksporti ynë më i mirë intelektual, shëtit, jeton bukur, përkthehet në gjuhë të tjera, femra i shkruajnë letra, ai merr avantazh ndaj tyre.

Në pasqyrat e erotikes, Kadare çiltërsisht, me moskokëçarjen që i jep statusi dhe mosha tashmë, na rrëfen se shkrimtari Kadare vetëm prift nuk ka qenë. Duke qenë magneti i kulturës shqiptare të kohës, vëmendja femërore nuk paska munguar në ato vite. E në ato vite flirtohej e bëhej seks. Madje, nga sa na rrëfen në libër, përfiton edhe ndaj vajzës së një të njohuri të tij, njërit nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të dikurshëm. Dhe pas pasqyrës së çiftit Kadare lexojmë për tolerancë. Shumë tolerancë. Dhe qejfe, shumë qejfe. Dhe pse jo? Jeta është e bukur kur ke talent dhe zgjuarsinë për të shfrytëzuar momentet e tua. Ky duhet të jetë model për të rinjtë e sotëm, që ngadalë po kthehen në kukulla “Barbie” në prerje serie me hekurosje të njëtrajtshme të rrudhave të kontekstit.

Ka qenë fati i madh i Kadaresë, që ka jetuar dhe krijuar në kohën kur letërsia në Shqipëri ishte subjekt kryesor i interesit publik dhe dëshirave të njerëzve, ndryshe nga koha e sotme. Këtë fat e ëndërrojmë sot dhe ne, do ta ëndërrojnë shkrimtarët në tërë kohën që vjen, por janë të vështira prerjet e rrethanave. Nga rrëfimi kuptojmë çfarë rëndësie kishte letërsia dhe brenda mureve të izolimit dhe varfërisë, sa të prirur ishin shqiptarët e atëhershëm drejt kulturës dhe sa të gjynahshëm janë sot në liri të plotë, në djerrinën e shkretë që u kanë krijuar përreth, me telenovela, libra rozë, emisione televizive llumore dhe ekrane telefonash nga ku nxjerrin kryet dhe këpucët lloje e soje politikanësh, që pas disa vitesh do t’i qeshë historia.

Feneri i talentit që e çon përpara shkrimtarin, gjithashtu nxit xhelozi e krijon kundërshtarë. Pikërisht këtu është pika e lidhjes së ambiguitetit të Kadare. Nxitja e urrejtjes nga ana e urrejtësve. Nga ana tjetër e pasqyrës, kjo përkëdhelje, kjo ngjitje drejt majave, ka provokuar gjithashtu zili, urrejtje, gjuajtje me gurë si majmunët gjuajnë sendet që nuk i kuptojnë ose krijesat që kanë frikë. Kështu, na krijohet një panoramë plot me pasqyrime, e shformime iluzore të një pasurie artistike e intelektuale dhe të perceptimeve ndaj saj.

Pse jo, në fakt, pse të mos kishin zili e kundërshti, në një kohë që shqiptarët vuanin diktaturë të tmerrshme, ky njeri gëzonte privilegje që askush s’i kishte?

Por, nga pas pasqyrave të Kadaresë lind një pyetje pak më e thellë se dualizmat moraliste i mirë-i keq; përse artisti nuk duhet të shfrytëzojë statusin dhe pozicionin e tij për të jetuar më mirë? Cili është problemi? Pse kërkohet prej shoqërisë shqiptare gjysmë puritane, gjysmë skandaloze, gjysmë thashethemexhi, gjysmë symbyllur, gjysmë përputhur, e gjysmë osmane Sulejmane, gjysmë feministe e gjysmë moraliste, që artisti të vuajë, të torturohet, të kundërshtojë, të kalbet burgjeve, të mos shkëlqejë, të mos krijojë shfaqen e tij artistike? Pse kërkohet kryqi popullor mbi shpinën e artistit kur ai bart me vete gjithmonë kryqin e artit ndërkaq?